Eko Higjiena

Shteti i Ademit

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Shteti i Ademit është trashëgimi e qeverisjes korruptive e të kriminalizuar e cila në fokus nuk e ka qytetarin, por veç një klikë të caktuar njerëzish. Një klikë njerëzish që kanë zhvatur e shkatërruar gjithçka në këtë vend. Por, Shteti i Ademit tashmë po lëkundet. Dhe do të shkatërrohet
Tre policë përgjegjës nuk ia kontrolluan veturën Adem Grabovcit, kur ky shkoi të rrëfehet në prokurori.

Një tjetër ia shtriu dorën përzemërsisht kur ai u largua nga aty. Një qasje kjo vasale e uniformave të shtetit, ndaj njeriut që është simbol i ndërtimit të shtetit të kapur e vasal kundrejt një kaste të caktuar njerëzish. Për javë të tëra Grabovcin e kemi dëgjuar sesi cakton militantë të partisë nëpër institucione të shtetit. Të enjten ai u përpoq të ironizojë, duke thënë se në prokurori kishte shkuar t’i bëjë disa emërime. Por, ai të paktën do të duhej të skuqej për veprimet e veta, që qytetarët e Kosovës kanë pasur rastin t’i dëgjojnë disa javë rresht. Veprimet e policëve që në shenjë respekti a frike u sollën ndaj tij ashtu në ditën kur ai do të duhej të jepte përgjigje, e jo të heshtte për bëmat e veta, tregojnë më së miri se si funksionon Shteti i Ademit. Shteti i politikanit, “shefit të shefave”, djemtë e të cilit sfidojnë policinë, e babai i të cilëve sfidon rendin ligjor. Në vend që të paktën t’i vinte keq, Grabovci të enjten vazhdoi t’i fyejë qytetarët me arrogancën e tij, me qasjen e tij. Mbase ka të drejtë, sepse supozon se ndonjëri nga ata që duhet të ndajë drejtësinë në rastin e tij mund të qëllojë i propozuar ose i emëruar nga ai. Përgjimet e Grabovcit tregojnë më së miri se çfarë shteti kanë ndërtuar ai dhe shefat e tij. Një shtet pronë private, me të cilin bëjnë ç’të duan. Një shtet në shërbim të tyre dhe të të tjerëve që mendojnë si ta. Një “pronto” shtet.

* * *

FIDANISHTJA

Shteti i Ademit është aty për të afërmit e tij, për dostat e tij, për militantët e partisë së tij, për shërbëtorët e tij, për ata që i sigurojnë vota dhe e mbajnë në pushtet atë dhe partinë e tij. Shteti i Ademit është aty jo për qytetarin e zakonshëm, por për qytetarin që i përulet shefit, për qytetarin që është në gjendje të bëjë çmos për shefin, për qytetarin që te shefi e sheh shpresën e vetme për punë e mirëqenie. Shteti i Ademit është aty për kurdisje konkursesh, për mbushje bordesh me militantë partiakë, për caktim drejtorësh të kompanive të rëndësishme, për pisllëqe të çfarëdo lloji. Shteti i Ademit është trashëgimi e qeverisjes së PDK’së, trashëgimi e qeverisjes korruptive e të kriminalizuar e cila në fokus nuk e ka qytetarin, por veç një klikë të caktuar njerëzish. Një klikë njerëzish që kanë zhvatur e shkatërruar gjithçka në këtë vend. Shteti i Ademit është ky që drejtohet tash nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa – një shtet që nuk po përparon ekonomikisht, një shtet i varfër, me njerëz të papunë, një shtet i izoluar, një shtet me institucione të kapura e jofunksionale, një shtet në të cilin më së shumti zhvillohen krimi i organizuar e korrupsioni, një shtet në shërbim të shefave. Shteti i Ademit është pa perspektivë për të rinjtë, por me të ardhme të ndritur për klikën që e udhëheq dhe njerëzit që i rrinë afër. Shteti i Ademit është shtet i shëndetësisë e arsimit të shkatërruar, shtet i keqpërdorimeve milionëshe, shtet i haraçit, shtet i mjerimit.

* * *

Policët, sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës nuk duhet të tregojnë respekt e përulësi, por përçmim e përbuzje ndaj Grabovcit dhe të tjerëve si ai. Prokuroria e gjykatat nuk duhet të tregojnë tolerancë, por vendosmëri ndaj Grabovcit e shokëve të tij. Vetëm kështu ka shpresë se shteti nuk do të mbetet më i Ademit, por do t’iu kthehet qytetarëve. Vetëm atëherë ka shpresë se do të punësohen ata që e meritojnë, e jo ata që dëshirojnë grabovcët. Vetëm atëherë ka shpresë se klika që e ka shkatërruar këtë vend do të bie dhe shpresa për një të ardhme më të mirë do të ngjallet. Duke shfaqur jo veç përçmim e përbuzje ndaj grabovcëve, por edhe duke reaguar, duke ngritur zërin e duke protestuar, qytetarët tregojnë se nuk duan kësi shteti, nuk duan këso udhëheqjeje. Duke ngritur zërin e duke protestuar, qytetarët tregojnë se duan shtet ligjor e të drejtë, shtet në të cilin funksionon sistemi i vlerave, shtet në të cilin grabovcët që bëjnë veprime antiligjore e kanë vendin në burg, e jo në parlament e qeveri, shtet i cili është në shërbim të tyre e jo të grabovcëve. Shteti i Ademit tashmë po lëkundet. Dhe do të shkatërrohet. Le të ndihmojmë të gjithë që ai të bjerë sa më parë.