Shpikim veteranë, manipulojmë lista!
Nga Imer Mushkolaj – Strukturat e UÇK’së do të duhej t’i kishin shënimet e sakta për të gjithë ata që kanë qenë vërtet pjesë e luftës. Në këtë mënyrë nuk do të ndodhte degradimi i një procesi që do të duhej të ishte transparent dhe kredibil. Me dallavere e manipulime dëmtohen jo vetëm ish-luftëtarët, por gjithë lufta dhe kauza e drejtë të saj. Kjo nuk duhet lejuar.
Mund të ketë ndodhur që të keni pësuar në ndonjë aksident automobilistik që para luftës. Ose, mund të ketë rastisur që të jeni përfshirë në ndonjë incident me armë dhe të keni marrë plagë pas luftës. Mundet edhe të mos keni pasur kurrë armë në dorë, por e keni të afërm ndonjë komandant. Nëse deri më tash keni shfrytëzuar pa të drejtë privilegje për shkaqe të ngjashme, nuk ka arsye të brengoseni se mos tash, me ligjin e ri, do t’ju ndërprehen ato. Emrin mund ta gjeni fare lehtë në listat me emrat e veteranëve të luftës, ndërkohë që të njohur tuaj, të cilët vërtet kanë qenë pjesë e luftës, nuk mund t’i gëzojnë privilegjet që do të duhej t’iu takonin.
Të tillë, emrat e të cilëve pa meritë janë përfshirë në lista ka mjaft, gjithandej Kosovës. Sikurse ka sa të duash edhe të tjerë, emrat e të cilëve pa të drejtë nuk gjenden në ato lista.
Një proces i stërzgjatur verifikimi për statusin e veteranëve ka rezultuar me shumë probleme dhe dallavere, të cilat po bëhen publike çdo ditë. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur ky proces zhvillohet 16 vjet pas përfundimit të luftës, e do të duhej të kishte përfunduar shumë vite më parë.
Tashmë do të duhej të ishte punë e kryer se kush vërtet e meriton të shpërblehet se ka luftuar për këtë vend dhe kush janë ata matrapazë që përpiqen të përfitojnë jashtëligjshëm, me ndihmën e matrapazëve të tjerë që shpikin veteranë e manipulojnë lista.
Logjika e shëndoshë thotë se, strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke filluar që nga Shtabi i Përgjithshëm do të duhej t’i kishin shënimet e sakta për të gjithë ata që kanë qenë nën armë ose që në forma të tjera e kanë ndihmuar luftën dhe, bazuar në to, t’iu caktohen edhe privilegjet, sipas ligjit, atyre që e meritojnë. E jo të hapet një proces aplikimi i cili, qysh në fillim, linte hapësirë për manipulime të shumta.
Sepse, mundësinë për të aplikuar e ka shfrytëzuar secili që ka dashur, si në një lojë fati. E shumë prej tyre edhe iu ka rënë “bingo” jo se kanë qenë pjesë e luftës, por se kanë pasur fatin të gjejnë lidhje në komisionet e vlerësimit ose të shpikin dëshmi të nevojshme, me ndihmën e atyre që vendosin se kush duhet të gëzojë privilegje e kush jo.
* * *
Në vend se të jetë transparent dhe kredibil, procesi i verifikimit të aplikantëve për statusin e veteranit të luftës ka degraduar në masë të madhe. Përkufizimi i saktë dhe kriteret e mirëfillta për vlerësim se kush duhet të jetë vërtet veteran kanë shkaktuar situatë të vështirë, pasojë e të cilës janë reagimet plotësisht të arsyeshme të atyre që në lista nuk e shohin veten, por emrat e atyre që kurrsesi nuk do të duhej të ishin aty.
Zvarritja e publikimit të listave të të gjitha zonave veç sa ka shtuar dyshimet se ato janë manipuluar, andaj përfundimi në mënyrë aspak të denjë i një procesi që në vetvete do të duhej të kishte së paku qëllim fisnik, nuk i bën nder askujt: as komisioneve vlerësuese, as atyre që kanë fituar status veterani.
Ti mund ta kesh emrin në listën e fituesve, por nuk të bën nder t’i marërsh ato para pa meritë, përderisa tjetri që vërtet e ka merituar është refuzuar.
Ti mund të krekosesh që je zyrtarisht veteran, por nuk të bën nder t’i gëzosh privilegjet, përderisa tjetri që vërtet i ka merituar ato është refuzuar veç për shkak se nuk ka pasur lidhje si ti ose nuk ka provuar t’i gjejë ato. Sepse ka besuar në ndarje drejtësie nga komisionet, nga komandantë që i kanë udhëhequr në luftë, por që i kanë injoruar në paqe.
Ti mund të gëzohesh se bashkëluftëtari yt nuk e ka emrin në listë afër teje, por kjo nuk të bën nder, sepse ti e di që ai ka qenë aty, me ty, në luftë, por manipuluesit e sharlatanët e kanë ndarë nga ti, në paqe.
* * *
Të gjithë ata që janë përgjegjës për verifikimin e aplikacioneve do të duhej ta kishin ditur se po i futen një procesi të vështirë, të ndjeshëm, një procesi që kërkon angazhim, por së pari ndershmëri e profesionalizëm. Ata është dashur të mos bëhen pjesë e pazareve dhe manipulimeve që e degradojnë gjithë këtë muhabet.
Ata është dashur të jenë të vetëdishëm se gabime pa qëllim mund të ndodhin, por kurrsesi nuk është në përgjegjësinë e tyre të manipulojnë lista dhe të shpikin veteranë, për t’i kënaqur apetitet e kujtdoqoftë, për çfarëdo arsye.
Ata është dashur ta dinë se, nëse deri tash kanë përfituar njerëz pa meritë, është koha që të vlerësohet angazhimi dhe lufta e atyre që vërtet e meritojnë.
Ata është dashur të dinë se me dallavere e manipulime do t’i dëmtojnë jo vetëm ish-luftëtarët, por gjithë luftën e UÇK’së dhe kauzën e drejtë të saj.
Ata është dashur të dinë se nëse procesi degradon, dështon, ata do të mbahen mend si veteranë të manipulimit, e jo të luftës për liri. Nëse jo gjë tjetër, duket se këtë e kanë arritur.


