Shqipëria shpalli humbjen!
Nga Arbana Xharra – Pak rëndësi ka se kush do t’i fitojë këto zgjedhje në Shqipëri, të majtët apo të djathtët. Sepse është ky shtet, tash 100 vjet i pavarur, i cili ditën e diel i tregoi mbarë botës se nuk është në gjendje të mbajë një palë zgjedhje të lira demokratike e pa skandale. Në një shtet i cili tashkatër vjet ka bërë kërkesë për anëtarësim në BE, shpërtheu dhuna e përgjakshme gjatë zgjedhjeve parlamentare.
Një vend i cili që nga rrëzimi i komunizmit tash njëzetedy vjet nuk po arrin që të organizoi zgjedhje të rregullta. Shqipëria tashmë anëtare e NATO-s, ka pasur rastin që së paku dje gjatë procesit zgjedhor të tregojë se është një shtet demokratik evropian, test ky i cili i tregoi Bashkimi Evropian, të kundërtën, se Shqipëria është vend i lirë por jo demokratik. Shqipëria i bëri me dije botës se ka mbetur vendi më i prapambetur evropian, ku edhe në ditën e zgjedhjeve rrihen e vriten, ku haptazi blihen votat.
Të gjithë ata të cilët kanë mbajtur sytë hapur drejt Shqipërisë, mësuan qartë se ky vend është larg emancipimit perëndimor. Për këtë vend të varfër, të zhytur në korrupsion e krim të organizuar, ku mediat vendore nuk janë të besueshme sepse tashmë botërisht dihet se janë të ndara në dy krahët politikë, mediat e huaja dhanë një mesazh të qartë se ndërkombëtarët tashmë nuk po i kushtojnë vëmendje rezultatit, por më shumë rrjedhës së procesit zgjedhor. Lajmet për vrasjen e aktivistit të opozitës, përleshjet dhe blerja e votave u raportuan kështu:
Reuters: “Të shtëna vdekjeprurëse para një lokacioni të zgjedhjeve të dielën kanë hedhur hije mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Një aktivist i opozitës u vra…, sipas të dhënave të policisë, kur në Laç, në veriperëndim të vendit, ndodhi një shkëmbim zjarri”.
AFP: “Shqiptarët të dielën po zgjedhin një parlament nën hijen e një përleshjeje me armë afër Tiranës, e cila duket se ishte e motivuar politikisht. (…) Zgjedhjet konsiderohen si vendimtare për gjasat e vendit për të marrë statusin e kandidatit të BE-së. Afër një lokacioni zgjedhor u vra me plumba një aktivist i opozitës së majtë, siç u tha, nga rrethi i Ramës.
DPA: “Menjëherë pas fillimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, shpërtheu dhuna e përgjakshme. Në qytetin e Laçit, 35 kilometra në veri të Tiranës, të dielën në mëngjes u vra një aktivist opozitar. (…) Dy persona të tjerë u plagosën. (…) Në qytetin jugor të Vlorës menjëherë pas hapjes së vendvotimeve një shpërthim shkatërroi veturën e sekretarit të Partisë Socialiste. (…) Pas zgjedhjeve të fundit sistemi politik u bllokua për një vit e gjysmë për shkak të supozimeve për mashtrime në zgjedhje. Katër veta u vranë nga garda e Berishës në një demonstratë”.
Kjo është Shqipëria e sotme, e djeshme, e kamotshme, e cila po shkatërron të ardhme nga mendësia totalitare e skenës politike dhe mafia e cila tashmë ka kapur shtetin përmes pushtetit.
Në këtë eufori politike, lehtë mund të manipulojnë popullin, por jo edhe politikën e jashtme e cila e ka të qartë se Shqipëria të dielën i dha vetes një shqelm të rëndë. Parullat politike pro integrimit dhe drejt standardeve evropiane janë shndërruar në makinerinë mashtruese prapa të cilave qëndron një qëllim, fuqia që u jep pushteti për të kontrolluar gjithçka, në bashkëdyzim me krimin e organizuar. Katër vjet ka pritur përgjigje për anëtarësim në BE, e nga e hëna duket se Shqipëria do të presë edhe shumë të tjera. Shqipëria do të nxjerrë një fitues nga këto zgjedhje, por ajo ditën e diel shpalli humbjen e saj!


