Mobi Casa

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për një platformë të përbashkët politike

/ 11 minuta lexim
KKVITI

Nga Emin Azemi – Fuqia politike e faktorit vendimarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur falë mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.

Shqiptarët e Maqedonisë erdhën këtu ku erdhën, jo pse dikush ua imponoi tëhuajsimin (heqjen dorë) nga platforma (e munguar)e tyre e përbashkët politike, por pse ata (elita politike) projektoi si prioritet bashkëpunimin politik me faktorët maqedonas para bashkërendimit brendashqiptar.

Pra, kjo gjendje që është krijuar tani së fundmi, pas bilancit zgjedhor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura ditën e diel, e ka edhe parahistorinë e vet dhe gjithkush që mundohet të shpikë ndonjë pistë tjetër të kërkimit të shkaqeve dhe arsyeve se pse po ndodhë ky konfuzitet politik te shqiptarët e Maqedonisë, vetëm sa e vonon procesin e diagnostifikimit të kësaj gjendjeje.

Të fillojmë nga e para. Sindromi i zgjatimit në politikë, nuk është fenomen i panjohur, por kur ai shndërrohet në doktrinë ka rrezik që të bëhet pengesë për zhvillimin normal të ideve dhe platformave autentike e origjinale.
Shqiptarët në Maqedoni çuditërisht prej vitesh e kanë kultivuar këtë sindrom dhe ai ka ardhur duke u zhvilluar në përmasat e një nyje që padrejtësisht ka bllokuar kapilarizimin e jetës politike. Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor, ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vazaliteti të pakuptimt.

Pastaj, shkëputja e Maqedonisë nga ish Federate Jugosllave nuk kaloi pa pasoja edhe në mendësinë politike të shqiptarëve. Në emër të organizimit autokton e autentik të jetës politike, shqiptarët e Maqedonisë u larguan bukur shumë nga idetë pak a shumë panshqiptare, dhe kjo nuk mbeti pa u reflektuar pastaj në marrëdhëniet politike e institucionale me maqedonasit.
Prishtina si qendër, që për vite të tëra nuk shkolloi vetëm profesor, mjekë, inxhinjer shqiptar nga Maqedonia, por krijoi parakushte edhe për një pikë referuese të zhvillimeve të shumta në politikë dhe përgjithësisht në jetën kombëtare , gradualisht dhe naivisht filloi të zëvendësohet nga Tetova. Kjo e fundit arriti të grumbulloj partiakisht trurin e shqiptarëve, por jo edhe të ridimensionojë fuqinë ndikuese të intelektualëve në politikë, siç e bëri Prishta me dekada të tëra. Kjo qasje tepër e ngusht që kishte për bazë ekskluzivisht përshtatshmërinë dhe dëgjueshmërinë partiake në dëm të kapaciteteve intelektuale e krijuese shqiptare, kryeisisht atyre të shkolluar në Prishtinë, i bëri dëm të pariparueshëm politikbërjes shqiptare në Maqedoni.

Kjo zhveshje e politikës nga bagazhi intelektual i ndihmoi procesit të degradimit të ideve nga niveli i shteformimit në skema koniukturale që kushtëzoheshin prej marrëdhënieve politike të partneritetit shqiptaro-maqedon brenda koalicioneve bashkëqeverisëse. Një skematizim i tillë i organizimit politik të shqiptarëve, solli surrogate të papëlqyeshme të teknologjisë së pushtetbërjes, duke nxjerë në pah pragmatizmin partiak para kauzave afatgjate kombëtare.

Dy opcionet dominante maqedonase që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM, me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opcione dhe për pasojë politikbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicjes së pashpjeguar për ‘’bashkëshortësi’’ të përjetshme me këto 2 parti kontradiktore maqedonase.

Sikur pasojat negative të reduktoheshin vetëm në suaza të mendësisë politike, dëmi do të ishte shumëfish më i vogël, por ndodhi që kjo mendësi të shërbejë së letër lakmusi dhe të shtrihet si një lavë e rrezikshme në gjithë shoqërinë shqiptare, duke e bërë ndarjen edhe më të madhe në mes të shqiptarëve që filluan të identifikohen, jo sipas afiniteve intelektuale e krijuese, por në bazë të dostave dhe kumbarëve të tyre maqedonas. Pra, shumë shpejt shqiptarët e Maqedonisë tifozllëkun dhe animozitetin e fshehur ndaj partive maqedone filluan t’i shprehin përmes, gjoja, kritikave të tyre drejtuar njërës apo tjetrës parti shqiptare, për të përfunduar në një përqafim të hapur të opcioneve maqedone, siç ndodhi tash së fundi me rrjedhjen kaq erozive të votave të shqiptarëve në ‘’kavanozin’’ politik të Zoran Zaevit.

Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendenceva etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe Diapsorë .

Shqiptarëve të Maqedonisë iu nevoitet jo më shumë se dy opcione politike por brenda një fronti të madh veprimi e mendimi, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone të cilat ende shkëlqimin e tyre e masin me errësirën e sinkopave shqiptare.

Përçarjet dhe armiqësitë brendashqiptare në Maqedoni po ndodhin në kohën kur këtu mëhalla politike ka peshë më të madhe se çfarë do lloj bashkërendimi për çështje të caktuara, jo vetëm politike. Që të pengohet ky provincializim i mëtejm i politikës, shqiptarëve të Maqedonisë iu nevoitet përfundimisht një koncentrim i vullnetit politik përmes një PLATFORME ETË VETME POLITIKE e cila në të ardhmen (jo si tani) do t’iu mundësonte zgjedhjen e mbi 30 deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë.

LEXO: Tension para selisë së KSHZ-së, forca të shumta policore në Shkup (Video/Foto)
Fuqia politike e faktorit vendimarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur falë mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.

Deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare , fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase, për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar. Tani, është momenti që jo të ndodhë, por duke krijuar paraprakisht një ambient me afinitete pak a shumë të përbashkëta brendakombëtare.

Hidromorava

Deri më tani nuk ka ndodhur që partia më e madhe politike shqiptare që ka dalur e para në zgjedhje, të ketë përfshi në platformën e saj (bashkë)qeverisëse edhe ndonë gjetje interesante nga platformat e partive tjera simotra shqiptare në Maqedoni. Por, tani është momenti që që kjo të bëhet.

Deri më tani, partitë shqiptare që ia kanë mësyer pushtetit, nuk e kanë provuar të sjellin edhe kuadro të përgatitur nga diaspora, të cilët do të ishin një krenari kombëtare dhe një shkëlqim që do të errësonte mitin sllav për “shqiptarin e paaft të bëj shtet”. Pikërisht tani është momenti që t’u tregohet maqedonasve sensi i vërtetë i konkurrencës intelektuale e profesionale edhe me kuadro të përgatitur në Perendim, të cilët do të ishin antipodi i kuadrove me diploma të paisur shpejt e shpejt.

Dimensioni i pushtetit nga partitë politike shqiptare në Maqedoni është kuptuar si luftë për “jetë a vdekje”, por edhe si përjashtim arbitrar i çfarëdo lloj bashkëpunimi me ndonjë forcë oponente shqiptare për çështje të caktuara, prandaj kryeministrat maqedonas e kanë patur gjithmonë opcionin rezervë të “partnerit që pret prapa dere”. Fatkeqësisht, në raste të caktuara ky truk i tyre ka dhënë edhe rezultate, kurse ajo që asnjëherë nuk arriti të projektohet në kauzë nga shqiptarët është pamundësia e krijimit të kontesteve të mëdha institucionale, qoftë përmes mospjesëmarrjes në krijimin e kabinteve qeveritare, qoftë duke imponuar dekalogje që do të shprehnin afinitet politike të gjithë spektrit politik e civil të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në një ambient pak a shumë të acaruar, ku edhe gazetarët, analistët, e opinionisët e ndryshëm kanë përjashtuar nga observimet e tyre sensin për të gjetur pikat që i bashkojnë interesat shqiptare në Maqedoni, është vështirë të krijohen shtigje që do të shpienin në një mirëkuptim brendakombëtar, aq më tepër kur antagonizmat nuk shikohen gjithmonë në prizmin e ideve, por të individëve.

Megjithatë, befasia më e madhe ndodhë në politikë dhe shqiptarët zakonisht befasitë i kanë pritur me një doze skepticizmi, dhe në të shumtën e herave ato janë përcejllur me të panjohurën, si akces perceptimi. Fundja, a ka patur befasi më të madhe se koalicionimi në mes të PDSH dhe VMRO-DPMNE në vitin 1998? Pastaj, kush ka besuar se ish-guerilët shqiptarë do të bënin më vonë koalicion me partinë që ishte në konflikt të hapur ushtarak në vitin 2001. Tytat e dikurshme të kthyera kundër njëri tjetrit, më vonë u transformuan në kapituj të pambaruar të projekteve bashkëqeverisëse.

Nëse edhe më tej befasia do të vazhdonte të mos përjashtohet nga zanati i politikës, atëherë pse të mos mendojmë drejt dhe me këmbë të mbarë të propozojmë krijimin e një PLATFORME TË PËRBASHKËT SHQIPTARE pas zgjdhjeve të jashtëzakonshme që përfunduan të dielen. Kur shqiptarët kanë mundur të bëjnë koalicion me ata që kanë bërë edhe luftë, pse kjo spo mundtka të ndodhë në mes të tyre dhe për interes vetëm të tyre.

Çka do të përfitonin shqiptarët në Maqedoni nëse krijohet një PLATFORMË E PËRBASHKËT SHQIPTARE, me kusht që ajo të amortizoj deri në maksimum përçarjet dhe fragmentimet brenashqiptare.

E para, vota shqiptare në të ardhmen do të fitonte në peshë si asnjëherë më parë dhe kjo fuqi politike do të prodhonte një përqindje të konsiderueshme mandatesh në Parlament, i cili do të përcaktonte drejtpeshimin politik brenda dhe jashtë Parlamentit;

E dyta, doktrina politike e shqiptarëve të Maqedonisë do të kishte një adresë ku do të fokusoheshin problematikat aktuale dhe ato që duhet të zgjidhen në të ardhmen, duke filluar nga statusi i gjuhës, e deri te një ndarje e re administrative sipas interesave ekonomike, kulturore e sociale e territorit të Maqedonisë;

E treta, fuqia negociuese e shqiptarëve me faktorin politik maqedonas do të ridimensionohej në një performancë efikase përfaqësimi, duke përfshirë interesat e gjithë spektrit politik shqiptar dhe duke manifestuar një unitet idesh e jo individësh për çështje e problematika të përbashkëta;

E katërta, kjo PLATFORMË E PËRBASHKËT SHQIPTARE do të vendosë për përfshirjen apo jo në bashkëqeverisje me ndonjë parti maqedonase dhe prej përpara do të dihen kushtet që do të përcaktonin rrjedhën e mëtejme të procesit negocues;

E pesta, PLATFORMA E PËRBASHKËTSHQIPTARE vendos se për cilat çështje duhet të ketë konsensus brendashqiptar dhe cilat çështje mund të ngelin pjesë e modaliteteve pluraliste që do të pasuronin koloritin e specifikave të skenës politike shqiptare në Maqedoni.

Ndryshimi i praktikave të deritanishme të koalicionimit me partitë maqedonase, eliminimi i interesave klienteliste me prapavijë korruptive dhe kriminale brenda strukturave partiake dhe forcimi i bashkërendimit brendashqiptar për çështje konzensuale, prej të cilave varet pjesëmarrja apo jo në qeveritë e ardhshme, do të dihej të jenë pjesë e PLATFORMËS SË PËRBASHKËT SHQIPTARE, e cila, gjithsesi duhet të ndodhë pasi që subjektet e tanishme shqiptare t’i kenë bërë një skanim të thellë strukturave të brendshme partiake, duke flakur të gjitha ato segmente të korruptuara e kriminalizuar që de facto ishin frenuesit më të mëdhenj të politikave të përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve në institucionet e sistemit.