Eko Higjiena

Shqiptarët e vitit 2012

/ 7 minuta lexim
RCCOLA

Nga Blerim Shala- Mbijetesa ka qenë dhe mbase mbetet, programi më i suksesshëm politik i shqiptarëve të Kosovës dhe i kombit shqiptar në përgjithësi.

Simbolikisht, politikisht, artistikisht, konceptualisht, mund të shtojmë këtu çfarë të duam, ne, si shqiptarë, Shekullin e parë të ekzistimit të Shqipërisë po e shënojmë dhe festojmë para se të gjithash, duke u kthyer, të gjithë së bashku, në nëntorin e vitit 1912, për ta bërë po të njëjtin rrugëtim që shënoi nisjen e udhëtimit të mirëfilltë të krijimit të shtetit shqiptar.

Historinë e 28 nëntorit të vitit 1912, ne e kuptojmë ashtu siç duam vetë, jo atë çfarë në të vërtetë ka qenë, sepse as sot e kësaj dite, përkundër mundësive të jashtëzakonshme që kemi, nuk duam ta njohim atë historinë e mirëfilltë të kombit shqiptar, e cila, e tillë çfarë është, me atë të vërtetën që ka, është shumë më domethënëse se sa kjo historia e prodhuar prej nesh për decenie me radhë, nga këndet e ndryshme ideologjike, me pasojat e njëjta tërësisht dëmtuese për synimin që ta njohim vetveten: Ashtu siç kemi qenë atëherë, ashtu siç jemi sot.

Ky pikëshikim, ta zëmë, do të na shfaqte një të vërtetë të madhe për atë çfarë ndodhi në fakt më 28 nëntor të vitit 1912. Ka qenë mrekulli e njëmendtë shpallja e mëvetësisë së Shqipërisë në rrethanat historike dhe politike ballkanike dhe evropiane të asaj kohe, është mrekulli se si u krijua edhe ai gjysmë shteti shqiptar në vitin 1913, dhe si i mbijetoi Luftës së Parë Botërore dhe Rendit të ri ndërkombëtarë të krijuar në vitin 1919.

Të thuash asgjë nuk ka qenë në favor të bërjes së shtetit shqiptar.

Për shqiptarët e Kosovës, çfarë jemi ne të gjithë, është mrekulli e madhe që kemi mbetur në Kosovë, që kemi shpëtuar qenien tonë kombëtare, që kemi mbërritur pastaj në stinën e çlirimit të Kosovës, në verën e vitit 1999, dhe anë tjetrën, të dimrit të vitit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur.

Mbijetesa ka qenë dhe mbase mbetet, programi më i suksesshëm politik i shqiptarëve të Kosovës dhe i kombit shqiptar në përgjithësi.

Në këto javët e zjarrmisë kombëtare që shfaqet si patriotizëm i tregtuar në të katër anët ku ka shqiptarë, pakkush është përpjekur ta bëjë një lloj bilanci a rekapitullimi se ku jemi si komb, njëqind vjet pas Aktit të Ismail Qemalit dhe atyre dhjetëra politikanëve, luftëtarëve dhe diplomatëve shqiptarë.

Diçka e tillë ta zëmë ndodhë edhe kur një kompani a një biznes, shënon qoftë edhe një dekadë të ekzistimit të vet. Ata që janë në ballë të saj, shohin ku kanë qenë kur gjithçka ka nisur, analizojnë dhe vlerësojnë ku janë sot, shpallin dhe shfaqin planet për të ardhmen.

Ne këtë nuk e bëjmë. Ndoshta edhe pse nuk kemi kohë të bollshme. Apo, jemi të zënë me festën e madhe.

Analiza që synon të jetë reale e gjendjes së sotme të kombit shqiptar, mund të çojë në konkludime të qëndrueshme, po qe se ndërtohet mbi disa parime.

Së pari, kjo analizë duhet të vlerësojë cilësinë politike, ekonomike, sociale që ka sot Shqipëria, dhe këtu, parametrat janë fare të qartë.

Uji Dea

Së dyti, duhet përdorur kontekstin kohor dhe hapësinor, për të parë se ku kemi qenë, si shqiptarë, në nëntorin e vitit 1912, dhe ku jemi sot, njëqind vjet më pas.

Ky pikëvështrim njeh krahasimin poashtu të matshëm, me gjendjen e kombeve përreth në Ballkanin Perëndimor, dhe me atë të shteteve dhe kombeve në Evropë.

Shqiptarët në vitin 1912, po qe se aplikojmë këto parime të analizës krahasimtare, kanë qenë në Pikën Zero, si brenda hapësirës etnike, ashtu edhe në Ballkan dhe në Evropë.

Pakkush na ka parë fare si komb dhe si faktor politik. Shumëkush ka vlerësuar që territoret shqiptare duhet të jenë pre e shteteve dhe kombeve përreth që po mbërrinin pikën më të lartë të fuqisë dhe të organizimit të tyre. Serbia dhe serbët ta zëmë, kurrë nuk kanë qenë më të fuqishëm, në historinë e tyre se atëherë. Kurrë nuk kanë pasur aq shumë miq dhe aleatë perëndimorë në anën e tyre.

Ndërsa raporti midis shqiptarëve dhe serbëve, ka qenë ai relacioni thuaja përcaktues për fatin e shqiptarëve në përgjithësi dhe të Shqipërisë në veçanti.

Tash kur kthehemi në nëntorin e vitit 2012 dhe përdorim po të njëjtën metodologji të analizës, është fare lehtë të mbërrihet tek një përfundim që si komb, ne kurrë nuk kemi qenë më të fuqishëm, kurrë nuk kemi qenë më faktor në këtë pjesë të Ballkanit, kurrë nuk kemi pasur më të matshme dhe më të arritshme perspektivën e stabilizimit final të gjendjes sonë, e cila njeh anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Shqiptarët janë bërë me dy shtete në Ballkan. Kjo është e vërteta sipërore për gjendjen e kombit shqiptar.

Megjithatë, këtu edhe marrin fund argumentet që i shkojnë në favor dasmës kolektive gjithëshqiptare sa i përket arritjeve që shihen dhe që llogariten në krahasimin që njeh si pikënisje nëntorin e vitit 1912 dhe si pikarritje, nëntorin e këtij viti.

Nëse këtu tash përdorim një krahasim më të afërt kohor, atë që lidhë vitet 2002 dhe 2012, do të jemi në gjendje që më esëll të kuptojmë që çfarë kemi bërë në dhjetë vitet e mbrama, nuk është afër parashikimeve që bëheshin me rastin e 90 vjetorit të pavarësisë. Në përgjithësi, kemi ecë thuaja në të gjitha fushat, më ngadalë se sa që është pritë. Politikën e kemi më të armiqësuar dhe më të hasmuar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, sundimi i ligjit është ende synim i paarritshëm në Tiranë dhe në Prishtinë, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike vazhdon të jetë një fantastikë shkencore në këto dy shtete, gjendja ekonomike dhe sociale është larg asaj të dëshiruarës, arsimi së paku në Kosovë, është më keq se sa në kohën e shtëpive shkolla, etj.etj.

Ne në Kosovë, pasi të kalojmë stinën e festimeve, do të duhej tani të artikulonim synime e qarta strategjike për 17 shkurtin e vitit 2018, kur do ta shënojmë dhjetëvjetorin e ekzistimit të shtetit të Kosovës.

Këtë së paku mund ta bëjmë.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)