Hidromorava

Shqipëria së shpejti me Konsullatë Nderi në Gjilan

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune dhe koordinimi ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me të cilin ka biseduar për vazhdim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në kulturë, arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, agro-kulturë dhe fusha të tjera.

Pas takimit është konfirmuar që në Gjilan, Republika e Shqipërisë do të bëjë hapjen e Konsullatës së Nderit dhe do të jap shërbime për gjithë regjionin e Gjilanit dhe më gjerë.

“Është një konfirmim që jemi koordinuar për bashkëpunim që nga aktivitetet e “Flakës së Janarit 2018”, e deri në fund të vitit 2018. Jemi në kalendarin kombëtar për shënimin e vitit të Skënderbeut me aktivitete të përbashkëta në fushën e kulturës, por edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik dhe fusha të tjera që ndihmojnë rritjen e bashkëpunimit edhe mes bizneseve dhe qytetarëve, për të ndikuar në zhvillimin e të dy shteteve. Në muajin janar do të bëhet vendosja e bustit të Skënderbeut para institucionit të Komunës së Gjilanit. Ky është edhe Viti i Flamurit sepse sivjet kemi shënimin e 50-vjetorit të demonstratave më të mëdha për përdorimin e flamurit në Kosovë”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Eco Higjiena

Kurse Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, ka thënë se në ciklin e vizitave që ka për udhëheqësit e komunave pas zgjedhjeve të fundit në nivël lokal, ka zgjedhur pikërisht Gjilanin sepse është Komuna me vizion të hapur dhe me nivel të lartë të bashkëpunimit, përkushtimit dhe vizionit të qartë për të ecur në rrugën e suksesit dhe të zhvillimit.

Minxhozi, poashtu, ka bërë të ditur angazhimet e përbashkëta me Gjilanin në manifestimin mbarëkombëtar “Flaka e Janarit…”, pastaj angazhimi i përbashkët për një aktivitet për gjuhën shqipe, me pjesëmarrje nga shumë komuna të Shqipërisë, organizimin e përbashkët të panairit të produkteve bujqësore me qëllim të zhvillimit të agrobiznesit nga të dyja shtetet, aktivitete sportive me qendër Gjilanin etj.

“Në Gjilan pos gjithë këtyre aktiviteteve do të emërojmë një Konsull Nderi, e cila do të jap shërbime për gjithë këtë regjion, sepse Gjilanin ne e shohim si një vlerë të shtuar të marrëdhënieve tona, për t’i lëvizur përpara aktivitetet që janë në shërbim të qytetarëve të Gjilanit me rrethinë”, ka thënë ambasadori Minxhozi./rajonipress/