Shteti i kapur – dyfish!
Nga Beqë Cufaj – Siç edhe kemi pritur, java që lamë prapa ishte e stuhishme dhe pasojat e saj do të shihen dhe do të ndjehen shumë shpejt në peizazhin politik të Prishtinës dhe nëse duam edhe rajonit
Janë tre momente të cilat duhet të shihen si esenciale për ditët, javët dhe muajt në vijim të cilat deshëm nuk deshëm do të reflektohen në realitetin politik të vendit. I pari është, s’ka dyshim, kthimi i Ramush Haradinajt në Republikën e Kosovës me të gjitha të drejtat për angazhim në politikë, por edhe me kredenciale shumë të forta para bashkësisë ndërkombëtare që vitet e kaluara në Hagë nuk ishin gjë tjetër pos një lojë e rëndë e e paparë ndonjëherë e Carla del Pontes me Beogradin që të “barazohet” historia dhe përgjegjësia e procesit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.
Në këtë frymë, lirimi i Gotovinës në njërën anë dhe Haradinajt në anën tjetër shënon goditjen përfundimtare që Beogradi merr bëhet fjalë për përgjegjësinë për krimet në hapësirën e ish-shtetit të përbashkët. Momenti i dytë është publikimi i inçizimeve të bisedave të shefit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçit, me bashkëpunëtorët e tij kryesorë. Në këtë skandal- dhe s’ka si të mos quhet ndryshe, përmasash tronditëse, dalin në pah shumë e shumë elemente të cilat në shesh nxjerrin atë që njeriu me zhargonin e domosdoshëm s’ka si të mos e quajë pos si një dëshmi të fortë, esenciale, emblematike, për “shtetin e kapur” (Captured State).
Radha e pyetjeve që me këtë rast do të shtroheshin do ishte tejet e gjatë. Dhe pa hyrë në zbërthimin e nivelit intelektual, moral, politik apo tekefundit edhe njerëzor të këtyre komunikimeve të zbardhura për opinion dilema që shtrohet është kjo: a del qartë që ky shtet është i kapur nga një strukturë njerëzish të cilët jo vetëm që nuk kanë respekt për njëri-tjetrin, por me makinacione të frikshme ia “punojnë” njëri-tjetrit çdo të zezë të mundshme e të pamundshme?! Them që po.
Por që e tëra të jetë edhe më shokuese dhe në fakt edhe duhet të jetë elementi kryesor të cilin opinioni duhet ta shohë është kjo: kush i lëshoi inçizimet? U bënë ato pse Thaçi iu hodh në shpinë EULEX-it gjatë ceremonisë së FSK-së për “malishevasin”? Apo ta kenë bërë këtë “mbrojtësit”? Apo edhe vetë EULEX-i me segmentet e veta që e dinë punën dhe me këtë edhe lojën e tyre? Krejt këto dhe këso pyetjesh na bien te paradoksi, tek e pathëna që e dimë dhe s’guxojmë a harrojmë ta zbërthejmë: Thaçi me njerëzit e tij e ka kapur shtetin- kjo po del e qartë. Por edhe këtë shtetin e Thaçit po ashtu e kanë kapur “ata” që kur duan edhe këtij ia hedhin ca, jo mega, por “minibyte” telefonatash… në “Youtube”! Një shefi qeverie e shteti! Që tash të luhet ajo “blame-game” se nuk dihet kush i ka lëshuar në eter ato gjëra është aq naive sa këta njerëzit e EULEX-it na e fyejnë inteligjincën kur thonë që “s’e dijnë” kush e ka bërë këtë gjë. Edhe fëmijët programues në fushën e IT-së mund ta gjejnë prej cilit kompjuter e vend lëshohet diç e tillë. Dhe nëse kjo duhet shënuar edhe më rëndësi ka kjo kapja e dyfishtë- Thaçi “neve” dhe Thaçin “miqtë” e tij. Kurse llogaria shkon në xhepat dhe jetërat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Morali i krejt kësaj historie është që duhet të fillojmë shumë seriozisht të mendojmë nëse e kemi merituar një kastë të tillë politike e cila është në gjendje të lejojë dhe të pranojë edhe gjëra të cilat në asnjë shtet normal- nga Evropa, përmes Azisë e Afrikës e deri te Amerika Latine nuk do të mund të ngjanin- por ja që vetëm e vetëm pse s’duan ta lëshojnë (edhe pse po del që s’po munden) për arsyet të cilat i dimë të gjithë tashmë.
Pasoja e krejt këtyre lojërave dhe skandaleve të cilat si zakonisht dhe tradicionalisht ngjajnë pothuajse çdo vit në hyrje të dimrit do të jetë sërish zero. Dhe kjo është ajo që njerëzit i dëshpëron dhe shokon. Sepse e dijnë dhe ndiejnë që diçka e tillë s’ka të bëjë as me normalitetin e as demokracinë. As me sundimin e ligjit e aq më pak me “ndihmën” për të patur një të ardhme më të mirë e të shëndoshë. Apo duhet të rrëzohemi aq shumë (moralisht e shpitërisht) që ta marrim vesh se shteti është i yni dhe nëse na e kanë kapur (dyfish) duhet të bëjmë diçka që vetes t’i kthejmë pak dinjitet njerëzor dhe shoqëror…