Shqipëria kërkon ‘hakmarrje’ në Izrael
Lojë shumë e keqe. Tri gola të pësuara. Dy lojtarë të përjashtuar me kartonë të kuq. Ku ishte bilanci katastrofal i Shqipërisë në ndeshjen e nëntorit të zhvilluar në Elbasan përballë Izraelit, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Botëror, shkruan sot, gazeta Zeri.
Nga atëherë kuqezinjtë më nuk kanë parë ditë të mirë. Me fjalë të tjera, izraelitët janë ata që ua dhanë të prapështën kuqezinjve, duke ua humbur edhe gjasat për kualifikim në botërorin “Rusia 2018”.
Për më tepër, ajo humbje prishi atmosferën e mirë në kampin kuqezi, e cila po mbretëronte shkëlqyeshëm prej pjesëmarrjes historike në Kampionatin Evropian.
Përplasjet ndërmjet lojtarëve dhe trajnerit Gianni de Biasi s’kishin të ndalur, por në prag të ndeshjes të së dielës si mysafirë të Izraelit kuqezinjtë duket se janë përbashkuar me një qëllim – “për hakmarrje”.
Gianni de Biasi gjatë ditëve të fundit është përpjek ta riinstalojë sistemin e lojës me të cilin luajti në “Euro 2016” e të cilin pritet ta përdorë kundër izraelitëve në kërkim të fitores së munguar goxha gjatë.
Presingu, vrapimet, lojtarët e lëvizshëm, mbyllje hapësirash për kundërshtarë – janë kërkesat e trajnerit italian për kuqezinjtë, prej të cilëve ka kërkuar që të mos i lejojnë izraelitët ta dominojnë lojën dhe ta posedojnë topin.
“Shqiponjat” kanë potencuar se loja e parë në të cilën u turpëruan nga Izraeli nuk e paraqet gjendjen reale të këtij çifti duelesh. Shqiptarët besojnë në potencialin e tyre, me të cilin thonë se mund ta mposhtin një skuadër si ajo izraelite.
Ekipi shqiptar i ka humbur shpresat për të shkuar në Botëror, por objektiv mbetet pozita e tretë në grup, e cila do t’ia lehtësonte punët në eliminatoret e ardhshme. Por, atë aktualisht e mban Izraeli.
Ky i fundit do ta kërkojë një tjetër fitore të re, të dytën kundër Shqipërisë, së cilës beson se ia ka mësuar pikat e dobëta. Izraeliti dëshiron t’i mbajë gjallë shpresat për kualifikim në Botëror.
Kualifikimet e botërorit “Rusia 2018”
Grupi I – E diel
Izraeli – Shqipëria (20:45)
Maqedonia – Spanja (20:45)
Italia – Lihtenshtajni (20:45)
Grupi G
Spanja 5 4 1 0 19:2 13
Italia 5 4 1 0 13:2 13
Izraeli 5 3 0 2 9:9 9
Shqipëria 5 2 0 3 4:8 6
Maqedonia 5 1 0 4 7:11 3
Lihtenshtajni 5 0 0 5 1:19 0


