Mobi Casa

Shpresat te Brukseli

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Familja e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, kanë angazhuar një avokat në përpjekje për t’i mësuar rrethanat që çuan në vetëvrasjen e familjarit të tyre. Ata dyshojnë se tragjedia ndodhi për fajin e Prokurorit Maurizio Salustro. Por, mundi i tyre deri më tash ka shkuar huq. Avokati Naim Çelaj thotë se drejtësinë do ta kërkojë në institucionet e BE’së, në Bruksel.

Po i përdor të gjitha mundësitë ligjore për të zbardhur arsyen e cila çoi burrin e saj në vetëvrasje.

Ganimete Zogaj, gruaja e të ndjerit Agim Zogaj – dëshmitarit “X”, është lodhur nga pritja dhe heshtja e ndërkombëtarëve. Kërkoi kahmos që drejtësia të shkojë në vend. Lypi ndihmë nga gjithkush, derisa u erdhi radha edhe ndërkombëtarëve, por e kotë. Pavarësisht kërkesës për nisjen e hetimeve ndaj prokurorit italian, Maurizio Salustro, Ganimetes kurrë askush nuk i ktheu përgjigje. Rasti i saj ra në heshtje të plotë.

“Kurrë më askush nuk ka qenë te ne. Askush nuk është interesuar më për atë çfarë na ka ndodhur”, ka thënë të martën Ganimete Zogaj, gruaja e të ndjerit Agim Zogaj.

Prandaj, thotë se ka vendosur që dyshimet e saj rreth prokurorit të rastit në të cilin burri i saj ishte dëshmitar kyç, ta çojë edhe më larg se në Kosovë.

“Po e shoh që askush nuk ka nisur hetime për prokurorin, siç ne kemi kërkuar, prandaj kam vendosur që këtë kërkesë ta bëj edhe në Bruksel”, sqaron ajo.

E gjithë shpresa e saj tash është tek avokati i familjes, Naim Çelaj, të cilin Ganimetja tashmë e ka angazhuar për të ndjekur rrugën e drejtësisë. Këtë e ka konfirmuar për Express edhe avokati Çelaj. Ai thotë se rruga dhe shpresa e vetme për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti ka mbetur Brukseli.

“Shumë shpejt, rastin e ankesës së familjes Zogaj, do ta paraqesë në Bruksel”, ka konfirmuar avokati Çelaj të martën për Express.

“Ne kërkojmë nga Parlamenti Europian përgjegjësi për zyrtarët e EULEX’it, të cilët e kanë shtyrë Agimin, i njohur si dëshmitari “X”, të bëjë vetëvrasje”, shprehet ai.

Kjo është rruga e vetme, e cila sipas Çelajt, i ka mbetur atij si avokat mbrojtës i familjes Zogaj. Pasi kërkesat që i bëri në Kosovë deri më tash në emër të familjes, nuk i mori parasysh kurrë, askush.

“Asnjë kërkesë e asnjë kallëzim kurrë nuk u mor parasysh…jemi detyruar që të shkojmë më tutje”, sqaron ai.

Fillimisht Çelaj bëri kallëzim penal kundër prokurorit italian të rastit “Kleçka”, Maurizio Salustro, në Prokurorinë Speciale të EULEX’it. Me anë të kësaj ankese, ka kërkuar heqjen e imunitetit të Salustros, me arsyetimin se ka abuzuar me të ndjerin Zogaj.

Fundamenti

“Mirëpo, kemi marrë përgjigje negative nga Prokuroria Speciale e EULEX’it”, thotë Çelaj. “EULEX na ka njoftuar se procedura për heqjen e imunitetit të prokurorit mund të bëhet vetëm nga shteti nga vjen prokurori”, thekson Çelaj.

E diçka e tillë, sipas avokati Çelaj, deri më tash ka qenë e pamundur.

“Për shkak të kushteve ekonomike, familja Zogaj ende nuk ka mundur të iniciojë procedurë në Itali, shteti prej nga vjen prokurori”.

E, lufta për drejtësi e familjes Zogaj nuk përfundon këtu.

Pos Prokurorisë Speciale, avokati i familjes Zogaj tregon se për këtë rast i janë drejtuar edhe panelit për shqyrtim të të drejtave të njeriut, që funksionon si organ i pavarur për shkeljet që bëjnë zyrtarët e EULEX’it.

“Ky panel është themeluar nga Unioni Europian. Në një takim që kam pasur, më kanë thënë se ankesa do të shqyrtohet, por deri më tash nuk kam marrë përgjigje”, shprehet ai.

“Iu jemi drejtuar edhe organizatave joqeveritare, për ta zbardhur këtë rast. As ato nuk na kanë marrë parasysh”.

Është neglizhenca dhe heshtja e të tjerëve arsyeja që e ka nxitur familjen e dëshmitarit “X”, që ta bëjë një ankesë gati e t’ia drejtojë edhe Brukselit.

“Nuk do të ndalemi. Do të sigurojmë mjete për ta ndjekur deri në fund këtë rast”, thonë ata.

E krejt dyshimet se në vdekjen e dëshmitarit Agim Zogaj, i njohur si “X”, vijnë pas një letre që ai e la të shkruar në formë ditari, e në të cilën akuzon prokurorin italian, Salustro për “masakrim psikik”.

Ndryshe, Zogaj, që ishte dëshmitari kryesor në rastin “Kleçka”, kishte lënë shumë letra të shkruara në të cilat ai ka treguar në detaje për gjithçka që i ka ndodhur prej kohës kur kishte dhënë dëshminë e parë në EULEX, e deri në momentin kur kishte vendosur që t’i jepte fund jetës.

“EULEX po don që unë me shku në botën tjetër para se me ia nisë gjykimi, e masanej ata me sejmenët e vet me ba qysh të dojnë”, kishte shkruar Zogaj më 15 shtator 2011, vetëm pak ditë para se të bënte vetëvrasje.(Express)