Shqiptari vret të shoqin e dashnores së tij italiane, burg i përjetshëm për të dy
Gjykata e landit në Saarbrücken ka dënuar të martën me burg të përjetshëm një grua italiane 33 vjeçe dhe dashnorin e saj, një shqiptar 31 vjeç pasi i ka gjetur fajtorë për vrasjen e bashkëshortit 38 vjeçar të italianes.
Dy të dënuarit ishin njohur në vitin 2012 përmes internetit. Shqiptari pastaj ishte shpërngulur në Gjermani, në Sulzbach ku italiania jetonte. Në mes tyre lind një lidhje dashurie, por ajo pengohej nga gjendja familjare e gruas: ajo kishte katër fëmijë me burrin e saj, një shtëpi të blerë rishtas dhe borxhe të përbashkëta.
Veç kësaj ajo sikurse edhe bashkëshorti, vinin nga Sicilia, ku mbretërojnë rregulla të ashpra sa i përket jetës familjare.
Por gruaja dëshironte që me çdo kusht të jetojë së bashku me të dashurin e saj të ri. Nga kjo lindi “një dramë dashurie me përfundim tragjik”, thotë prokurori.
Në verë të vitit 2013, tre fëmijët e mëdhenj ndodheshin në Itali, gruaja me bashkëshortin dhe foshnjën ishin në shtëpi, në Gjermani. Pasi që bashkëshorti kishte fjetur meqë të nesërmen duhej të zgjohej herët, gruaja ia kishte hapur derën dashnorit i cili kishte hyre në dhomën e gjumit. Aty e kishte goditur disa herë dhe në fund e kishte mbajtur të ngufatur derisa viktima kishte vdekur. Gjatë gjithë kohës gruaja me foshnjën po qëndronin në dhomën e fëmijëve.
Pas kryerjes së krimit, dy të akuzuarit kishin ndezur nga një cigare dhe kishin biseduar për veprimin e mëtejshëm. Ishin marrë vesh që të deklaronin se viktima ishte vrarë nga persona të tjerë, të panjohur, shkruan saarbrückenzeitung. Kështu, ata e zhveshin viktimën, e hipin në automobil dhe e çojnë në një pyll të afërm. Atje kufoma zbulohet pas disa ditësh nga shëtitës të rastit.
Gruaja e cila nuk ka pranuar të deklarohej para trupit gjykues, është paraqitur se nuk di asgjë për rastin. Ndërsa shqiptari ka pranuar se ka qenë në shtëpinë e viktimës dhe ka pasur konflikt me të. Por, ai ka kundërshtuar vendosmërisht dhe deri në fund që të ketë pasur synim ta vriste atë.
albinfo.ch


