Shteti e “kryqëzon” sipërmarrjen private
Kosova vazhdon të përballet me një ngecje të thellë ekonomike, mungesë të investimeve të huaja, sundim të dobët të ligjit dhe ambient të përkeqësuar biznesor. Askush nuk e di se deri kur do të dominojë kundërligjshëm pushteti i degraduar, i cili që nga paslufta po e ngulfat ekonominë e brishtë në Kosovë.
Analistët e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe pyesin se përse nuk po u hapet rruga sipërmarrësve privatë, që kudo në vendet e zhvilluara dhe në botë janë promotori i zhvillimit të vendit.
Ata pyesin se kujt po i konvenon që pushteti të ketë kaq shumë prezencë dhe ndikim e vendimmarrje në sektorin privat, duke kontrolluar çdo sektor, duke e bërë këtë përmes “piunave” të vetë të instaluar nëpër institucione, duke iu dhënë monopol paprekshëm vetëm të inkriminuarve të tyre dhe kontrolle të plota në të gjithë sektorët më fitimprurës të ekonomisë në vend. Tregu i lirë është vetëm në letër, sepse në praktikë ka monopole, ndërsa autoritetet përkatëse nuk ndërmarrin asgjë për të zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Shteti t’i mbajë duart larg biznesit privat
Bankieri Milazim Abazi tha për “Kosova Sot” se në ekonominë e tregut shteti nuk duhet të përzihet në ekonomi.”Ngase ekonomia e lirë e tregut bazohet në iniciativa private, ndërsa shteti nëpërmes enteve rregullative dhe Autoritetit të Konkurrencës del në mbrojtje, përkatësisht në përkrahje të tyre”, tha ai. Ai është i mendimit se çdo futje e duarve të shtetit në ndërmarrjet private doemos se e pengon rëndë zhvillimin e kësaj ekonomie si promotor i zhvillimit ekonomik dhe në të njëjtën kohë kjo ndërhyrje e pushtetit e shkatërron ekonominë e tregut të lirë.
Sipas Abazit, çdo përpjekje e shtetit për të vënë nën kontroll iniciativën private do të dështojë dhe vendin mund ta drejtojë drejt ekonomive socialiste dhe të kontrolluar, përkatë- sisht drejt shkatërrimit. Një pjesë e madhe e ekonomisë është ende e varur nga organet shtetërore, të politizuara tej mase.
Institucionet, penguese në punësim
Ekonomisti Dardan Grapci tha për “Kosova Sot” se pushteti i degraduar do të dominojë derisa pushtetarët edhe të inkriminuarit nuk arrestohen, edhe derisa ligji nuk fillon të zbatohet. Ai thekson se pushtetarët gjithmonë kanë qenë prezentë dhe kanë dhënë vendime të ndryshme tek sektorët privatë dhe ata shtetërorë. “Sot pushtetarët dhe ata që japin vendime kanë ndikim negativ në sektorin privat, e jo pozitiv, dhe kjo do të thotë se këta pushtetarë nuk kanë të bëjnë aspak me biznes dhe nuk dinë si duhet të zhvillohet një biznes”, vlerë- son analisti Grapci.
Ai tha se personat që janë në institucione duhet që të kuptojnë se nuk bën të përzihet politika në biznes dhe atë në sektorin privat dhe shtetëror, duhet që të largohen nga bizneset dhe t’i lënë të lirë që të punojnë, sepse vetëm në këtë mënyrë, me largimin e tyre nga vendimmarrjet e gabuara, sektori privat do zhvillohet më shumë dhe me këtë do të ketë edhe më shumë punësime, por dhe hapje të fronteve të reja të punës.”Dhe, kështu ekonomia e Kosovës mund të rritet çdo vit më shumë e më shumë”, vlerësoi ai.
Sundimet e pista, me pasoja të rënda
Eksperti i ekonomisë, Florim Rudhani, tha për “Kosova Sot” se janë sundimet e pista të të gjitha garniturave të pushtetarëve e qeveritarëve tanë të pasluftës që e dominuan kundërligjshëm dhe po e ngulfasin ekonominë edhe ashtu brishtë në Kosovë, duke e sjellë atë buzë fali mentimit, sepse me tërë forcën e plaçkitën dhe e zhvatën pasurinë e vendit tonë.
Ai sqaron se pushtetarët tanë këtë plaçkitje të pasurisë së popullit e arritën duke kontrolluar çdo sektor të jetës ekonomike dhe politike, duke i bërë këto punë të pista përmes veglave dhe sejmenëve të tyre që i kishin lënë vetë dhe i kishin të instaluar nëpër të gjitha nivelet kyçe të institucioneve të shtetit, duke filluar nga niveli lokal dhe që ishin të instaluar deri tek niveli qendror.”Pushtetarët tanë arritën që ta rrënojnë ekonominë tonë edhe përmes formës së dhënies së monopoleve të paprekshme që ishin të rezervuara si privilegje vetëm për të inkriminuarit e tyre dhe duke e bërë këtë përmes kontrolleve të plota në të gjithë sektorët më fitimprurës të ekonomisë së brishtë të vendit”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo situatë aktuale e brishtë politike, por edhe në aspektin ekonomik, më së shumti po u konvenon pushtetarëve të tashëm që po synojnë që të kenë kaq shumë prezencë dhe ndikim e vendimmarrje të bërjes së biznesit, në veçanti atë në sektorin privat. Rrudhani është i mendimit se urgjentisht nevojitet që nga ana e qeverisë së re më në fund edhe t’u hapet rruga sipërmarrësve privatë. “Kjo ngase kudo në vendet e zhvilluara dhe në botë sipërmarrësit privatë janë promotori i zhvillimit të vendeve të tyre”, ka theksuar ai.
Sistemi ekonomik të jetë në dobi të qytetarëve
Analisti Xhevdet Neziraj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” tha se një qeveri që është e popullit dhe e zgjedhur nga populli duhet që si synim kryesor ta ketë zhvillimin e sektorit privat dhe të krijojë klimë të favorshme ndërmarrësie. “Zhvillimi i sektorit privat për qeverinë e ardhshme duhet që të jetë shtyllë e zhvillimit ekonomik, duke garantuar konkurrencë më të madhe të prodhuesit vendor në tregun e brendshëm dhe përgatitje për konkurrencë edhe në tregjet e rajonit e më gjerë”. Ai vlerëson se Qeveria e vendit duhet që me instrumente të ndryshme të politikave ekonomike të mundësojë dhe të zhvillojë dijen dhe arsimin e ndërmarrësit kosovar dhe të zbatojë instrumentet mbështetëse për sektorin privat që aplikohen me sukses në vendet e zhvilluara të rajonit dhe BE-së, e në radhë të parë t’i eliminojnë barrierat e ndryshme administrative dhe problemeve tjera të interesit që paraqiten si problem i ndërmarrësit në sektorin privat.”Qeveria duhet të krijojë mundësi të një sistemi ekonomik që të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo anasjelltas. Planifikimi ekonomik duhet t’u shërbejë bizneseve ekonomike për t’i orientuar investimet në biznese private që sjellin jo vetëm përfitime dhe pasurim të një pronari, por të sjellin përfitime shoqërore për të gjithë qytetarët”, tha Neziraj. “Bizneset private nuk duhet të jenë pronë vetëm e disa biznesmenëve që janë të lidhur me politikën, sepse këta biznesmenë pak kanë bërë për shoqërinë e gjerë dhe qytetarët, por janë pasuruar vetëm për vete, si edhe rrethi i tyre i ngushtë”, u shpreh ai. Ishdeputeti Neziraj tha se me qëllim të ndikimit në rritjen ekonomike, rritjen e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës, qeveria e ardhshme duhet urgjentisht të bëjë më shumë në përmirësimin e ambientit të biznesit përmes këtyre hapave: Garantimit dhe mbrojtjes së plotë të të drejtave pronësore (fizike dhe intelektuale), përkrahjes së sistemit gjyqësor të pavarur dhe profesional, sidomos për çështje ekonomike, ndërtimit të zonave ekonomike nëpër qendrat e Kosovës, ku bizneset do të kishin kushte më të mira për biznes, fuqizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës si agjenci e pavarur dhe me qëllim të eliminimit të monopoleve, si dhe fonde mbështetëse për ndërmarrjet e vogla për të rinjtë pas shkollimit, duke u bazuar në aftësitë e tyre të fituara gjatë shkollimit.
(Kosova Sot)


