“Shqipëria: 100 vjet” në Bruksel
Këngëtarja e njohur nga Shqipëria, Eda Zari së bashku me bendin e saj do të performojnë në Belgjikë, në nderim të 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
Koncerti i titulluar “Shqipëria: 100 vjet”, do të mbahet të shtunë, më 24 nëntor, në Shtëpinë e kulturës në Bruksel.
Muzika e Eda Zarit është një gërshetim i muzikës jazz me muzikën tradicionale shqiptare dhe vlerësohet si një festival i ritmit, harmonisë dhe tingullit të fantazisë.
Performancat e artistes kanë zënë vend në festivale dhe skena të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare.
Në shtator të këtij viti, Zari ishte në treshen e finalistëve për çmimin prestigjioz muzikor “Bremer Jazzpreis 2012”, në kategorinë “Jazz me ndikime etnike”. /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/