Shqiptarët e Turqisë vizitojnë Artanën
Gjilan – Kryetari i Komunës Bajrush Ymeri priti të enjten në një grup shqiptarësh nga Turqia të cilët këtyre ditëve po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë. Ndryshe ky grup i qytetarëve janë pasardhësit e qytetarëve të komunës së Novobërdës të cilët vite më parë janë shpërngulur në Turqi.
Ymeri i ka falënderuar për vizitën dhe njëkohësisht i shoqëroi edhe në vizitë te kalaja e Novobërdës me ç’rast u njohën më për së afërmi me Kalanë dhe objektet tjera për rreth.
“Është nderë dhe natyrisht edhe emocionuese për ne të ju kemi sot në Komunën tonë sepse të parët e juaj kanë qenë banorë të këtyre trevave të cilët pa vullnetin e tyre atëherë kanë marrë rrugën e kurbetit. Më vjen mirë që shumë prej jush po flisni gjuhën shqipe, gjuhën e prindërve të juaj dhe kjo tregon se ju edhe pse atje jetoni prapë se prapë ruani gjuhën dhe traditën tonë dhe tregoni se jeni shqiptarë” u shpreh Ymeri.
Delegacionit i printe kryetari i shoqatës Bejtullah Dogan i cili po ashtu falënderoi kryetarin për mikpritjen dhe tha se janë shumë të kënaqur që kanë pasur rast të vijnë dhe të vizitojnë vendin se ku kanë jetuar baballarët dhe gjyshërit e tyre.
Po ashtu nga të dy palët u shpërndanë disa dhurata e më pas edhe u shpreh gatishmëria e dyanshme për një bashkëpunim të mëtutjeshëm.
Në fund të vizitës në qendrën e turizmit u organizua një drekë me ushqime tradicionale e financuar nga Komuna dhe e përgatitur nga familja që merren me turizëm rural./rajonipress/


