Eko Higjiena

Shqiptarët e Austrisë së Epërme në fokus të një projekti

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Qëllimi i projektit ishte nxjerrja e numrit të qytetarëve shqiptarë në Austri të Epërme, mënyra e të jetuarit, banimit, puna, ndjenjat për vendlindjen, shkollimin dhe planet për të ardhmen. Vetëm në këtë land ezultojnë së paku 18929 shqiptarë.

Ka shumë kohë që spekulohet me numrin dhe mënyrën e jetesës së emigrantëve shqiptarë në vende të ndryshme të botës, si nga vendet pritëse po ashtu edhe nga ato të origjinës. P.sh. në Austri organet shtetërore nuk japin shifra të sakta për numrin e atyre që flasin gjuhën shqipe, për shkak të vendit të origjinës dhe shtetësive të ndryshme që posedojnë ata. Sipas tyre numrat oficiel të këtij komuniteti sillen diku rreth 30 mijë shqiptarë në tërë Austrinë, që nuk është as përafërsisht i saktë.

Për të sqaruar ketë dilemë në Austri të Epërme (Oberösterreich) është angazhuar Dr. Miran Sadiku, bashkëpunëtor për projekte në Universitetin “Johan Kepler” të Linz-it, duke qenë njeri nga bartësit kryesorë të këtij projekti. Ai është ndihmuar edhe nga Mag. Daniela Wetzelhieter nën mbikëqyrjen e Univ. Prof. Dr. Johan Bacher. Ndërsa realizimin e bëri të mundshëm me financimin e tij nënkryetari i Landit Josef Ackerl dhe enti social i Austrisë së Epërme.

Qëllimi i hartimit të këtij projekti ishte nxjerrja e numrit të qytetarëve shqiptarëve në Austri të Epërme, duke filluar nga mosha, gjinia, besimi si dhe hulumtimi për formën e të jetuarit në emigracion, punën që kryejnë, shkollimin, banimin, planet për të ardhmen dhe shkollimin e fëmijëve. Hulumtimi vlen edhe për të përcaktuar nevojat e shoqatave aktive (që kontribuuan në realizimin e projektit) në fushën e integrimit , nevojat dhe orientimin e tyre në vitet e ardhshme.

Nga 5020 familje mbi 11000 të intervistuar

Numrat e qytetarëve që flasin gjuhën shqipe janë nxjerrë nga qendra e të regjistruarve në Austrinë e Epërme, duke u bazuar në emra dhe vendlindjen nga gjenerata e parë. Ata që kanë ndryshuar emrat mund të mos jenë përfshirë në këtë numërim. Ky numër që është publikuar tani (prej 18929 shqiptarë në Austri të Epërme, ose Linz me rrethinë) mund të jetë përafërsisht i saktë. Objektivat e studimit ishin për të mbledhur informacione më të sakta mbi historinë e emigrimit si dhe perspektivat për të ardhmen.

Nga 5020 familje shqiptare që jetojnë në Austri të Epërme janë intervistuar 11229 persona për të fituar të dhënat e publikuara. Të intervistuarit vinin nga të gjitha viset shqiptare, nga Kosova me Luginë ishin 55,8%, nga Maqedonia 32,1 % dhe nga Shqipëria 12,1 %. Më shumë se gjysma e emigrantëve të intervistuar posedojnë shtetësinë austriake, 38,2 % kanë status të qëndrimit të kufizuar, 7,9 % kanë leje të pakufizuar qëndrimi, 3,5% e tyre janë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë, 1,2 % janë azilkërkues dhe 1.1% janë të lindur austriak.

Sa i përket punësimit në pyetjen, se sa kanë arritur të integrohen këta qytetarë në vendet e punës, shumica e tyre edhe pse punojnë punën të ndryshme fizike janë të kënaqur me punën dhe profesionin që ushtrojnë. Vetëm 14% e të punësuarve janë të pakënaqur me punën që bëjnë. Për kënaqshmërinë me kushtet e punës dhe klimën e cila mbretëron në vendin e punës, shumica janë shprehur tejet të kënaqur, vetëm 7.4% nuk janë të kënaqur me kushtet e ofruara në punë. Përqindja mbetet pothuajse identike edhe në pyetjen, sa janë të kënaqur me të ardhurat mujore. Mbi 91% janë të kënaqur dhe kanë raporte të mira me kolegët e tyre austriakë. Gjithashtu raportet janë në nivel shumë të mirë edhe me mbikëqyrësit dhe me drejtuesit menaxhues.

40% e shqiptarëve kanë banesa dhe shtëpi private në Austri

70.2% e personave të aftë për punë janë të punësuar nga dy gjinitë, prej tyre 94,9 të gjinisë mashkullore punojnë dhe 39,1 nga gjinia femërore. Bie në sy papunësia e lartë e gjinisë femërore, që mund të arsyetohet me angazhimin e kësaj gjinie në përkujdesjen e familjes. Në bazë të shifrave të publikuara, 60.9% e gjinisë femërore janë të papunë.

Martesat kanë më shumë rëndësi në organizimin familjar të qytetarëve që flasin gjuhën shqipe. 81,7% e tyre janë të martuar. 13.9% jetojnë të vetëm, kurse 4,4% jetojnë në bashkëjetesë, të divorcuar dhe të vejë/a. Familjet që nuk kanë fëmijë janë kështu: 63,4% të ardhurve nga Shqipëria nuk kanë fëmijë, 56,1 nga Maqedonia, 39,7 nga Kosova, gjithsejtë 47,9 nga të anketuarit nuk kanë fëmijë. 27,9 % kanë nga një fëmijë, kurse 17,4% kanë nga dy fëmijë. 6% e familjeve nga Kosova kanë nga tre fëmijë dhe 3,8 nga Maqedonia. 4,4% e familjeve nga Kosova kanë katër dhe më shumë fëmijë. Asnjë familje e intervistuar nga Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë nga katër fëmijë.

Uji Dea

Secili shqiptar mesatarisht posedon në Austri të Epërme 21,52 m² banimi për kokë, ndërsa 32,7 % e shqiptarëve kanë banesat apo shtëpitë pronë të tyre. Kostoja e banimit mesatarisht është € -529, ose për m² = 7,90 €, është me e lartë se sa mesatarja e qytetarëve vendas që paguajnë vetëm 5,7 € për m². Në pyetjen se sa jeni të kënaqur me kushtet e banimit, pothuajse mbi 90 % e tyre janë shumë të kënaqur me kushtet që kanë.

Vetëm 11,3% mendojnë se do të kthehen!

Mundësitë për rekreacion dhe shfrytëzimi i kohës së lirë pëlqehet nga 78,1%. 66,0% vizitojnë të afërmit dhe miqtë, 65,7% merren me familjet e tyre, 28% merren me sport dhe 18,7 % me aktivitete kulturore. Në pyetjen për tu vetëvlerësuar, se sa e njohin gjuhën gjermane, 37,11 % e kanë gjuhën gjermane gjuhë të parë, 58,2% e flasin dhe e shkruajnë shumë mirë dhe mirë, 13,2% kanë deficite.

Interesant është fakti se shumica e shqiptarëve edhe pse posedojnë shtetësi austriake ndjehen si të huaj, 69,2% mendojnë që janë të huaj (Ausländer), 18,8% thonë se janë austriakë me prejardhje të huaj, 4,1% mendojnë se janë integruar mirë dhe ndjehen plotësisht austriakë.

Në pyetjen, perspektiva për të ardhmen dhe kthimi në atdhe, të intervistuarit dallojnë në mendime sipas moshës dhe gjeneratave. Përderisa gjenerata e parë jeton akoma me shpresën për tu kthyer në vendlindje, gjenerata e dytë dhe e tretë ka mendim komplet të kundërt me prindërit e tyre, duke ndryshuar mesataren e studimit në këtë pyetje. 29,1% e shohin Austrinë si vendin e tyre të përhershëm dhe vetëm 11,3% e tyre mendojnë se një ditë do të kthehen, 27.5% janë në hamendje për të vendosur se ku do të jetojnë familjet e tyre, me tendencë Austrinë por ata thonë se sipas të gjitha gjasave nuk do të kthehen, 25,9% nuk duan të mendojnë se cilit shtet do ti përkasin. 55,9% e të rinjve janë përcaktuar për Austrinë si shtetin e vetëm ku do ta kalojnë jetën.

Dëshira e prindërve për shkollim të lartë, shpesh kontraproduktive

Kur të bashkohen të gjithë numrat së bashku nga gjenerata e dytë për të treguar ndjenjat se çfarë nacionaliteti i përkasin, 15,5% mendojnë se i përkasin nacionalitetit austriak, 45,0% të intervistuarve thonë janë të nacionalitetit austriak por me prejardhje të huaj, 37,2% mendojnë se nuk kanë nacionalitet austriak. 78,3% e anketuarve thonë se do mbeten çdoherë në Austri. Pjesa më e madhe e qytetarëve që flasin gjuhën shqipe do të dëshironin dyshtetësinë, e cila mbetet për tu aprovuar në parlament.

Edhe në ketë studim janë analizuar problemet dhe mungesa e suksesit në shkollimin e lartë. Shumë prindër nga gjenerata e parë kanë përfunduar shkollën e mesme në vendlindje, e disa tjerë kanë studiuar. Një numër i vogël i tyre që përfunduan studimet në vendlindje emigruan jashtë. Të rrallë ishin ata që nostrifikuan diplomat, por edhe ata që vazhduan studimet. Shumica e tyre u punësuan dhe harruan shkollimin, është njerëzore që pas një periudhe të gjatë, duke punuar punë tjera, të harrohet teoria e mësuar në vendlindje. Ata më shumë i ngjajnë një punëtori pa profesion se sa një të shkolluari. Pikërisht këta e përbejnë një pjesë bukur të madhe të mërgatës së sotme. Ata mendojnë se janë të shkolluar dhe bëjnë presion të vazhdueshëm në fëmijët e tyre, që me çdo kusht fëmija të arrijë atje ku ai nuk kishte mundur, më ketë e dëmton pavetëdije fëmijën.

Shumica e prindërve të anketuar, apo saktësisht 54,9% dëshirojnë që fëmijët e tyre të përfundojnë studimet. 38,9 % shprehin dëshirën që fëmijët e tyre të përfundojnë maturën. Pikërisht aspiratat arsimore dhe pritjet e larta të prindërve, po ndikojnë që fëmijët po demonstrojnë anën negative në suksese. Pritjet e larta e të pabaza të prindërve, në shumicën e rasteve po i vendosin fëmijët në një presion të madh psikik duke i shtyrë ata të devijojnë dhe të mbesin edhe pa profesione. Numrat e atyre që kanë përfunduar maturën apo studimet nga fëmijët e mërgimtarëve janë shumë modeste, me nevojë të madhe përmirësimi. Kurse studentët mund të numërohen në gishta të dorës. Orientimi me kohë në zanate dhe profesione të ndryshme, do tu ndihmojë atyre në jetën e përditshme, duke ju mundësuar zbulimin e talentit dhe dëshirën e tyre. Pa presion ata do e gjejnë edhe rrugën e mësimit.

Gjatë bisedës me Prof,Dr, Johan Bacher, ai tregonte se edhe sot vijnë shumë studentë nga Kosova me moton për të studiuar, por vetëm 1% e tyre arrijnë të studiojnë, sepse provimi i gjuhës gjermane është kafshatë e pakapërcyeshme, vetëm 0,2% arrijnë të përfundojë studimet, do të thotë 2 studentë nga 800 të regjistruar. Pas tri-katër viteve pjesa dërmuese e këtyre studentëve integrohet në punë të ndryshme fizike.(albinfo)