Shpërthejnë veteranët e arsimit-akuzojnë gjykatat për zvarritje të lëndëve
Gjilan – Dhjetëra veteranë të arsimit, drejtues sindikatash dhe shoqatash të arsimit, në konferencën e organizuar dhe të përkrahur nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, shprehën pakënaqësinë dhe zemërimin e tyre rreth diskriminimit që po u bëhet rreth 100 pensionerëve, pasi që nuk po u paguhen pagat përcjellëse.
Në këtë konferencë u tha se pensionistët e arsimit gjilanas me shumë dëshmi, fakte, argumente juridike, dokumente gjyqësore, ankesa e shumë materiale të tjera, por edhe me emra konkretë, për të treguar se si dhjetëra pensionistë po zvarriten në procese gjyqësore dhe lënda e tyre nuk po përfundon si duhet lidhur me pagat përcjellëse pas pensionimit raporton rajonipress.
Ilmi Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit tha se ne nuk po duam asgjë më shumë sesa të respektohet ligji, edhe atë, për të gjithë njësojë, e jo të ketë selektime dhe se krejt çfarë duan është që pensionistët të realizojnë të drejtën e tyre që u takon në bazë të ligjit, me kontratën kolektive, e cila parasheh edhe pagat përcjellëse për pensionistë. “Ne jemi të mllefosur me përgjigjen e zyrtarit ligjor të komunës sipas të cilit kontrata kolektive ka vlejtur nga viti 2005 deri më 2008, sepse ka pensionistë të dalur në pension pas vitit 2008 e që e kanë realizuar këtë të drejtë, derisa dikush pret me vite dhe nuk mundet ta realizojë. Unë jam vetë si shembull, sepse kam dalur në pension në vitin 2006 kur kontrata ishte në fuqi, dhe se gjykata nuk ka vendosur në favor të tij. Këtu është krijuar një konfuzion sepse në zbatimin e kontratës kolektive është përzier edhe politika duke përmendur implikimet buxhetore.”
Veterani i arsimit dhe pensionisti Ibrahimi, habitej se si paska implikime buxhetore ekzekutimi i pagesave aq minimale për një numër shumë të vogël të pensionerëve, duke mos u zbatuar drejtësia dhe ligji ashtu siç parasheh. “Gjatë kësaj periudhe nuk kemi ndonjë numër edhe aq të madh të atyre që kanë dalur në pension dhe se ka mundur të zbatohet kontrata kolektive pa implikime të mëdha buxhetore. Buxhetin nuk mund ta shterin pagat minimale të punëtorëve të arsimit apo pensionet shumë të vogla të pensionistëve të arsimit. Buxhetin e shterin pagat e mëdha të deputetëve, mëditjet e tyre, ligjet të cilat i aprovojnë për privilegje të tyre pasi t’u skadojë posti i deputetit, korrupsioni, pasurimi i paligjshëm e të tjera” – është shprehur i mllefosur Ibrahimi, duke kërkuar që urgjentisht të bëhet zgjidhja nga institucionet përkatëse për këtë kategori të pensionistëve të arsimit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për dekada me radhë në arsimimin e shumë gjeneratave.
Pensionisti tjetër Sali Hasani, ka treguar për shumë raste të cilat janë paraqitur në gjykatë dhe ka treguar se vetëm 25 pensionistë deri më tash i kanë marrë këto paga.” Habitem se si për të njëjtën çështje, gjykatat japin përgjigje pozitive për disa raste e për të tjerat jo. Herë thirren në skadimin e kontratës kolektive e në anën tjetër disa e realizojnë këtë të drejtë edhe pas daljen në pension tani së fundi. Deri më tani janë 25 pensionistë që e kanë realizuar këtë të drejtë e dhjetëra të tjerë nuk po munden përkundër që është e njëjta lëndë, e njëjta çështje. Po bëhet një lojë me këta pensionistë duke u zvarritur lëndët e tyre herë në njërën e herë në tjetrën gjykatë, ndërsa ka thënë se ka shembuj të qartë ku në komunat tjera, kjo e drejtë e veteranëve të arsimit është realizuar pa probleme” ka theksuar Hasani, duke prezantuar para medieve edhe shkresa gjyqësore ku aktvendimet e Gjykatës në Gjilan kanë dhënë përgjigje pozitive, ndërsa zyrtarët përgjegjës përkundër kësaj, janë përgjigjur me përgjigjen se nuk ka mjete.
Pensionisti tjetër Ragip Abazi, ka shprehur dyshimin se në Gjykatë po ndikon politika, e cila është e interesuar që këto lëndë sa më shumë të zvarriten vetëm që ata të mos ngarkohen në buxhet, sepse ankohen se nuk ka buxhet, përkundër që kjo është një drejtë e pensionistëve arsimorë. “Nuk ka drejtësi, nëse dikujt i jepet paga, e dikujt jo. Kjo tregon se shteti nuk po i trajton barabarësisht të gjithë njësoj para ligjit”- u shpreh Abazi.
Azem Azemi, pensionist tjetër, thotë se nuk mund të sillet Gjykata për dikë si nënë, e për dikë si njerkë. “Gjykata për të njëjtë çështje, për dikë vendos shumë shpejtë pozitivisht e për dikë e zvarritë skajshmërisht dhe ka përgjigje negative” tha Azemi.
Edhe disa pensionerë të tjerë shprehën shqetësimin e tyre për këtë çështje, duke treguar këmbënguljen e tyre që të mbrojnë këtë të drejtë edhe në vazhdimësi, derisa të trajtohen njësoj të gjithë pensionerët. Disa pensionistë si Asllan Gërbovci, zgjidhjen e shohin edhe në paditë që do të realizohen në vijim, nëse çështja e tyre nuk zgjidhet drejtë.
Pati edhe pensionistë të cilët thanë se disa pensionistë për shkak të lidhjeve partiake me subjektin në pushtetin aktual, përmes disa interferimeve dhe lidhjeve politike, i kanë realizuar pagat e tyre përcjellëse./rajonipress/


