RCCOLA

Shqiptarët dhe zviceranët bëhen bashkë për 100 vjetorin

/ 6 minuta lexim

“Sot ne festojmë jo thjesht 100 vjetorin e pavarësisë por edhe korrigjimin e padrejtësisë ndaj Kosovës”, ka thënë Lulzim Basha

Në ballë të hotelit “Schwannen” (Mjellmat) që shikon nga liqeni i Cyrihut, në qytetin Rapperswil, të mbiquajtur edhe qytet i trëndafilëve, janë vendosur flamuj shqiptarë dhe zviceranë.

Në platenë para hyrjes, tre instrumentistë me kostume kombëtare të Zvicrës u fryjnë instrumenteve alpine gjigante zvicerane “Alphorn” ndërsa dy të tjerë luajnë lojën tradicionale të hedhjes së flamujve në ajër.

Në hollin e hotelit të urojnë mirëseardhjen dy vajza të veshura me kostume popullore; njëra me kostumin shqiptar e tjetra me atë zviceran. Një koreografi mbresëlënëse që i jep sharm gjithë mbrëmjes. Brenda në hotel po zhvillohej manifestimi qendror për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Në një prani të madhe të përfaqësuesve të korit diplomatik të Bernës, përfaqësuesve të institucioneve të qytetit Rapperswil-Jona e të kantonit St. Gallen, në foltore janë paraqitur ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, kryetari i Parlamentit të St. Gallenit Felix Bischofberger, ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, ai i Maqedonisë Ramadan Nazifi dhe konsulli i nderit i Shqipërisë në Zvicër, Edwin Rüeg.

Në mesin e shqiptarëve të Zvicrës ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Jeton Kryeziu, deputetët kantonal Ylefete Fanaj, Etrit Hasler etj.

Ambasadori Elezi në fjalën e tij ka folur për kohën kur Shqipëria, pas shumë peripecive, sakrificave dhe pësimeve, po dilte më në fund shtet i pavarur.
Ai është ndalur edhe në sfidat nëpër të cilat kaloi Kosova deri sa katër vite më parë, me sakrificat e veta dhe me ndihmën e botës demokratike perëndimore siguroi pavarësinë. Elezi i ka shprehur mirënjohjen e thellë popullit dhe shtetit zviceran për gjithë atë që ka bërë në këto vite në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve, Shqipërisë dhe sidomos Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj ka vënë theksin në peshën që ka pasur dhe ka pavarësia e Shqipërisë për shqiptarët e mbetur jashtë shtetit shqiptar. Ai ka thënë se, pavarësisht nga regjimet që kanë bërë ligjin në Tiranë, shqiptarët jashtë kufijve e kanë perceptuar Shqipërinë si nënë. Pa Shqipëri nuk ka Kosovë dhe pa Kosovë nuk ka Shqipëri, ka thënë ambasadori Malaj në fund të fjalës së tij, duke betonuar lidhjen e pashkëputshme në mes të dy vendeve.

Ndërsa ambasadori i Maqedonisë, Ramadan Nazifi është ndalur në rëndësinë e 100 vjetorit, duke e quajtur mundësinë për ta shënuar atë si një privilegj që po i jepet brezit tonë. Nazifi ka sqaruar se merr pjesë në jubileun e shtetit shqiptar për faktuin se përfaqëson një shtet, në të cilin rreth një e treta e qytetarëve janë me etni shqiptare.

“Këto 100 vite shqiptarët provuan ashtu siç kishin provuar edhe gjatë 3000 viteve të mëparshme, se ndonëse i vogël në numër, ky popull është i është i madh me histori”, ka thënë në fjalën e tij Lulzim Basha, kryebashkiak i Tiranës. “Sot ne festojmë jo thjesht 100 vjetorin e pavarësisë por edhe korrigjimin e padrejtësisë ndaj Kosovës”, ka thënë më tutje Basha. Destinacioni ynë përfundimtar është bashkimi i shqiptarëve në kuadrin e familjes evropiane dhe euroatlantike”.

Fidanishtja

Më tutje kryebashkiaku i Tiranës ka ftuar biznesmenët zviceranë, që duke përfituar nga klima pozitive që mbretëron midis dy popujve, të investojnë në Shqipëri, dhe në trojet tjera shqiptare.
Kryetari i Parlamentit të St. Gallenit, Felix Bischofberger ka drejtuar theksin e fjalës së tij nga nevoja për një rritje të bashkëpunimit ekonomik në mes të Zvicrës dhe Shqipërisë. Në funksion të këtij segmenti të bashkëpunimit, ka përkujtuar ai, është edhe shoqata Zvicër-Shqipëri, me seli në Goldach, në kantonin St. Gallen.

“Zvicra është fajtore” për humbjen 2:0 që i ka shkaktuar kombëtares së Shqipërisë, ka thënë në vazhdim me humor kryeparlamentari i kantonit St. Gallen. “Mirëpo aty nuk kanë qenë të gjithë zviceranë. Një numër i tyre kanë qenë shqiptarë. Futbollistët me rrënjë shqiptare kanë meritat e tyre që lajmet e mira për shqiptarët të mbizotërojnë mbi ato të këqijat që vijnë nga disa bashkatdhetarë tuaj”, ka thënë ai.

Ndërsa konsulli i nderit i Shqipërisë në Zvicër, Edwin Rüegg, i cili edhe ka qenë sponsori kryesor i mbrëmjes, ka folur për ndihmat që Zvicra i ka dhënë shqiptarëve dhe Kosovës në kohën e luftës dhe të krizës së refugjatëve. “Zvicra ka shqiptarët miqtë e vet më të mirë dhe anasjelltas”, ka thënë Rüiegg.

Një mirënjohje ambasadorit të Shqipërisë, Mehmet Elezit në emrin e hebrenjve të Zvicrës ia ka dhuruar Sidney Weil, themelues dhe menaxher i kompanisë për organizimin e koncerteve dhe manifestimeve kulturore “Opern Hearts”.

Weil ka evokuar me këtë rast koncertin e madh humanitar që kishte organizuar me këngëtarë të njohur zviceranë dhe shqiptarë në vitin 1999 të dedikuar për ndihmë refugjatëve nga Kosova të strehuar në Shqipëri.

Weil vuri në pah me këtë rast se Shqipëria, para se të strehonte vëllezërit nga Kosova, ka qenë strehë e sigurt edhe për hebrenjtë e ikur nga nazizmi, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ambasadori Elezi ka falënderuar Weil për mirënjohjen duke thënë se ajo “ka vlerë shumë më të madhe se ari”. Ai me këtë rast ka kujtuar se Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Evropë ku pas luftës ka pasur disa herë më shumë hebrenj se sa para luftës. Kjo tregon për mbrojtjen që ata kanë gëzuar nga shqiptarët.

Në këtë manifestim kanë marrë pjesë edhe tre kryetarë komunash nga Kosova: Pal Lekaj, i Gjakovës, Agim Lekaj, i Podujevës dhe Naim Ismajli, i Shtimes.

Me nga një tufë këngësh janë paraqitur këngëtaret Mariza Ikonomi nga Tirana dhe Klaudia Dodes, shqiptare nga Zvicra. Ato janë shoqëruar me fizarmonikë dhe kitarë nga Gjon Guralumi dhe Krenar Arifi.

Mbrëmjen e ka moderuar Naim Zeqiri.