Eko Higjiena

Shteti duhet të udhëhiqet nga njerëzit që kanë tru

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në promovimin e dy librave të autorëve Flamur Hyseni dhe Burim Haliti profesori universitar Osman Ismaili dhe Sabri Kadriu kanë thënë se librat janë të veçantë, domethënës dhe të dedikuar për nevojat e shtetit funksional, ligjor e demokratikë. Ndryshe ekspertët universitar dhe vet autorët thanë se është koha e fundit kur shteti duhet të udhëhiqet nga njerëzit e dijshëm dhe ata që kanë tru.

Organizata “Lobimi për Ligjin dhe Demokracinë”, të shtunën në teatrin e qytetit në Gjilan ka promovuar dy libra shkencorë të dy autorëve të njohur dhe ekspert të fushës juridike dhe ekonomike . I pari Flamur Hyseni me librin “Aspekte juridiko – filozofike të nocionit të lirisë dhe vlerës së saj”, me recensentë Osman Ismaili dhe Akademik Arsim Bajrami, kurse Burim Haliti, me librin “Prokurimi publik në Komunën e Gjilanit për vitet 2005 – 2007”, me recensentë Sabri Kadriu.

Duke folur për librin e Flamur Hysenit, recensenti i tij Osman Ismaili tha se libri i Flamur Hysenit përfshinë tema juridike dhe si i tillë ka edhe vlera të veçanta juridike që kanë të bëjnë me lirinë dhe shoqërinë tonë, duke përfshirë këtu edhe vlerat shkencore.

Ismaili tha se shteti duhet të ndërtohet me vlera shkencore e të cilat duan sakrificë dhe vetëmohim.”Është koha e fundit kur në pushtet duhet të vijnë njerëzit e dijshëm dhe ata që kanë tru” tha profesor Ismaili.

Sipas tij libri “Aspekte juridiko – filozofike të nocionit të lirisë dhe vlerës së saj” është një libër shumë dimensional dhe që ka kërkuar punë shkencore dhe etikë shkencore. Libri nuk do të jetë as i pari, e as i fundit sepse Flamur Hyseni para vetës ka një rrugë të mirë dhe një vizion për ta ndihmuar konsolidimin e institucioneve shtetërore.

Kurse Sabri Kadriu ka folur për librin e Burim Halitit “Prokurimi publik në Komunën e Gjilanit për vitet 2005 – 2007”.

UBT

Sipas Kadriut të dyja librat janë të karakterit historik. Libri i Halitit është libër i veçantë sepse trajton institucionet financiare nga të cilat ndërtohet shteti. “Libri është i ndërtuar mirë dhe ka të gjithë termat e nevojshëm shkencor dhe është i vlefshëm për tu lexuar. Libri nuk njollos askënd përkundrazi ofron njohuri për ndërtimin e shtetit funksional dhe të një zhvillimi më të mirë social e ekonomik” tha Kadriu.

Flamur Hyseni ndërkaq duke folur për punën e tij afirmative si ekspert tha se nuk është lehtë të shkruash libër studimor sepse duhet kohë.”Unë kisha një mentor të mirë dhe një njeri që më udhëzoi për të gjitha temat që kisha trajtuar e shkruar” tha Hyseni.

Burim Haliti ndërkaq tha se libri i tij është një fushë e re dhe në dobi të institucioneve lokale.”Prokurimi publik ka një domethënie të veçantë në funksionimin e shtetit dhe është vlerë për të pasur e ndërtuar institucione demokratike” tha Haliti.

Për librin ka folur me mjaft emocione “patriotike” edhe Ndue Dodaj.

Autorët në fund u kanë dhuruar libra të interesuarve të shumtë./rajonipress/