Eko Higjiena

Shtetësia dhe loja e Frankenshtajnit!

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Milaim Shefkiu – Qeveria e Serbisë po vazhdon në vijimësi të bëjë eksperimente me shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke aplikuar praktika të ndryshme të dhunës psikike e politike ndaj shqiptarëve etnikë në komunat e Kosovës Lindore.

Derisa gjahu ndaj ish-guerilëve të UÇK-së dhe UÇPMB-së u zbatua me sukses, Serbia vazhdoi me një plan tjetër. Ajo shtoi numrin e xhandarëve në Luginë, forcoi kufirin me Kosovën, ngriti taksa kufitare më të shtrenjtat në Evropë dhe përditë vazhdoi të shtrëngojë hallkat rreth qafës, me idenë që t’i detyrojë shqiptarët të ikin nga Lugina.

Prishtina dhe Tirana, ndërkaq si zakonisht, po vazhdojnë të bëjnë sehir, shikojnë nga distanca shfaqjen teatrale si spektatorët e një drame tragjikomike.

Aksioni i fundit i Beogradit është marrja e njëanshme e shtetësisë shqiptarëve që jetojnë përkohësisht në Kosovë dhe në diasporë. Madje pa paralajmërim.

Disa qytetarëve u ka ndodhur që duke shkuar në Luginë, në pikën kufitare gjatë kontrollit të dokumenteve u është kumtuar nga policia se nuk posedojnë më nënshtetësi të Serbisë. Këtë (nënshtetësinë) ata e kanë humbur se viteve të fundit nuk jetojnë në Luginë, por në Kosovë.

Kjo praktikë e re e Beogradit, shihet nga qielli se ka për qëllim që të pakësojë edhe më shumë numrin e shqiptarëve kryesisht në Komunën e Bujanocit, që në zgjedhjet e ardhshme ose ato pasuese, t’i fitojnë serbët dhe komuna të administrohet nga ta.

UBT

Por, nuk është vetëm kjo e keqe që vjen nga Beogradi. E keqja dhe më e dhimbshmja është se në këtë lojë të Frankenshtajnit, nuk po merret as Kosova e as Shqipëria. Derisa këto dy qendra e kanë parë të arsyeshme se qëndrimi i shqiptarëve në Luginë është i domosdoshëm për të ruajtur etninë kombëtare atje, atëherë duhet të reagojnë për këtë marrje të shtetësisë.

Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka disa vite që nuk u jep shtetësisë vajzave kosovare që martohen në Luginë, me arsyen se ata nuk jetojnë atje. Kjo çështje u konsiderua shqetësuese, sepse Serbia shkeli konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Meqë, për këtë nuk mori asnjë dënim, Beogradi shkoi një hap më tej, filloi t’ua marrë shtetësinë edhe shqiptarëve që kanë lindur e janë rritur aty, por që kanë migruar jashtë vendit, me justifikimin se kohën e fundit nuk jetojnë në Luginë.

Marrëzi tipike…!

Ndërsa paradoksi ndodhi kur Kuvendi i Kosovës, disa javë më parë, miratoi një ligj për shtetësinë e Kosovës, i cili ua njeh të drejtën për shtetësi të gjithë shtetasve të ish-Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, të cilët kanë jetuar në Kosovë deri më 1 janar 2008. Pra ua njeh shtetësinë edhe atyre kolonëve të cilët Millosheviqi i solli nga Kroacia, Bosnja, Shqipëria e Serbia, andaj për këtë serbët flasin tash për qindra mijëra votues serbë në zgjedhjet e ardhshme. Derisa Kosova tregohet shpirtgjerë me serbët, Serbia tregon të kundërtën.

Po ashtu, lëshimi tjetër i Prishtinës është se në bisedimet Kosovë-Serbi, është marrë vendim që komunat serbe të caktojnë vetë komandantin e Policisë në komunën ku ata jetojnë. Ndërsa në Bujanoc ku shqiptarët përbëjnë shumicën, mbi 65 për qind, komandantin e Policisë e cakton Beogradi. Madje është komandanti rajonal i Policisë i cili e aprovon apo projekton marrjen e shtetësisë për shqiptarët.

Nëse Kosova me trysninë e Bashkimit Evropian lejon këtë të drejtë për serbët, pse nuk e aplikon të njëjtën edhe për shqiptarët. Në këtë lojë shihet se të gjithë po luajnë me hile, edhe Prishtina, edhe Beogradi edhe Brukseli. Nëse shteti nuk i pranon banorët e vet si pjesë e tyre, kjo tregon se ka anomali të pashërueshme. Nëse njëri shtet ta merr nënshtetësinë, tjetri nuk të jep, atëherë atyre që u shkon goja dhe prapanica “pozhar” nga ushqimi pikant, janë shqiptarët e Kosovës Lindore.