Shtetet jofunksionale rrezikojnë stabilitetin e Ballkanit
Prishtinë – Funksionimi i dobët i shteteve ekzistuese dhe përpjekjet nacionaliste për ndarje etnike po e rrezikojnë sërish Ballkanin.
Pjesa më problematike e Evropës, aty ku edhe janë zhvilluar luftërat më të përgjakshme që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas instituteve dhe organizatave që merren me zhvillime politike në Kosovë, po rrezikon sërish stabilitetin, shkruan Koha Ditore e së dielës.Arsyet kryesore të këtij rrezikimi, sipas ekspertëve, janë mungesa e perspektivës konkrete evropiane që do të mundësonte funksionimin e shteteve shumetnike dhe do të kishte për efekt shuarjen e tendencave nacionaliste që po forcohen, e që kërkojnë shtete etnike.
Veriu i Kosovës, sipas hulumtuesve, mbetet hallka që mban të bashkuar Ballkanin, dhe rrëshqitja drejt konfliktit do të mund të niste nëse do të ndahej Kosova.
Efekti i ndarjes së Kosovës do të ndihej në Maqedoni, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Qipro dhe relativisht në Mal të Zi. Për të parandaluar skenarë të tillë, që nuk do të mund të kalonin pa dhunë, duhet vëmendje dhe investim ndërkombëtar.
Se Ballkani mund të rrëshqasë në dhunë, paralajmëron edhe Klubi për Politikë të Jashtme.
“Duket qartë se shtetet multietnike në Ballkan funksionojnë me probleme të mëdha. Në disa raste këto shtete janë jofunksionale dhe funksionojnë me shtete përbrenda shtetit. Këtu veçanërisht shquhen Bosnja, Kosova dhe Maqedonia. Ideja dominuese politike në Ballkan është krijimi i shteteve kombëtare dhe forcimi e konsolidimi i identiteteve kombëtare. Rrjedhimisht politikat shtetërore e kombëtare në Ballkan janë të drejtuara drejt krijimit të shteteve të tilla që d.m.th. mohuese dhe në kundërshtim me shtetin multietnik. Nëse këto politika vazhdojnë të forcohen dhe të marrin përkrahje, e kriza e euros (pra ekonomike) vazhdon të thellohet, Ballkani mund të rrëshqasë në dhunë dhe rrjedhimisht edhe në rikonfigurim të kufijve shtetërorë”, ka thënë Alban Bokshi, drejtor ekzekutiv në Klubin për Politike të Jashtme.
Ballkani, territori që zyrtarët e BE-së nuk po i referohen më me emrin e gadishullit, por si Evropa Juglindore, në përpjekje që me këtë sinonim të tregohet se vendet e kësaj ane janë gjeografikisht në Evropë dhe duhet të jenë pjesë edhe e Unionit Evropian, gjithmonë ka qenë multietnik. Por, shkatërrimi i ish-Jugosllavisë ka pasur për rezultat përplasje të përgjakshme ndëretnike. Tensionet dhe konfliktet nga e kaluara ende kanë mbetur në mendjet e njerëzve.
Drejtori i institutit KIPRED, Ilir Deda, ka tërhequr vëmendjen se zyrtarët ndërkombëtarë nuk po e kuptojnë rrezikun që po i kanoset gadishullit.
“Ballkani gjendet në një nga periudhat më jostabile në dekadën e fundit, dhe moskuptimin bazik të brishtësisë në rajon nga ana e bashkësisë ndërkombëtare… Çka ka dështuar është politika e mirëfilltë e integrimeve evropiane. Për këtë arsye në realitetin ekzistues në Ballkan – Evropa dhe NATO-ja nuk kanë alternativë, pasi që të gjithë në rajon janë ta paaftë të funksionojnë në paqe pa këtë perspektivë”, ka thënë Deda.
Problemet, sipas tij, nisin në Bosnjë – Hercegovinë për të vazhduar me Maqedoninë, që është vazhdimisht në tensione dhe për shkak të problemit të emrit nuk po mund të anëtarësohet në NATO.
“Serbia gjendet e gjunjëzuar përballë një krize të madhe ekonomike, me nacionalizëm të fortë, dhe me udhëheqje të paaftë që t`i zgjidhë problemet e shoqërisë serbe. Kjo udhëheqje ende e përqafon qasjen nacionaliste ndaj Kosovës dhe kërkon përkufizimin territorial të pjesës veriore të Kosovës, me anë të krijimit të rajonit të Kosovës Veriore”. Maqedonia, sipas tij, mbetet me tensione latente ndëretnike, me tentativë të krijimit të një identiteti fals të maqedonasve duke “huazuar” individë historikë nga pothuajse të gjithë fqinjët, gjë që i antagonizon të gjithë përreth.
“Gjithashtu Maqedonia gjendet në pamundësi të vazhdojë integrimet euroatlantike për shkak të problemit të emrit me Greqinë, e gjithashtu me rritje të dëshpërimit të popullatës shqiptare”, ka thënë Deda.
Sipas tij, Kosova po paguan çmimin e krijimit të një statusi të avancuar të pjesës veriore me qëllim që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, derisa Shqipëria nuk po mund ta ndërtojë një kulturë politike konsensuale, gjë që po e bllokon vendin drejt avancimit në BE.
“Përballë të gjitha këtyre sfidave të brendshme në shtetet e Ballkanit e kemi krizën ekonomike. Mungesa e një perspektive të prekshme evropiane dhe ngecjes së zhvillimit të rajonit, si dhe pamundësisë së BE-së për të bërë diçka në këtë drejtim për shkak të politikës së saj të jashtme të ndarë dhe problemeve ekonomike, mund ta sjellë Ballkanin në tensione të tilla e që kemi menduar se kanë përfunduar para më shumë se një dekade”, ka thënë Deda.
Prishtina dhe Beogradi pritet që nga vjeshta të nisin një dialog për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Zgjedhja e Tomislav Nikoliqit si president i Serbisë është interpretuar edhe si ardhje në pushtetin e Serbisë e rrymës nacionaliste që kërkon ndarjen e Kosovës.
“Ndarja e Kosovës domosdo do të ndikojë në shtetet e tjera në Ballkan e ndoshta edhe më gjerë. Do të ndahet Bosnja, Lugina e Preshevës do të kërkojë të bashkohet me Kosovën, do të ndahet Maqedonia, rrezikohet edhe qëndrueshmëria relative e Malit të Zi, ndoshta edhe hungarezët në Vojvodinë do të kërkonin ndarje, pastaj Qiproja do të mund të pësonte, e kështu me radhë. Prandaj besoj që BE-ja dhe SHBA-ja nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës përveç nëse do të ballafaqohemi me aso rrethanash (ekonomike e politike) të cilat nuk do të mund të kontrollohen”, ka paralajmëruar drejtori i KPJ-së, Alban Bokshi.
Një gjë e tillë, sipas drejtorit të KIPRED-it, Ilir Deda, do të parandalohet nga NATO-ja.
“Ndarjen e Kosovës e parandalon Maqedonia, saktësisht Ali Ahmeti, i cili është kundërshtari më i madh i këtij opsioni. Megjithatë, nëse vjen deri te ndarja e Kosovës, atëherë i gjithë Ballkani do të hyjë në ndarje dhe shpartallimin e tri shteteve ekzistuese, gjë që nuk mund të kalojë pa luftë dhe pa shpërngulje të popullatës, gjë që do ta rrënonte rajonin edhe më tej”, ka thënë Deda.
Efektin zinxhir që do ta prodhonte ndarja e Kosovës e ka paralajmëruar ditë më parë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel. Gjatë një ligjërate ambasadori Reichel ka thënë se fati i veriut të Kosovës nuk mund të izolohet nga rajonet e tjera të Ballkanit. Sipas tij, çdo ndryshim i kufijve të Kosovës do të kishte ndikim tek Lugina e Preshevës, Maqedonia dhe Bosnjë- Hercegovina.
“Në rastin e veriut të Kosovës është e qartë se nuk mund të jetë çështje e izoluar nga problemet e tjera. Nuk mund të izolohet veriu nga ndikimi në Luginën e Preshevës, nga çështja e shqiptarëve në Maqedoni dhe nga Republika Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Nëse i ndryshojmë kufijtë e Kosovës në bazat e kriterit etnik, krijohet një domino efekt në Ballkanin Perëndimor. Kur ka domino efekt, ky proces në zinxhir nuk do të përfundonte pa dhunë dhe vuajtje. Andaj bashkësia ndërkombëtarë është e bashkuar në kundërshtimin e ideve të ndryshimeve të kufijve në Ballkan mbi baza etnike”, ka thënë ambasadori Reichel.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, analisti amerikan Daniel Server ka paralajmëruar gjithashtu se Kosova dhe Ballkani kanë hyrë në një periudhë të rrezikshme të ndarjeve. Ai ka shpjeguar se sjelljet dhe gatishmëria e presidentit të ri të Serbisë, Tomislav Nikoliq, është që të krijojë ndarje. Ndarje që, sipas njohësit shumëvjeçar të Ballkanit, nuk do të bëhej vetëm në Kosovë, por do të ndizte një zjarr gjithandej nëpër Ballkan deri në Qipro.