UBT

Shqiptarët bëjnë dasmë pa nuse

/ 12 minuta lexim

Nga Augustin Palokaj- Sa bizar dukej defilimi me vetura nëpër rrugë të Tiranës dhe fishekzjarrët e shkrepur për të festuar diçka që nuk ka ndodhur fare. Festohej ajo që quhej “dhënia e statusit të kandidatit nga Bashkimi Evropian”.

A është e mundur që në kohën e globalizmit, në kohën e internetit, facebookut, të ketë njerëz që mund të manipulohen dhe të gënjehen aq lehtë sikur në kohën e Enver Hoxhës.

Dita e mërkurë e 10 tetorit ishte për mua një ditë hektike, e stërngarkuar me punë. Nxjerrja e raporteve të progresit tashmë tradicionalishtë është edhe dita më e ngarkuar për gazetarët e rajonit të Ballkanit që raportojnë nga selia e Bashkimit Evropian. Miratohen dhe publikohen hiç më pak se dhjetë dokumente të ndryshme, secili me mesatarisht 40 faqe. Të njëjtën ditë zhvillohen së paku tri paraqitje publike, konferenca shtypi dhe intervista.

Zyrtarët ekspertë japin edhe sqarime të asaj që ka ndodhur, sqarojnë fjalitë e shkruara dhe prapavijën e tyre. Tërë ditën bëja një garë me kohën. Duhej të mbaroja punën e raportimit për të arritur në lidhjen e vetme të avionit për të mbërritur në Prishtinë para orës 9:00 të mëngjesit të së enjtes, 11 tetor. Në atë kohë, me ftesë të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur dhe të Klubit për Politikë të Jashtme, fillonte konferenca lidhur me Studimin e Fizibilitetit për Kosovën dhe unë isha ftuar të jem njëri prej panelistëve. Nga Brukseli përmes Lubjanës arrita në Shup, prej nga me veturë në Prishtinë diku në orën 3:00 të mëngjesit. Të nesërmen në konferencë dëgjova disa kuptime të ndryshme të asaj që kishte ndodhur një ditë më herët në Bruksel.

Kësaj radhe në Prishtinë u pa një dozë më e madhe optimizmi sesa që mbretëron në Bruksel. Edhe vetë përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, linte një përshtypje më të mirë lidhur me raportin sesa që mendohet në Bruksel. Ministrja e Kosovës për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ishte shumë e lumtur, por në paraqitjen e saj u duk një kujdes dhe përmbajtje. Për dallim nga zyrtarë të tjerë të Qeverisë, ajo nuk përdori fjalë ekzagjerimi si „ngjarje historike“, por tha se kushtet të cilat i janë vënë Kosovës për të nisur negociatat për MSA janë lehtë të zbatueshme dhe shumë prej tyre janë në zbatim e sipër. Porosia nga folësit zyrtarë ishte se „Kosovës i është dhënë mundësia e negociimit në MSA“ dhe se „BE-ja ka sqaruar se nuk ka pengesa ligjore për të pasur MSA me Kosovën“.

Fola në konferencë si gazetar. Zakonisht gazetarët nga Brukseli, të cilët raportojnë për proceset në BE, kanë një detyrë jo edhe aq të lehtë. Duhet në raportimin e tyre të deshifrojnë gjuhën diplomatike dhe burokratike të BE-së duke e thjeshtëzuar në atë masë, saqë të bëhet e kuptueshme për qytetarët e në të njëjtën kohë të mos gabojnë. Për këtë kam fituar një përvojë jo edhe aq të vogël, sepse ishte kjo hera e 14-të me radhë që përjetoja publikimin e Pakos së zgjerimit. Në këtë cilësi u desh të flisja për atë që nuk ka ndodhur në Bruksel të mërkurën. Thashë se nuk ka pasur kurrfarë vendimi për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit, por vetëm një Studim Fizibiliteti, i cili konkludon se „është fizibile (e zbatueshme) që të ketë një MSA me Kosovën“ dhe se një gjë e tillë „është e mundshme me gjithë dallimet e shteteve anëtare rreth statusit të Kosovës“. Por nuk ka pasur asnjë vendim. Raportet dhe studimet e Komisionit Evropian nuk janë vendime. Komisioni është organi ekzekutiv i BE-së, por jo edhe vendimmarrës. Dokumentet e Komisionit janë të rëndësishme, por ato nuk mjaftojnë nëse Këshilli, pra vendet anëtare, nuk e marrin vendimin. Komisioni nuk dha për Kosovën as rekomandimin për nisjen e negociatave.

Vetëm porositi se do të propozojë direktivat për negociata nëse Kosova i përmbush edhe disa kushte. Pra porosia e qartë, e thënë me gjuhë pozitive dhe diplomatike, ishte se Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave për MSA. Në anën tjetër edhe porosia se „nuk ka pengesa ligjore“ për MSA është pjesërisht e pasaktë, sepse këtë e konstaton Komisioni Evropian e jo Këshilli. E Këshilli me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare merr vendimin. E në Këshill me të drejtë vetoje janë edhe 5 shtete, të cilat nuk e konsiderojnë Kosovën si shtet. Dhe që është po ashtu me rëndësi në rastin e Kosovës, ekspertët ligjorë të BE-së si argument se mund të këtë marrëveshje edhe me Kosovën, duke mos e njohur si shtet, kanë marrë shembujt e marrëveshjeve me „entitete të cilat nuk janë shtete sovrane“, siç janë ato me Hong- Kongun, Makaon, Tajvanin apo edhe me Organizatën për Çlirimin e Palestinës. Pra për Kosovën kishte një lajm të mirë se mund të shpresojë që nëse i përmbush kushtet, Komisioni të propozojë nisjen e negociatave për MSA, dhe nëse Këshilli pranon do të nisnin ato duke mos e trajtuar Kosovën si shtet të pavarur, por si një entitet që nuk është shtet sovran. Dhe anash problemin e statisit, me këtë hap Kosova arrin pozitën ku Shqipëria ishte në vitin 1999. Me këto sqarime u akuzova nga moderatori i debatit se ua prisha festën. U thashë se nuk duhet ulur vlerën e asaj që kishte ndodhur në njërën anë, por nuk duhet ekzagjeruar dhe krijuar iluzione se ka ndodhur diçka historike. Duke pasur parasysh rrethanat, faktin se Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha detyrat në njërën anë dhe situatën përbrenda Bashkimit Evropian, kjo që ka bërë Komisioni Evropian ishte maksimumi që ishte i mundur. E as ky maksimum nuk ka shënuar ndonjë vendim formal për nisjen e negociatave për MSA, ndonëse ka bërë një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.

Fishekzjarrët në Tiranë

Fundamenti

Disi fitoja bindjen se opinioni kosovar, edhe për shkak të opozitës konstruktive dhe aktive dhe për shkak të profesionalizmit të pjesës më të madhe të mediave e kishin kuptuar se lajmi nga Brukseli ishte i rëndësishëm, por jo diçka i madh që do t’ua ndërronte shpejt atyre jetën.

Mbërrita në shtëpi tek prindërit në mbrëmje të 11 tetorit. Në rajonin e Pejës TVSH-ja (Televizioni Publik Shqiptar) mund të shihet edhe më një antenë formale për shkak të afërsisë së kufirit. Dhe nuk më besonin as sytë e as veshët atë që shfaqej në ekran dhe që dëgjohej në materiale të shfaqura në lajmet e këtij televizioni. „Shqipëria mori statusin e kandidatit“, pohonte prezantuesja e programit, ndërsa shfaqej komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, duke thënë „We recomand granting Albania candidate status…!“ (Ne rekomandojmë dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë) dhe fjalia ndërpritej në mes. Ndërpritej pikërisht aty kur ai thoshte se ky rekomandim është i kushtëzuar me disa detyra, të cilat Shqipëria duhet më parë t’i kryejë. Më pas shfaqeshin vetura duke defiluar rrugëve të Tiranës dhe fishekzjarrët. Raportohej se si kjo është vetëm edhe një në radhën e sukseseve historike të Shqipërisë si rezultat i punës së Partisë Demokratike.

Mënyra se si TVSH-ja për gjysmë ore njoftonte shikuesit e saj për atë që kishte ndodhur një ditë më herët në Bruksel, e ku vetë isha i pranishëm, më kthente në kohën e fëmijërisë, në kohën kur shikonim në TVSH tejkalimin e normave nëpër kooperativat bujqësore dhe sukseset e shtetit me Partinë në krye. Dallimi ishte se kësaj radhe nuk kishim frikë se fqinjët do të na zbulojnë duke shikuar TVSH-në, dallimi tjetër ishte se programi në TVSH ishte me ngjyra ndërsa lideri që i përkëdhelte fëmijët në shkollë nuk ishte Enver Hoxha. Dallimi më i madh ishte se nuk isha më fëmijë dhe naiv saqë t’i besoj TVSH-së. Por ajo duket se nuk ishte media e vetme në Tiranë, e cila ndihmoi që në atë masë të manipulohej opinioni saqë të festojë diçka që nuk ka ndodhur. Sa për fakte duhet përkujtuar se Shqipëria nuk mori statusin e kandidatit për BE më 10 tetor, nuk u dha as rekomandimi për dhënien e statusit, e as rekomandimi për dhënien e statusit të kushtëzuar, por u dha një „rekomandim i kushtëzuar“ për status kandidati. Edhe po të mos ishte ky rekomandim i kushtëzuar vendimin për dhënien e statusit të kandidatit e merr Këshilli i BE-së me vendim të njëzëshëm të të gjitha 27 vendeve anëtare. E në këtë kohë pakkujt i shkon mendja që Shqipërisë t’ia japë një status të tillë. Kjo për shkak se Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet, por edhe për shkak se në BE janë të ngarkuar me problemet e veta dhe nuk duan vendime të reja në procesin e zgjerimit.

Si pasojë, Shqipëria nuk do të marrë statusin e kandidatit as në samitin e dhjetorit. Dhe kur të hyjmë në vitin 2013, vitin zgjedhor në Shqipëri, edhe po t’i përmbushë Shqipëria kushtet e kërkuara nuk do t’i jepet statusi i kandidatit para se të përfundojnë zgjedhjet. Në raste se zgjedhjet për herë të parë në histori kalojnë sipas normave dhe standardeve evropiane, rasti më i hershëm për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit do të jetë dhjetori i vitit 2013. Në rast se në Shqipëri përsëriten parregullsitë dhe manipulimet në zgjedhje, Shqipëria mund të harrojë për disa vjet statusin e kandidatit. Pak ka rëndësi se Komisioni ka propozuar si kusht vetëm miratimin e ligjeve, ndërsa zgjedhjet i ka përmendur si kusht për datën e nisjes së negociatave. Këshilli këto kushte do t’i ndryshojë dhe zgjedhjet do të bëhen kusht për dhënien e statusit të kandidatit.

Komisioni Evropian qëllimisht jep porosi me shumë kuptime

Sikur në Kosovë me shembullin e Studimit të Fizibilitetit, ashtu edhe në Shqipëri rreth „arritjes së statusit të kandidatit“ është festuar diçka që nuk ka ndodhur, edhe pse janë bërë lëvizje pozitive drejt atij qëllimi. Shqiptarët si në Kosovë ashtu edhe në shtetin amë kanë bërë „dasmë pa nuse“, siç thotë populli.

Sa bizare dukej defilimi me vetura nëpër rrugë të Tiranës dhe fishekzjarrët e shkrepur për të festuar diçka që nuk ka ndodhur fare. Festohej ajo që quhej „dhënia e statusit të kandidatit nga Bashkimi Evropian“. Edhe në Kosovë, me një dozë më të madhe të kujdesit dhe më të vogël të entuziazmit përshëndetej po ashtu një gjë që nuk ka ndodhur ende, vendimi për të nisur negociatat me Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në. A është e mundur që në kohën e globalizmit, në kohën e internetit, facebookut, të ketë njerëz që mund të manipulohen dhe të gënjehen aq lehtë sikur në kohën e Enver Hoxhës.

Nuk mund ta amnistoj nga faji për mundësimin e një manipulimi të tillë as Komisionin Evropian dhe në një masë edhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë dhe Prishtinë. Në Tiranë më shumë sesa në Prishtinë. Ata qëllimisht përdorin gjuhën e paqartë në mënyrë që t’u mundësohet politikanëve të manipulojnë. Komisioni Evropian lirisht ka mundur ta komunikonte përfundimin për Shqipërinë duke thënë se „në këtë moment nuk mund të rekomandojmë pa rezervë dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë sepse, me gjithë përparimin, nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet“. Kjo do të ishte e njëjta gjë sikur kur thonë se „rekomandojmë dhënien e statusit të kandidatit sapo të përmbushen edhe këto kushte“, por e thënë me një gjuhë tjetër. Njëlloj dhe në rastin e Kosovës dhe Studimit të Fizibilitetit. Nuk është ajo se nuk e dinë këtë në Bruksel dhe përfaqësitë e tyre në Tiranë dhe Prishtinë, sepse edhe në Komisionin Evropian janë mjeshtër për „lojë me fjalë“. Por e bëjnë qëllimshëm dhe e tillë është gjuha e tyre.