Shqiptarët, një popull i mrekullueshëm
Irina Boeva, bukuroshja nga Moldavia, është fituesja e edicionit të dytë të spektaklit tashmë tradicional dhe me karakter ndërkombëtar “Miss Freedom of the World” që këtë vit është mbajtur në Prizren.
Në këtë garë të organizuar nga Shpejtim Zejneli morën pjesë 24 bukuroshe që përfaqësuan shtetet e tyre dhe në mesin e më të bukurave u rëndit Irina. Përcjellësja e parë është shpallur Eugenia de Pina nga Angola, ndërkaq Miss Press është shpallur Ivona Vraniçic bukuroshja nga Kroacia.
Irina për herë të parë mori pjesë në një garë bukurie të organizuar në Kosovë dhe për këtë ajo ndjehet mjaft e lumtur, sepse përshtypja që kishte pasur më parë për Kosovën nuk kishte korresponduar me realitetin dhe tani meqë ndodhej në Kosovë ajo fitoi bindje tjetër. Për më shumë rreth kësaj pjesëmarrjeje dhe më gjerë, flet Irina për “Zëri”.
Kush është Irina Boeva?
Unë kam lindur në Moldavi, jam 22 vjeçare, peshoj 56 kg, dhe gjatësi 1.75 Cm. Studimet i kam përfunduar në Turqi në drejtimin ekonomik, dhe në fushën e muzikës. Muzika dhe profesioni i ekonomistes janë dy drejtime të ndryshme por që mua më pëlqejnë shumë.
Je fituese e “Miss Freedom of the World”, si ndjeheni?
Jam shumë e lumtur që për herë të parë ndodhem në Kosovë dhe për herë të parë fitova një çmim të madh në një vend me njerëz të mirë. “Miss Freedom of the World” më dha një përvojë të mirë, në realitet më dha njohuri mbi një vend që nuk kisha menduar më parë se është kështu. Jam njohur me 23 bukuroshe nga shtete të ndryshme të botës dhe prej të gjithave kam mësuar nga pak kulturën e tyre.
Para se të vije në Kosovë cilat ishin përshtypjet tuaja?
Të them të drejtën shoqëria ime dhe të afërmit e mi më thoshin se Kosova është një vend i dalë nga lufta dhe jo shumë i zhvilluar. Mbase edhe kisha një lloj frike, mirëpo me të arritur në Aeroportin e Prishtinës, pash se nuk ishte ashtu siç më thoshin njerëzit në Moldavi. Këtu gjeta njerëz shumë të mirë, të afërt dhe të sinqertë. Pritja e tyre më ka bërë të ndjehem si një mbretëreshë.
Kujt ia dedikon këtë çmim?
Çmimin ia dedikoj familjes, falënderoj ata për mbështetjen që ma kanë dhënë dhe shoqërinë time të cilët më kanë mbështetur në fushën e modelimit. Por natyrisht se këtë çmim ma dhanë një juri profesionale dhe një popull i mrekullueshëm siç janë shqiptarët e Kosovës.
Çfarë të ka pëlqyer më shumë në Kosovë?
Më kanë pëlqyer shumë njerëzit, është ëndërr e imja që të jem përsëri në Kosovë dhe çmimi i madh në festën e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë do të më mbetet përherë në zemrën time. Kjo është një fitore e madhe jo vetëm për mua por për tërë shtetin e Moldavisë.
Mediat moldave kanë shkruar rreth triumfit tënd në vendin tonë, mund të ndikojë kjo që Moldavia ta pranojë pavarësinë e Kosovës?
Shpresoj që Moldavia ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur. Do të loboj te presidenti i Moldavisë, edhe mediat atje kanë shkruar për pjesëmarrjen time si përfaqësuese e shtetit të Moldavisë në garën “Miss Freedom of the World” të mbajtur në Kosovë dhe kjo ka ndikuar bukur shumë për të lobuar. Por unë përsëri do të vazhdoj me lobimin dhe synimi im është që Moldavia ta pranoj Kosovën shtet.
Do të doje të bëheshe nuse e Kosovës?
(Qesh) Këtë nuk e di, sepse kjo varet nga Zoti i cili na e cakton fatin e jetës. Por ajo që më ka bërë përshtypje këtu në Kosovë janë djemtë e bukur. Në realitet dëshira ime është që të dashurin ta kem në Moldavi, por nëse Zoti e ka shkruar që të jetë në Kosovë patjetër se do të ambientohem. E rëndësishme është që të jetoj mirë, të gjej një dashuri të pastër dhe të sinqertë qoftë në Kosovë apo në Moldavi.
Tash çfarë planesh ke?
Me këtë çmim që mora këtu në Kosovë më janë hapur shumë rrugë. Tani do të jem pjesë e “Fashion TV” në spektaklin “Miss Fashion TV” që do të mbahet në Paris. Do ta përfaqësoj Moldavinë edhe në disa evenimente në botë. Këtu kam marrë disa oferta për kalendar të vitit 2013 në Turqi. Dhe kam fituar një ofertë të punës si modele në Turqi.