Hidromorava

Shpikësi i citateve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Publicisti i ri amerikan, ‘wunderkindi”, Jonah Lehrer, është larguar i turpëruar nga revista prestigjioze ‘The New Yorker’. Shkaku? U zbulua se, në librin e sapo botuar të tij, Lehrer kishte shpikur citatet të cilat ia atribuonte – as më pak e as më shumë se – këngëtarit Bob Dylan.

Për disa vjet me radhë Jonah Lehrer cilësohej si shpresa më e madhe ‘e bardhë’ i establishmentit kulturor amerikan. Ky 31-vjeçar simpatik kishte diplomuar në Universitetin Columbia, në fushën goxha komplekse të Neurologjisë.

Në ndërkohë kishte magjistruar në Oxford University, ndërkohë që, gjatë disa viteve të fundit ishte bërë i njohur edhe për opinionin pasi që botoi tre libra publicistikë të cilët shumë shpejt u bënë bestsellerë.

Libri i parë i Jonah Lehrer, i cili fitoi lëvdata të shumta nga kritika, quhej “Proust Ishte Një Neuro-shkencëtar” dhe menjëherë pas botimit aludoi se bëhej fjalë për një autor perspektiv.

Sido që të jetë, nuk vonoi shumë e pasuan edhe angazhimi i tij në revistën ‘The New Yorker’, megjithëse tekste publikonte edhe në gazetat e mëdha amerikane, si ‘The Washington Post’, ‘The Boston Globe’, etj. Natyrisht, si rrjedhojë, Lehrer fitoi edhe mjaft para, kështu që dukej se nuk kishte asnjë arsye që – në një të ardhme të afërt – ai të mos bëhej një figurë me ndikim në skenën kulturore amerikane; për shembull, diçka si Malcolm Gladwell.

Por, përkundër kësaj rrjedhe të ngjarjeve, gjithçka mori tatëpjetën javën e kaluar, kur u zbulua se Lehrer kishte shpikur citatet e këngëtarit, Bob Dylan, të cilat janë pjesë e bestsellerit të tij të fundit “Imagine: How Creativity Works” (Imagjino: Si Funksionin Kreativiteti).

Citatet e falsifikuara nga Lehrer i zbuloi gazetari, Michael Moynihan, i cili përshkruhet si një njeri që “është i opsesionuar pas këngëtarit Dylan”. Meqë disa nga citatet e përmendura në librin “Imagine” ishin krejtësisht të panjohura për Moynihan, atij filloi t’i interesonte shumë se si arriti Lehrer t’i marrë ato këngëtari dhe poeti i famshëm, Bob Dylan.

Mobi Casa

Kjo për shkak se, pothuajse të gjitha deklaratat që Bob Dylan i ka dhënë për media mund të gjinden në afro 300 intervistat e tij, të cilat mund të gjenden lehtë në internet, ku janë postuar nga një adhurues i tij polak. Meqë nuk i gjeti atje,

Moynihan fillimisht iu drejtua për sqarim vetë autorit, Jonah Lehrer, i cili nëpërmjet e-mailit i ofroi disa përgjigje tejet jobindëse.

Pas kësaj, Moynihan vendosi që dyshimet e tij t’i publikojë në revistën javore politike çifute ‘The Tablet’. Dhe, menjëherë pas publikimit të tyre, Lehrer pranoi se citatet e përdorura në “Imagine” ishin të trillime të tij.

Nuk vonoi shumë dhe Lehrer u përjashtua nga puna në ‘The New Yorker’.

Ndryshe, libri “Imagine”, që deri atëherë shitej fort mirë, ndërkohë u tërhoq nga shitja, përderisa mediat amerikane u morën me skandalin letrar të radhës , i cili i lëkundi themelet e publicistikës amerikane.

Përndryshe, Lehrer përshtatet plotësisht në formatin/modelin që (para tij) e kishin instaluar dy yjet e reja të gazetarisë e publicistikës amerikane, Stephen Glass dhe Jayson Blair, për të cilët më vonë u vërtetua se i kishin shpikur të gjitha tekstet e tyre. Veç tyre, pjesë e këtij lloj mashtrimi ishte edhe James Frey, i cili kishte trilluar një libër të tërë (të titulluar “A Million Little Pieces”, ose në shqip “Një Milion Pjesë të Imta), duke e prezantuar atë si një rrëfim autobiografik të tij, edhe pse bëhej fjalë për një fiksion.

Që ironia të jetë edhe më e madhe, libri “Imagine” merret me neurolgjinë e kreativitetit, megjithëse rezultoi se kreativiteti i Lehrer ishte i tepruar, ngase arrit t’i trillojë të gjitha citatet e Bob Dylan. Por, ja që në kohën e internetit plagjiati është bërë shumë më i vështirë, sepse po zbulohet gjithnjë e më shpesh. “The times, they are a-changin’, do të thoshte Dylan.