UBT

Shqiptarët përpara

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

E teta e finales së Botërorit nuk do t’i shohë gjigantët si: Spanja, Italia, Anglia apo Portugalia, por do të jetë e “mbushur” me futbollistë shqiptarë.

Shtatë “ambasadorët” e vendit tonë kanë depërtuar në fazën eliminuese me tri vendet që i përfaqësojnë ata, Zvicra, Belgjika e Gjermania.

Pa dyshim, ky është suksesi më i madh i arritur nga futbollistët shqiptarë, përkundër faktit se Shqipëria e Kosova nuk janë pjesë e evenimentit prestigjioz, i cili po mbahet në Brazil.

Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Shkodran Mustafi e Adnan Januzaj, do ta kenë rastin ta shijojnë edhe ndjesinë e tetës së finales derisa ekipet tjera të mëdha, që u eliminuan, mund t’i shohin ata vetëm përmes televizorit.

Shqiptarët, vendimtarë te Zvicra

Nëse Zvicra e preu një biletë për t’u gjendur në mesin e 16 ekipeve më të mira të Botërorit, pa dyshim se meritat kryesore i kanë futbollistët shqiptarë. Nga shtatë golat se i realizoi ekipi i Ottmar Hitzfeldit, gjashtë prej tyre flasin shqip.

Admir Mehmedi kontribuoi në fitoren e parë ndaj Ekuadorit, duke u futur në lojë në pjesën e dytë dhe duke shënuar me kokë, ndërsa Valon Behrami mori merita edhe më të mëdha, pas ndërhyrjes brilante në çastet e fundit, për ta shndërruar më pas atë aksion në golin e fitores së Helvetikëve. Në duelin e dytë, përkundër humbjes 5:2 nga Franca, ata që e zbutën sadopak katastrofën ishin dy shqiptarë: Blerim Xhemajli dhe Granit Xhaka, që e shënuan nga një gol.

E ajka ishte rezervuar për ndeshjen e fundit, atë ndaj Hondurasit. Për të dhuruar spektakël dhe për ta çuar Zvicrën në të tetën e finales u përkujdes Xherdan Shaqiri.

UBT

“Messi i Zvicrës”, siç kanë filluar ta quajnë, realizoi “hat-trick”, të 50-in në histori të Botërorëve, duke u bërë shqiptari i parë në histori që shënon tre gola në një ndeshje, në një eveniment si Botërori. Gjithsesi, Zvicra është në duar të shqiptarëve, me shpresën që do ta bëjë mrekullinë ndaj kundërshtarit të radhës, Argjentinës së Messit.

Fatlumi Mustafi

Shkodran Mustafi u tregua mjaft fatlum. Fillimisht, e siguroi një ftesë për Botëror vetëm falë lëndimit të Marco Reus, për të debutuar më pas me Gjermaninë, duke iu falënderuar lëndimit të mbrojtësit, Mats Hummels, në ndeshje me Portugalinë. Ai luajti në pjesën e dytë edhe ndaj Ganës, ndërsa qëndroi në bankinë në duelin e fundit me SHBA-të.

Në bazë të ekipit që e përfaqëson, futbollisti shqiptar nga Maqedonia, i ka gjasat të shkojë më së largu këtë Botëror, me ose pa kontributin e tij. Gjermanët do të luajnë me Algjerinë në fazën tjetër.

Debutimi i Januzajt

I fundit që e shijoi debutimin në Botëror ishte Adnan Januzaj. Mesfushori kosovar luajti një orë në fitoren 1:0 ndaj Koresë së Jugut, pasi Belgjika e kishte siguruar më herët kualifikimin. Edhe ylli i ri i Manchester Unitedit do ta ketë rastin ta shijojë të tetën e finales, edhe pse nuk është e sigurt nëse do t’i jepet rasti në ndeshjet e vështira që e presin tash e tutje ekipin e Marc Wilmots. Në të tetën e finales, Belgjika do të luajë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Paraqitjet impresionuese të futbollistëve shqiptarë kanë bërë që ata të bëhen objektiva gjigantë të futbollit evropian dhe ka mundësi reale që gjatë verës ta ndërrojnë mjedisin./zeri/