Shtet i matrapazëve e demagogëve
Nga Enis Veliu – Dikur burra e të rinj shtyheshin për të shkuar në Rusi te Behgjet Pacolli. Ky dhe kompania e tij kanë ditur të ndërtojnë tokat e huaja. Dhe më vonë, kosovarët dëgjonin tek u thoshin se pikërisht kjo kompani do ta bëjë Kosovën.
U tha se mbi 3000 punëtorë të kompanisë “Mabetex”, pjesa e dërmuese e tyre shqiptarë, kanë restauruar Kremlinin në Rusi.Po kaq, ndoshta edhe më shumë, kanë ndërtuar qytete të tëra në Kazakistan, por edhe vende të ndryshme të botës.
Këto fjalë e shifra, nëse iu kujtohet janë përdorur gjatë fushatës parazgjedhore nga presidenti i Aleancës Kosova e Re.Nëse është për t’i besuar këtij, shqiptarët, punëtorë të kompanisë së tij, kanë bërë mrekulli me punën e tyre në shumë shtete e vende të ndryshme të botës në ndërtimin e objekteve të veçanta, kryesisht me karakter rezidencial e afarist.
Por, disa vite më vonë, doli njëri që po i demanton të dhënat e promovuara dhe dëshmuara më parë.Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, po vlerëson se largimi i të rinjve nëpërmes rrugëve ilegale drejt shteteve evropiane po bëhet jo nga papunësia, por nga mosdëshira për të punuar në Kosovë.
Një vlerësim pak i çuditshëm dhe i habitshëm i kreut të OEK-ut.
Por, me apo pa dashje vlerësimi i kreut të OEK-ut ofendon rëndë të rinjtë kosovarë, dëmton Kosovën në aspektin ekonomik, si dhe njollos edhe më shumë institucionin që ai drejton.
Në krye të Odës Ekonomike, Gërxhaliu nuk ka ardhur falë një procesi fer, por falë përkrahjes së fuqishme që ai në atë kohë ka pasur nga Besim Beqaj, i cili tashmë është ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës.
E dimë secili se ai dhe të tjerë si ky nuk e kanë idenë se cila është ndjenja e të aplikuarit nëpër konkurse publike. Nëse është fjalori, oratoria boshe, si barometër për ta matur dijen, apo punën, pa dyshimit se Gërxhaliu do të ishte njeriu më i merituar në këtë vend, por fatkeqësisht për pozitën që ai drejton duhen punë dhe dëshmi, që kohët e fundit nuk po vërehen fare.
Ditë më parë para opinionit kreu i OEK-ut shfaqi edhe një ankesë të habitshme. Gërxhaliu u ankua para mediave se atë nuk po e do as biznesi, por as politika dhe asnjëra prej tyre nuk po i ofron përkrahje për t’i çuar para proceset.
Por, para se Gërxhaliu të hedhë kritika për rininë kosovare, ai duhet t’ia bëjë një pyetje vetes se kë e përfaqëson ai, cili është roli dhe misioni tij, dhe duhet t’i tregojë publikisht opinionit se kush e solli atë në pozitën që mban tash. Realiteti edhe pse i hidhur nuk ndryshon, sa do që njerëzit mundohen ta bëjnë një gjë të tillë.
Është veprim i gabuar i tij, që mllefin që ka ndaj bizneseve dhe politikës ta shfryjë në rininë kosovare, që vlerësohet si aseti më i vlefshëm i këtij shteti. Në momentin që e ka dhënë këtë vlerësim, duket se ka harruar se kë e përfaqëson.
Si duket deklarata e kryetarit të OEK-ut, është në vazhdën e kampanjave që OEK-u po bën kundër rinisë kosovare, të cilën tashmë ai edhe publikisht po e ofendon.Institucioni që drejton Gërxhaliu para pak ditësh përmes nënshkrimit të peticionit, doli në mbrojtje të 4-5 kompanive që importojnë duhan në vendin tonë.
Iu çjerr zëri duke u mundur që t’i mbrojë ata në kërkesat e tyre për ndryshimin e ligjit në pjesën ku bëhet fjalë për ekspozimin e duhanit brenda hapësirave të marketeve. Por, në anën tjetër, ai nuk e çau kokën për pjesët tjera të ligjit.Gërxhaliu nuk u lodh të merret fare me kërkesat e shoqatës së kafeneve që janë punëdhënësit më të mëdhenj në sektorin privat në Kosovë. Por, me këto veprime po dëshmohet se për dikë paraja është zot.
Por, nuk ishte vetëm Gërxhaliu që u mor me largimin ilegal të të rinjve nga Kosova. Zëshëm në këtë drejtim ishte edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, por edhe lideri i opozitës Ramush Haradinaj.
Që të dy kritikonin të rinjtë për veprimet që ata po i marrin, e që në anën tjetër po e dëmtojnë shtetin në rrugën drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane.
Kërkesa e ministres do të ishte e sinqertë, po të mos dihej se ajo bën jetë luksi dhe se shpenzimet e saj kalojnë për disa fish shpenzimet normale të një familjeje kosovare. Do të ishte shumë më normale po qe se një pjesë të tyre do t’ua kishte ndarë atyre familjeve që po luftojnë çdo ditë për ekzistencë, dhe pikërisht nga këto familje, dalin të rinjtë që po emigrojnë ilegalisht.
Por, për këta ministrja nuk e çan kokën. Ajo në vazhdimësi është pjesë e lokaleve luksoze. Miqtë e saj gjithmonë e kanë pohuar se vera e shtrenjtë është pjesë e tryezave ditore kur aty gjendet ministrja Çitaku.
Është e pandershme në kuptimin moral të akuzosh dikë që emigron për bukë, e në anën tjetër ju abuzoni me bukën dhe djersën e tyre. Sa orë ministrja qëndron në restorante e kafene, vetura e saj rri e ndezur. Ka edhe shumë detaje tjera. Por, këto dyja janë të mjaftueshme për ta pasqyruar karakterin real të ministres Çitaku.
Irrituese dhe ofenduese për të rinjtë që po emigrojnë ilegalisht, ishte edhe deklarata e kreut të opozitës Ramush Haradinaj, pasi që ajo erdhi pikërisht në ditën kur lideri i opozitës organizoi një dasmë impozante në shenjë të përvjetorit të martesës. Ceremonia e përvjetorit të martesës dhe ditëlindjes Haradinajt i kushtoi më shumë se 20 mijë euro, e që është e barabartë me 70 paga mesatare në Kosovë.
Haradinaj edhe më tutje organizon ceremoni të mëdha private edhe pse zyrtarisht është i papunë. Ai shpenzon para, edhe pse aktualisht nuk është duke i fituar ato.
E fatkeqësisht këtë fat të tij, nuk e kanë edhe të rinjtë që emigrimin nga vendi e shohin si të vetmen shpresë për të ardhmen e tyre.Haradinaj e shumë të tjerë si ai, e nisin ditën me puro e premium Wisky, ndërkaq shumë nga të rinjtë nuk kanë mundësi që të freskohen bile as me një pije vendore “RC Cola”.
Kritikat e juaja do të ishin të ndershme moralisht, po qe se edhe ju do të solidarizoheshit me të rinjtë e shtetit që nuk mund t’i ngijë bukë. Por, kërkesat e thirrjet tuaja janë të papranueshme, kur ju bëni jetë luksoze evropiane në shtetin ku pjesa dërrmuese e qytetarëve bën jetë afrikane.


