RCCOLA

Shqiptarët e “bodrumeve” dhe maqedonasit e “salloneve”!

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Emin Azemi – Shoqëria në Maqedoni funksionon si një shtëpi me disa nivele, ku zakonisht në nivelin e sipërm bëjnë pallën e qejfit “gazdallarët” maqedonas, përdhesen e menaxhojnë “sluzbenikat” maqedonas, kurse në podrum shqiptarët pellazgo-ilir mundohen të adaptohen në currilat e tranzicionit demokratik që ta flladisin shpirtin me premtime për një barazi boshe.

Në një shoqëri ku funksionojnë dy nivele interesash shtetërore, ajo shoqëri është e destinuar të dështojë. Janë shumë arsye që i bëjnë situatat të duken sipërfaqësore, por kur ndodhë të thellohemi, do të shohim se në brendi funksionon një sistem perfekt diferencimi shoqëror, ku në njërën anë ke shqiptarë të diskriminuar dhe në anën tjetër, maqedonas të privilegjuar.

Favore shtetërore për bizneset maqedonase

Një afarist shqiptar që udhëheq një biznes mjaft të suksesshëm në pjesën jugperendimore të vendit kishte blerë tokë nga një bashkëqytetar maqedonas, mirëpo bartja e pronësisë kishte vazhduar edhe një periudhë kohore , bashkë me dokumentacionin që dëshmonin vërtetësinë e kësaj pronëse. Mirëpo kjo nuk kishte qenë pengesë që biznesmeni shqiptar të zhvillojë veprimtarinë e tij. Prona de jure (me letra) ishte e maqedonasit, kurse de facto (në praktikë) ishte e shqiptarit. Kjo madje në fazën e parë i kishte sjellë edhe disa favore, për arsye se në telefonin e tij zyrtar ishin paraqitur turli “sluzbeniku” maqedonas me idenë e ofrimit të shërbimeve e informacioneve të nevojshme drejtuar pronarit ‘de jure’për thithje fondesh dhe lehtësira të tjera të natyrës financiare e administrative. Mirëpo kjo periudhë “mjalti” një ditë kishte përfunduar, në momentin kur afaristi shqiptar prezantohet me emër dhe mbiemër, veprim ky i mjaftueshëm që “sluzbenikat” maqedonas ta ndërprejnë kontaktin me të. Sepse favore shtetërore nuk mund të merr një afarist shqiptar. Favoret janë të rezervuar vetëm për “hyjnorët” maqedonas.

Ja edh një rast tjetër shumë ilustrativ që dëshmon diskriminimin direkt që përjetojnë shqiptarët në Maqedoni. Një kolege jona gazetare tregonte një ditë përvojën e hidhur që kishte pasur para dy vitesh teksa ishte ballafaquar me dorën e egër të segregacionit në një klub fitnesi. Ajo në fillim kishte qenë e shoqëruar nga një kolege tjetër maqedonase dhe gjithçka kishte shkuar normal, por rastis një ditë tjetër që ajo shkon vetëm në fitnes pa kolegen maqedonase. Gjithçka do të përfundonte si çdo ditë tjetër, nëse nuk ndodhë kthesa që e kishte lënë atë pa tekst. Në fakt ajo një ditë ballafaqohet me pyetjen absurde “kako se vikas” të njërës prej administratoreve te klubit të fitnesit. Dhe kishte ndodhur hataja. Emri dhe mbiemri shqiptar kishin qenë arsyeja që kolegia gazetare të dëbohet nga klubi i fitnesit.

Pra, mjafton të jesh shqiptar që të përjetosh grushtin e aparteidit edhe në një klub të pshurrt fituesi që e administrojnë maqedonasit. Ka edhe plot raste të tjera drastike e tepër tragjike që dëshmojnë se Shoqëria në Maqedoni funksionon si një shtëpi me disa nivele, ku zakonisht në nivelin e sipërm bëjnë pallën e qejfit “gazdallarët” maqedonas, përdhesen e menaxhojnë “sluzbenikat” maqedonas, kurse në podrum shqiptarët pellazgo-ilir mundohen të adaptohen në currilat e tranzicionit demokratik që ta flladisin shpirtin me premtime për një barazi boshe.

Zaevi madje po thotë “edno opstestvo za site”, por ka harru të na tregoj se pse banorët e Gazi Babës, Dizhonit, Serovës në Shkup, apo ata të Lagjes së Trimave në Kumanovë, jetojnë në geto, që i bie se ata ndodhen në podrumin e kësaj shoqërie e cila ende ka dy lloje faturash të energjisë elektrike – një për maqedonasit që paguajnë nga 400 denarë në muaj dhe një tjetër për shqiptarët që paguajnë nga 10 000 denarë, që ka dy lloj transportesh, bie fjala në Kumanovë, – një publik për maqedonasit që paguajnë biletën nga 10 denarë dhe “Reno 2” për shqiptarët, që i bie se ata duhet të ecin në këmbë nga 2 km. për të kryer obligimet e zakonshme ditore – tregun, shkuarjen në shkollë dhe në çerdhe, marrjen e shërbimeve mjekësore ndokund në ndonjë lagje maqedonase e shumë e shumë, ose meremetimet e ndryshme në infrastrukturë ku në shumë raste shqiptarët paguajnë nga xhepat e tyre.

Zaevi gjithashtu nuk po na tregon se si është e mundur që në shumë vendbanime maqedonase të funksionojnë të ashtuquajturat klasa xhuxhe me 2-3 nxënës maqedonas, kurse në anën tjetër fëmijët shqiptarë, dhjetëra sish, janë të detyruar ose të mësojnë maqedonisht, ose të udhëtojnë me dhjetëra kilometra për të mësuar shqip.
Në Maqedoni, maqedonasit bëhen deputet me nga 3000 vota, kurse shqiptarët me nga 7000. Me këtë drejtpërdrejt zhvleftësohet pesha e votës shqiptare kundrejt asaj maqedonase, duke favorizuar artificialisht një epërsi etnike për qëllime e efekte thjeshtë politike, por në dëm të etnive të tjera.

Fuqia e votës, jo e njëjtë për maqedonasit dhe shqiptarët

Mobi Casa

Në Maqedoni, shqiptarët paguajnë fatura të energjisë elektrike deri në 10.000 denarë, kurse maqedonasit – 400 denarë.
Në Maqedoni ndodhë që edhe një sportist i dalluar shqiptar që luan në ligat evropiane, të dëbohet nga restoranti maqedonas.

Në Maqedoni ndodhë që në pishina dhe klube fitnese të vendosen masa ndalimi për shqiptarët.
Në Maqedoni funksionon një subordonim i brendshëm shtetëror që në njërën anë favorizon bizneset maqedonase, kurse në anën tjetër tregohet tepër pasiv dhe refuzues ndaj bizneseve shqiptare. Në Maqedoni janë disa ministri që udhëhiqen nga kuadro shqiptare, por që ndërkohë prej tyre janë shkëputur një mori drejtorish e agjencish shtetërore për të kaluar në menaxhim direkt të kuadrove maqedonase.

Diferencimi më eklatant dhe më ilustrativ në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve ndodhë në Shkup. Mjafton të vizitosh lagjet shqiptare në veri të Shkupit dhe ato në jug të tij, ku lumi Vardar nuk e ndan këtë qytet vetëm në pikëpamje civilizuese (kulturore e fetare), por edhe në pikëpamje urbanistike (infrastrukturore, planifikuese, ambientale).

Katundarët maqedonas, tu bënë padron me paratë e shqiptarëve

Edhe politika demografike e urbane e Maqedonisë ka qenë e padrejtë ndaj banorëve të saj. Në njërën anë ka nxitur migrimin (maqedonas) fshat – qytet, me ç’rast në Shkup u zhvendosën gjithë katundarët maqedonas nga lindja. Parazitizmi maqedonas me vite të tëra kishte prodhuar “njeriun e shtetit”, i cili punonte në stilin “tun e ha” dhe harxhoi ardhmërinë e vet duke ia kthyer shpinën fshatit për një trohë snobizëm industrial në kryeqytet. Në anën tjetër, u stimulua migrim i shqiptarëve drejt Perëndimit.

Mërgimtarët maqedonas të ardhur nga Maqedonia Lindore në Shkup u bënë “padronë” të mëdhenj, kurse mërgimtarët shqiptarë të Maqedonisë Perëndimore u bënë rrogëtarë të metropoleve evropiane.

Mërgimtarët maqedonas në Shkup u bënë edhe drejtorë fabrikash, shefa klinikash, komandira policie dhe me ryshfetet e marra nga shqiptarët ndërtuan vila nëpër kodrat e kryeqytetit dhe shkolluan fëmijët e tyre në Perëndim. Vetëm në Shkup mund të bëhesh padron me paratë e shqiptarëve.

Spitali Shtetëror i Shkupit një kohë të gjatë shërbente si ‘parajsë valutore’ maqedonase që vilte ryshfete marramendëse të kosovarëve, sepse këta të fundit nuk patën politikanë të zotë që do të bënin spitale e klinika me ua marr lakmi tërë rajoni. Politikanët kosovarë të 20 viteve të fundit trashën qafat e tyre dhe holluan dinjitetin e qytetarëve, duke i detyruar ata të shërohen në Shkup, Stamboll e gjetiu. Politikanët kosovarë , përmes kushërinjve dhe bodigardëve të tyre, ndërtuan mirëqenien e qelbur të një elite që kundërmon mjerim provincial, në kurriz të qytetarëve të cilët për çdo vikend i sheh nëpër qendrat tregtare të Shkupit. Politikanët kosovarë sikur të kishin hequr dorë nga tërrpia me bë sa më shumë para për mirëqenien e zuzës së tyre, tani shëndetësia, arsimi dhe bujqësia kosovare do të lulëzonin, kurse të rinjtë e Prishtinës, Ferizajit, Gjilanit nuk do të lakmonin të vinin në City Mall-in e Shkupit.

Maqedonia në përgjithësi dhe Shkupi në veçanti paraqet demarkacionin e vrazhdë të një mendësie shtetërore bizantine, e shtresuar me dekada në laboratorët e politikave diskriminuese antishqiptare. Por, të gjitha këto politika “iluministe”nuk kanë mundur të ndodhin ndokund në planetin Mars. Aty afër ka qenë edhe ndonjë copë politikani shqiptar. Mbase, për këtë një herë tjetër.