Shpërndahet Parlamenti – vendi shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Me 90 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi vendosi për shpërndarjen e legjislaturës së katërt. Deputetët e Parlamentit të Kosovës kanë votuar pro shpërndarjes së këtij institucioni, duke çuar kështu vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, data e të cilave tash duhet të caktohet nga Presidentja e Republikës.Në sallë kanë qenë 115 deputetë, nga ta 90 kanë votuar për, 4 kundër dhe 3 abstenime.
Krasniqi: As pozita as opozita s’i kanë numrat
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë Kuvendi po shkarkohet për faktin se as pozita e as opozita nuk kanë numrat që iu duhen.
“Pozita s’i ka numrat që të marrë vendime, e opozita s’i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë”, ka thënë Krasniqi.
Mocioni i AAK-së përplasë Vetëvendosjen me LDK-në
(E plotësuar 13:21) Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i është bashkuar kërkesës për shkarkimin e qeverisë Thaçi. Ai ka thënë se deputetët e kanë “në duar” sot Hashim Thaçin dhe ai meriton të shkarkohet.
“Në vend se Kuvendi të shkarkojë Qeverinë Thaçi, kryeministri Thaçi po e shkarkon Kuvendin”, ka thënë Kurti.
Por Ismet Beqiri i LDK-së, ka thënë se ka pasur më parë përpjekje që të bashkohet opozita për shkarkimin e Qeverisë Thaçi.
“Tash, LDK-ja e sheh këtë kërkesë si përpjekje për të shtyrë zgjedhjet dhe ne nuk jemi të interesuar që kjo të ndodhë”, ka thënë Beqiri.
Mocioni ndaj qeverisë s’mund të hyjë në rend dite
(E plotësuar 13:08) – Kryeparalamentari Jakup Kransiqi, ka shpjeguar arsyet se pse nuk mund të procedohet në këtë mbledhje të Kuvendit të Kosovës, kërkesa për mocionin e rrëzimit të Qeverisë Thaçi, e shtruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai tha se sot seanca ka në rend të ditës vetëm një pikë, shpërbërjen e Kuvendit dhe përfshirjen në rend të ditës të mocionit nuk e lejon Rregullorja e punës së Kuvendit, sipas të cilës një kërkesë e tillë nuk mund të hyjë në rend të ditës më së afërti dy e më së largu pesë ditë nga kërkesa.
Thaçi: Po marrim vendim të drejtë
(E plotësuar 13:00) – Kreu i ekzekutivit Hashim Thaçi ka shprehur bindjen se PDK-ja ka marrë vendim të drejtë kur i është bashkuar nismën për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
“Por njëkohësisht për ruajtjen e unitetit dhe të vijimësisë të funksionimit të institucioneve të vendit, në marrëveshje me forcat kryesore politike të vendit”, ka thënë Thaçi, teksa ka përmendur argumentet se vendimi për shpërbërje po bëhet në pajtueshmëri me spektrin politik në vend.
Argumenti tjetër është çështja e FAK-ut.
Selmani: Qeveria u drejtua nga programi PDK-LDK
(E plotësuar 12:51) – Shefja e grupit parlamentar të AKR-së, Muzejene Selmani, ka thënë se ky mandat është drejtuar me programet e qeverisjes PDK-LDK, ani pse gjatë gjithë këtij mandati ajo ka qenë pjesë e qeverisë Thaçi 2, në kuadër të koalicionit PDK-AKR.
Ajo përsëriti akuzën kundër sjelljes së opozitës në gjithë këtë proces të shpërndarjes së Kuvendit.
Në një moment ka qenë e ashpër kur një deputeti të LDK-së, që po reagonte nga vendi, i është drejtuar me fjalët: “mbylle gojën kur të flasë unë”.
Krasniqi s’jep pauzë për mocionin e AAK-së për rrëzimin e Qeverisë
(E plotësuar 12:44) – Gjini ka kërkuar 10 minuta pauzë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me qëllim që të mbledh nënshkrimet për shkarkimin e Qeverisë Thaçi, gjë të cilën sipas tij Qeveria Thaçi e meriton një gjë të tillë.
Por Krasniqi nuk e ka dhënë pauzën, me arsyetimin se seanca e jashtëzakonshme ka vetëm një pikë të rendit të ditës, shkarkimin e Kuvendit.
Gjini: Mëkat që s’u shkarkua Qeveria
(E plotësuar 12:38) – Ardian Gjini i AAK-së, mocioni i përbashkët i dy partive që e kemi para vetës e shkarkon Kuvendin, e bashkë me të edhe Qeveria.
“Por është mëkat se kjo Qeveri po shkon e pashkarkuar, sepse nj gjë të tillë e ka merituar moti”, ka thënë Gjini.
Ai kujtoi aksionet që kishte nisur partia e tij për të rrëzuar qeverinë Thaçi.
Gjini i ka bërë një analizë gjendjes në të cilën Qeveria Thaçi, në dy mandate po e lë vendin.
Nis seanca për shpërndarjen e Kuvendit
(E plotësuar 12:15) – Me kërkesën e 57 deputetëve ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me pikën e vetme shpërndarjen e legjislaturës së katërt.
Në emër të tyre ka folur deputeti, Arsim Bajrami. Ai ka ftuar deputetët që të përkrahin këtë mocion, teksa ka kërkuar që në bazë të Kushtetutës institucionet e vendit të mabjnë përgjegjësi për funksionimin e vendit.
Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së, ka thënë se grupi parlamentar i partisë në pushtet e mbështet nismën për shpërndarjen e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të lira dhe demokratike në nivel nacional.
Ismet Beqiri, ka thënë se kërkesë disa mujore e LDK-së ka qenë që të shkohet në zgjedhje më herët.
“Për ne është shumë e rëndësishme që ky Kuvend të hapë rrugë për zgjedhje. Për ne nuk është më rendësi forma por përmbajtja, prandaj këtë kabinet, e cila sot qenka komplet këtu, me ia tregu derën dhe ta dërgojmë në shtëpi”, ka thënë Beqiri.
Visar Ymeri i Vetëvendosjes, akuzoi Isa Mustafën që ia ka mundësuar Hashim Thachit që të qëndrojë në pushtet deri tash, dhe që ta shpërndajë Kuvendin kur ky i dyti ka dashur.
Në orën 12 pritet të shpërbëhet Kuvendi
Sapo ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Përfaqësuesit e grupeve parlamentare janë marrë vesh që në orën 12 të fillojë mbledhja e Kuvendit, në të cilën duhet të ndodhë shpërbërja e paralajmëruar e tij.
Jakup Krasniqi, kryetari aktual i Kuvendit, u ka deklaruar gazetarëve pas mbledhjes se kështu janë pajtuar përfaqësuesit e grupeve parlamentare. “Qeveria asnjëherë nuk ka funksionuar si duhet”, është shprehur ai, duke arsyetuar vendimin e marrë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se me këtë seancë po realizohet një kërkesë e vazhdueshme e kësaj partie, që të shpërndahet parlamenti dhe të bie qeverisja e keqe e Thaçit.
Adem Grabovci i partisë në pushtet, PDK-së, ka thënë se ka qenë kërkesë e partive opozitare që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. “Ne jemi të përgatitur dhe besojmë në fitore edhe në këto zgjedhje”, ka thënë ai.
Ndërsa Ardian Gjini i AAK-së ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancë dhe votën pro shpërndarjes së Kuvendit.
Kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të bëhej shpërndarja e miratuar nga Kryesia ishte e nënshkruar nga 57 deputetë të Kuvendit të Kosovës . Grupi i deputetëve kishte bërë kërkesë që seanca plenare e sotme të ketë këtë rend dite: Shpërndarja e Legjislaturës së Katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kërkesa ishte në pajtim me nenin 69, paragrafi 4 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit.
Kryesia përkrahu njëzëri kërkesën e grupit të deputetëve për ta vënë në rendin e ditës së seancës së sotme të Kuvendit këtë kërkesë./KOHA.net/