Shtatë të arrestuar në Gjilan e Prishtinë për “kontrabandë me migrantë”

Të enjten, duke filluar nga orët e hershme të mëngjesit, Njësia e Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare në Prishtinë, me asistimin e njësive tjera policore, ka realizuar një operacion policor në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, me ç’rast janë bastisur shtatë lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës e Gjilanit, me ç’rast janë arrestuar shtatë persona, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepra penale ‘kontrabandë me migrantë’ dhe ‘falsifikim i dokumenteve’.
Sipas njoftimit të PK-së, personat e arrestuar janë: F. K., B. B., S. E., F. K., F. K., Sh. A. dhe Q. B.
Bazuar në hetimet preliminare dyshohet se këta persona, në bashkëveprim dhe në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material, kanë siguruar dhe rregulluar dokumente të ndryshme false, kryesisht pasaporta, viza dhe letërnjoftime të shteteve të ndryshme të Evropës.
Gjatë bastisjes janë gjetur dy punëtori për prodhimin dhe fabrikimin e dokumenteve false dhe janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale aparatura e materiale të ndryshme për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve, dhjetëra vula dhe mostra të vulave, dokumente të shumta që dyshohet të janë të falsifikuara, si pasaporta, viza, letërnjoftime, certifikata dhe formularë të ndryshëm.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer me autorizim të prokurorit përkatës dhe të arrestuarit janë dërguar në mbajtje./rajonipress/