UBT

Shqiptarët e trofeshëm

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të “vlojnë” nëpër Evropë. Të tillë ka edhe në ligat më të forta evropiane, siç janë Premierliga angleze ose La Liga spanjolle apo edhe Bundesliga gjermane dhe Serie A italiane, shkruan sot, gazeta Zeri.

Por, asnjë futbollist shqiptar nuk arriti të fitojë titull të kampionit në ndonjërën prej këtyre vendeve me futbollin më të zhvilluar në Evropë. Suksesin më të madh në këto liga, përkatësisht në Premierligë, sivjet e kanë arritur Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi, të cilët me Arsenalin fituan trofeun “FA Cup”. Vlen të theksohet se trofe të rëndësishëm ka fituar edhe Milot Rashica, i cili me Twenten rrëmbeu Kupën holandeze.

Ndërsa, në disa shtete evropiane me futboll të zhvilluar mesatarisht sivjet pati futbollistë shqiptarë që fituan trofe, titull apo Kupë.

Për shembull, Taulant Xhaka sivjet i fitoi të dy këta trofe. Me Baselin reprezentuesi i Shqipërisë u shpall kampion dhe fitues i Kupës në Zvicër. Ndërkohë, reprezentuesi i Kosovës, Valon Berisha, bashkë me kosovarin tjetër, Mërgim Berishën, fituan dy trofe në Austri.

Ata u shpallën kampionë dhe fitues të Kupës me ekipin e tyre, Red Bull Salzburg. Madje, Valon Berisha ishte yll i ekipit gjatë gjithë sezonit. Në anën tjetër, Ansi Agolli e ka fituar titullin dhe Kupën e Azerbajxhanit me ekipin e tij, Qarabag.

Ndërkohë, Valon Ahmedi e ka fituar titullin e kampionit në Slloveni me Mariborin. Kurse, Rijeka është shpallur kampion në Kroaci bashkë me futbollistin shqiptar nga Maqedonia, Leonard Zhutën. Kurse, në Norvegji “kampion” quhet përfaqësuesi kosovar i cili luan për Robenburgun, Elbasan Rashani.

FIDANISHTJA

Në fakt, emrat e lartpërmendur i bën të veçantë fakti që kanë fituar trofe. Por, edhe sivjet pati shumë futbollistë shqiptarë gjithandej nëpër Evropë, të cilët me paraqitje të mira ia shtuan vlerën vetës e në anën tjetër i bënë reklamë të mirë vendit të prejardhjes.

Duhet kujtuar se shumë klube të njohura evropiane në radhët e tyre kanë futbollistë shqiptarë, disa prej të cilëve madje konsiderohen liderë të ekipeve të tyre.

Nurkoviç në Flamurtar, Rashica në Ipswich

Portieri boshnjak i Përfaqësueses së Kosovës, Adis Nurkoviç, karrierën do ta vazhdojë në Shqipëri. Ai ka nënshkruar kontratë me Flamurtarin e Vlorës, i cili i ka uruar mirëseardhje.

Nurkoviç debutoi me Kosovën në ndeshjen kualifikuese në Shkodër përballë Turqisë, në humbjen prej 4:1. Nurkoviç zëvendësoi Samir Ujkanin dhe pësoi dy gola.

Ai së fundmi ka luajtur në Ligën e Parë të Bosnjës dhe Hercegovinës për Travnikun. Nurkoviç aktualisht është lojtari i vetëm i një nacionaliteti tjetër që luan për Kosovën. Në anën tjetër reprezentuesi tjetër kosovar, Bersant Celina, është kthyer në Angli. Në sezonin e ri ai do të luajë në Championship, ku është huazuar te Ipswichi nga Manchester City, i cili e ktheu nga Twente e Holandës./ZERI/.