Mobi Casa

Shqetësimet e Kosovës

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha janë futbollistët që zyrtarisht do t’i mungojnë Përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet e muajit qershor përballë Malit të Zi dhe Bullgarisë në eliminatoret e kampionatit evropian “Euro 2020”.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, vlerëson se këto mungesa janë të vështira pasi të tre futbollistët janë bazë e skuadrës “Dardane”, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Pas ndeshjes së parë eliminatore për kampionatin evropian “Euro 2020”, të cilën Përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi në mars në stadiumin “Fadil Vokrri’ ndaj Bullgarisë (0:0), dy sfida të tjera i presin “Dardanët” në muajin qershor.

Fillimisht, më 7 qershor Përfaqësuesja e Kosovës do të udhëtojë drejt Podgoricës për të zhvilluar ndeshjen me Malin e Zi, ndërsa tri ditë më vonë Kosova do ta ketë një sfidë edhe më të vështirë, atë ndaj Bullgarisë në Sofje.

Pas barazimit 1:1 me Bullgarinë, ku Përfaqësuesja e Kosovës ishte e kompletuar, përzgjedhësi i Kosovës Bernard Challandes për në Podgoricë udhëton me disa mungesa të mëdha, për shkak se tre mesfushorët me përvojë Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha janë të lënduar dhe tashmë është konfirmuar se ata nuk do të jenë pjesë e Kosovës për këtë sfidë shumë të rëndësishme.

Por sa do të ndikojnë këto mungesa në lojën e “Dardanëve” dhe a mund të ketë zëvendësime adekuate për këto mungesa të theksuara, gazeta “Zëri” ka biseduar me ish-reprezentuesin e Kosovës, njëherësh trajner i shumë skuadrave Arsim Abazi, si dhe me ndihmëstrajnerin e Kosovës Muharrem Sahiti.

Sahiti: Do të jetë vështirë pa Kryeziun, Shalën dhe Berishën

Tashmë edhe zyrtarisht është bërë e ditur se tre mesfushorët kyçë të Përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha do të mungojnë në dy ndeshjet e muajit qershor. Mungesa e tre mesfushorëve të sipërpërmendur shihet të jetë një handikap i madh për “Dardanët”.

Këtë e pranon edhe ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti.

Uji Dea

Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Sahiti tha se do të jetë e vështirë, por që skuadra do të tentojë ta bëjë më të mirën. “Zyrtarisht do të mungojnë futbollistët Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha, kurse Bersant Celina do të jetë i gatshëm për këto dy ndeshje. Do të jetë e vështirë, nuk do të jetë aspak e lehtë. Janë futbollistët bazë, por do të mundohemi të bëjmë diçka të mirë”, u shpreh Muharrem Sahiti të mërkurën për gazetën.

Abazi: Mungesa e treshes së mesfushës, brengosëse

I vetëdijshëm për rëndësinë e Hekuran Kryeziut, Herolind Shalës dhe Valon Berishës është edhe ish-reprezentuesi dhe kapiteni i Kosovës, njëherësh edhe trajner i shumë skuadrave Arsim Abazi.

Duke folur për gazetën “Zëri” Abazi tha: “Është brengosëse mungesa e futbollistëve si Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, por përzgjedhësi Bernard Challandes është dashur ta këtë parasysh se disa futbollistë janë të lënduar. Ekipi ka qenë shumë mirë i përshtatur në ndeshjet e fundit që i ka zhvilluar deri më tash”, tha Abazi, për të shtuar se ardhja e disa futbollistëve të rinj në Përfaqësuese vështirë se do të mundë t’i zëvendësojnë tashmë të lënduarit.

“Lëndimet e futbollistëve do të paraqesin probleme. Por edhe pse kanë ardhur disa futbollistë të rinj është vështirë që ata të përshtaten në sistemin e lojës qysh në ndeshjen e parë”, shtoi më pas Abazi, për të shtuar në fund se lojtarët si Berisha, Kryeziu dhe Shala kanë treguar karakter të lartë dhe paraqesin mungesa shumë të mëdha për Përfaqësuesen e Kosovës, duke ditur se mesfusha është “motori” i skuadrës.

Megjithatë Celina është i gatshëm

Futbollisti nga Prizreni, Bersant Celina, ka pasur problem me një lëndim në përfundim të edicionit që lamë pas në Ligën e Dytë të Anglisë me Swansea Cityn.

Madje ishte raportuar se Celina mund t’i mungojë Kosovës për këto dy ndeshje. Megjithatë, momentalisht Celina ndodhet në Norvegji për rehabilitim dhe menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka bërë të ditur se ai do të jetë i gatshëm për “Dardanët” në këto dy ndeshje.

“Bersant Celina ndodhet momentalisht në Norvegji ku është duke u rikuperuar, por më 2 qershor ai do të jetë i pranishëm në stërvitjen e parë të Kosovës”, konfirmoi Bajram Shala për gazetën “Zëri”./Zëri.info/