Shtetas kosovarë dhe serbë, së bashku në hajni

Jo larg nga vendet ku janë kryer vjedhjet, gjegjësisht në lumin Aare, në Trimbach, policia ka gjetur të fundosur tre automobila.
Një grup prej dy shtetasish kosovar edhe një shtetasi serb është kapur nga policia kantonale e Solothurnit pas nje kohe të gjatë që po përcillej nga organet e rendit.
Grabitjet dhe vjedhjet në shitoret e pompave të benzinës, në kioske dhe filiale të Denner-it, kanë qenë veprat penale që i ngarkohen këtij grupi, të kryera nga janari deri në qershor të vitit 2012. Në këto raste ata kanë vjedhur kryesisht cigare dhe tiketa të lojërave shpërblyese.
Një veçanti e këtij grupi konsiston në mënyrën e thyerjes së dyerve të objekteve që kanë sulmuar. Për këtë qëllim ata kanë përdorur disa herë pllaka betoni të kopshteve, të sjella me vete.
Pas hetimeve të gjera paraprake, policia kantonale e Solothurnit i ka arrestuar në qershorin e vitit të kaluar tre personat e dyshuar. Të arrestuarit, dy shtetas kosovarë dhe një shtetas serb janë të moshave në mes 22, 28 dhe 40 vjeçare.
Organet policore në bashkëveprim me prokurorinë publike të Solothurnit kanë konstatuar se ky grup mund të ketë kryer 12 grabitje me vjedhje në përbërje të ndryshme. Ndërsa të dyshuarit kryesor, 28 vjeçarit i ngarkohen veç këtyre edhe një numër vjedhjesh me grabitje nëpër garazhe, të kryera në vitet 2010-2011 dhe një tentim rrëmbimi.
E veçanta tjetër e këtij grupi është ajo se jo larg nga vendet ku janë kryer vjedhjet, gjegjësisht në lumin Aare, në Trimbach, policia ka gjetur të fundosur tre automobila. Ajo ka konstatuar se ata i kanë hedhur në ujë pasi që i kishin shfrytëzuar për rastet e vjedhjeve.
Vlera e mallit të vjedhur nga grupi është rreth 100 mijë franga ndërsa dëmi i shkaktar 50 mijë franga.(albinfo)