Shpend Ahmetit po i dalin dallaveret në fushë
Mënyra se si po qeveris lëvizja ‘Vetëvendosje’ në Komunën e Prishtinës, në këtë vit të fundit të mandatit, po vlerësohet nga analistët politikë si një fazë e re, ku po zbardhet qëllimi dhe fytyra e vërtetë e figurave të kryesore të ‘VETËVENDOSJES’, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut, që pas shumë gënjeshtrave e mashtrimeve që i bënë ndaj qytetarëve në Prishtine për votën, tani në vitin e fundit të mandatit të tyre në kryeqytet, po përpiqen ta “kurorëzojnë” me vjedhjen e mashtrimin që kanë planifikuar ta bëjnë përmes plaçkitjes e shitjes së disa hapësirave prej disa dhjetëra hektarëve të tokave të shtrenjta në qendër të Prishtinës, kinse përmes partneritetit publiko-privat, por që në fakt është një dhënie e tokës “pa lekë” dhe vetëm për “hesap”, llogari e interes të mafio-oligarkisë së inkriminuar të nëntokës të klanit e klientelës “Pronto”.
ANALISTËT KOMENTOJNË QEVERISJEN E KRERËVE TË KOMUNËS SË PRISHTINËS
Hertica: “Plaçkitja nga komunarët e aseteve të pronës së shoqërisë është një goditje, një zhvatje e padrejtë që i bëhet qytetarit, një fyerje që shkon deri në nënçmimin e qytetarit, ku në kurriz të tij po bëhen pazare të pista edhe me parcelat e tokës së Komunës së Prishtinës”
“Komuna e Prishtinës është në fund të mandatit, dhe aktualisht në fazën e tanishme të zhvillimit duket se është fokusuar në krijimin e bazës materiale për fushatën elektorale, për zgjedhjet që do të mbahen në vitin e ardhshëm. Kjo po bëhet vetëm që të mund të përfitojnë subjektet politike të oligarkëve dhe atyre kriminelëve ekonomikë, që e kanë monopolin ekonomik në dorë, në mënyrë që përmes tyre të privatizohen disa prona dhe t’i marrin mjetet financiare për të mundur ta zhvillojnë fushatën dhe përmes asaj fushate të blejnë votën”, thekson Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”
Mënyra se si po qeveris lëvizja ‘Vetëvendosje’ në Komunën e Prishtinës, në këtë vit të fundit të mandatit, po vlerësohet nga analistët politikë si një fazë e re, ku po zbardhet qëllimi dhe fytyra e vërtetë e figurave të kryesore të ‘VETËVENDOSJES’, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut, që pas shumë gënjeshtrave e mashtrimeve që i bënë ndaj qytetarëve në Prishtine për votën, tani në vitin e fundit të mandatit të tyre në kryeqytet, po përpiqen ta “kurorëzojnë” me vjedhjen e mashtrimin që kanë planifikuar ta bëjnë përmes plaçkitjes e shitjes së disa hapësirave prej disa dhjetëra hektarëve të tokave të shtrenjta në qendër të Prishtinës, kinse përmes partneritetit publiko-privat, por që në fakt është një dhënie e tokës “pa lekë” dhe vetëm për “hesap”, llogari e interes të mafio-oligarkisë së inkriminuar të nëntokës të klanit e klientelës “Pronto”.
Sipas analistëve, oligarkët e rinj të Prishtinës , jo vetëm politikë, nga “majat ” e partisë së tyre i harruan e shkelën shumë shpejt e me të dy këmbët “premtimet” mashtruese e gënjeshtare dhe kinse politikat e partisë së tyre “kamuflazh” të ‘VETËVENDOSJES’ dhe tani po i “shpërblejnë ” me disa dhjetëra hektarët e fundit të tokës publike të shtetit e qytetarëve për ndërtimin e qendrave tregtare, hoteleve e bizneseve të pista dhe me “lekë” të fituara nga korrupsioni e krimi i organizuar në Kosovë. Për interesat e tyre dhe të nëntokës, ata këta hektarët e fundit të Komunës së Prishtinës nuk po i shfrytëzojnë për ndërtimin e shkollave, çerdheve për fëmijë e nxënës, për institucione publike e të shtetit, për spitale dhe hapësirave të nevojshme për qytetarët e Prishtinës, dhe po vjen momenti i fundit që po zbardhet fakti nga vetë ata se në fakt kush janë dhe nga vijnë treshja Ahmeti, Sejdiu&Aliu, për të cilët “flitej” e përflitej shumë kohë se paraqesin një segment të “VETËVENDOSJES’ të lidhur me ishSHIK-un dhe klanin “Pronto”- respektivisht me ‘Devolli Group’ të Devollëve dhe ‘Dukagjinit’ të Ekrem Llukës, dhe jo vetëm, sepse ishte Dardan Sejdiu që për një kohë kishte punuar dhe kishte pjekur “zanatin” tek oligarku Ekrem Lluka. Tani, projekti i ‘VETËVENDOSJES’ për dhurimin e këtyre tokave, prona të Komunës, në emër të partneritetit publiko-privat, nga analistët dhe njohësit fushës së sundimit të ligjit dyshohet se po bëhet me qëllimin e vetëm, që të përfitohet materialisht nga të ashtuquajturit financues, që marrin pjesë në ato projekte, dhe si shpërblim të përfitohet materialisht nga ky klan politik, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e duhura për blerjen e votës në zgjedhjet, të cilat tani po planifikohet të ndodhin së shpejti, jo vetëm lokalet e vitit vijues, por edhe zgjedhjet qendrore, shkruan gazeta Kosova Sot.
Qeveria e VV-së mashtroi elektoratin
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Agim Gashi, thotë se tanimë për çdo ditë opinionit po i bëhet e qartë se qeverisja komunale e Prishtinës nuk i ka përmbushur premtimet që i pat dhënë elektoratit të vet para tri vitesh. “Jo vetëm kaq, por Shpend Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij po merren me politikat madhore të kombit shqiptar, me punët e Qeverisë së Kosovës, dhe ato të komunës i kanë lënë nën mëshirën e stihisë”, ka potencuar ai.”Punësimet me kritere joligjore në Komunë dhe në shkolla, bllokadat në ndërmarrjet komunale, realizimin e ulët të politikave zhvillimore, sidomos në bujqësi dhe investime kapitale, mosmirëmbajtja e hapësirave publike dhe infrastrukturës përkatëse dhe dështimet në shumë fusha, janë matësi kryesor i nivelit të dështimeve në të gjitha fushat dhe me këtë ata, gjatë këtyre viteve, kanë keqmenaxhuar dhe i kanë dëmtuar interesat e qytetarëve të Prishtinës”, është shprehur më tutje për gazetën “Kosova Sot” Agim Gashi.
Prona komunale po keqpërdoret
Prof. Muhamet Kelmendi tha për “Kosova Sot” se ndan mendimin që tokat në pronësi të Komunës nuk duhet të privatizohen, por duhet të shfrytëzohen për të mirën publike, sepse vetëm aty mund të bazohet e ardhmja e qëndrueshme e perspektivës së zhvillimit të kryeqytetit në funksion të qytetarit. “Assesi nuk duhet të privatizohen në çfarëdo mënyre asetet e Komunës, sepse aty bazohet e ardhmja e qytetarëve të Komunës së Prishtinës, dhe çfarëdo forme e privatizimit, e kalimit në pronësi të subjekteve të tjera biznesore, është në kundërshtim me interesin vital të qytetarëve, por edhe të vetë Komunës, e aq më tepër duke iu dhënë në shfrytëzim subjekteve që janë gjithsesi të afërta me kupolën drejtuese politike në pushtet. Çdo komunë e ka për detyrë që t’i ruajë disa asete, të cilat i nevojiten pikërisht interesit jetik të qytetarëve të saj, që në të ardhmen të ketë një bazë të pronës publike për zhvillimin ekonomik, duke krijuar mundësi të qëndrueshme të hapjes së vendeve të punës”, theksoi ai. “Tjetra anë e medaljes është fakti që Komuna e Prishtinës është në fund të mandatit, dhe aktualisht në fazën e tanishme të zhvillimit duket se është fokusuar në krijimin e bazës materiale për fushatën elektorale, për zgjedhjet që do të mbahen në vitin e ardhshëm. Kjo po bëhet vetëm që të mund të përfitojnë subjektet politike të oligarkëve dhe atyre kriminelëve ekonomikë, që e kanë monopolin ekonomik në dorë, në mënyrë që përmes tyre të privatizohen disa prona dhe t’i marrin mjetet financiare për të mundur ta zhvillojnë fushatën dhe përmes asaj fushate të blejnë votën”, tha prof. Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.
Korrupsioni po lulëzon në forma të ndryshme
Edhe prof. i së drejtës Riza Smaka dyshon se prapa këtij skenari qëndrojnë ambicie korruptive për abuzim me pronën e Komunës nga partia në pushtet- ‘VETËVENDOSJE’. “Tokat ndërtimore në brendësinë e qytetit të Prishtinës janë asete të vlerave të larta jo vetëm për Prishtinën, por për tërë vendin tonë. Ato asete kurrsesi nuk do të duhej të lejohej që të matrapazohen në procedura jotransparente, të ngutshme e të përshpejtuara. Përkundrazi, pasuritë e tilla, veçanërisht, do të kërkohej që të procedoheshin publikisht e ekskluzivisht në interesin e përgjithshëm të përcaktuar në një procedurë të veçantë e valide, e mbi të gjitha për destinacion afatgjatë. Mjerisht, aktualisht në vendin tonë lulëzon korrupsioni në shumë forma dhe si i tillë virtualisht nuk luftohet dot. Përkundrazi në trajta të caktuara siç është zvarritja e rasteve gjyqësore, parashkrimi i rasteve gjyqësore e avashllëku në institucione të administratës publike, korrupsioni stimulohet . Kjo dukuri veçanërisht në kohë të fundit manifestohet edhe në administratën publike të Prishtinës sikundër edhe më tej”, tha prof Smaka për “Kosova Sot”. Me aq dyshime të mëdha e shohin këtë projekt të Komunës edhe analistët politikë. “Është e paimagjinuar për qytetarin e Kosovës se deri ku do të shkojnë këto pafytyrësi të tmerrshme të politikë-bërësve të të gjitha institucioneve, që sot janë në udhëheqje të shtetit të përvuajtur, i cili tani në këtë kohë mezi po zhvillon jetën normale të rënduar nga ekonomia e shkatërruar nga oligarkët dhe grupet e bandave kriminale të shtetit, që nga ata që krijuan ligje për interesat e tyre, e që pikërisht nga ta fillon edhe zhvatja, plaçkitja e çka jo tjetër, vetëm që të realizojnë interesat e tyre personale, familjare dhe grupore”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”.
Ai ka pohuar se ky fenomen, virus korruptiv, e ka infektuar edhe Komunën e Prishtinës, qeverisjen komunale të ‘VETËVENDOSJES’. “Plaçkitja nga komunarët e aseteve të pronës së shoqërisë është një goditje, një zhvatje e padrejtë që i bëhet qytetarit, një fyerje që shkon deri nën në nënçmim e qytetarit, ku në kurriz të tij po bëhen pazare të pista edhe me parcelat e tokës së kësaj komune. Ata para se ta marrin pushtetin, këta komunarët e sotëm, dilnin me sloganin se Prishtinën do ta bëjnë metropol, por kjo po shihet se paska qenë vetëm një kauzë e rrejshme. Tani po del se kanë filluar ta bëjnë paçavure për interesat e tyre grupore dhe klanore”, tha Hertica.
Pushteti i transformon partitë për keq
Sipas ekspertit të sundimit të ligjit Blerim Burjani, partitë kur vijnë në pushtet i harrojnë premtimet e tyre dhe merren me përfitime partiake dhe personale. “Të gjitha këto janë karakteristikë e këtyre subjekteve politike në Kosovë, si edhe të kësaj Lëvizjeje, dhe nuk mund të bëhet kurrfarë dallimi mes tyre. Pra, të gjithë janë të njëjtë. Këto subjekte politike, të gjitha përfitojnë prej klasës së biznesit, sepse janë klasë e varfër apo kategori e varfër dhe pa profil klasor. Nuk kanë anëtarësi dhe nuk paguajnë anëtarësi fare anëtarët e këtyre partive, por më pastaj futen me klasën e biznesit, ku ata si subjekte politike përfitojnë”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”.
Ai ka pohuar se ideja e kësaj strukture anarkike në Kosovë është përfitimi, por nuk është rendi dhe ligji dhe të drejtat qytetare, dhe nuk pritet që këto subjekte të financohen nga anëtarësia e tyre, por nga klasa e biznesit edhe ajo është zhytur në një masë me këto parti plotësisht në interesa reciproke. ” ‘Devolli’, ‘Dukagjini’, ‘ETC’, etj. i mbajnë këto parti në pushtet dhe janë donatorë ndoshta kryesorë të partive, por edhe shumë donatorë të tjerë nga të gjitha bizneset që kurrë nuk i bëjnë publikë donatorët. Këto subjekte politike anarkike dhe të varfra shtetin e shohin si kompani përfitimi, prandaj nuk ka asgjë prej tyre, përderisa nuk kanë anëtarësi dhe donator potencial legal ku dihet kush janë ata. Prandaj, këto parti hyjnë në biznes me klasën e biznesit në variante të ndryshme për përfitime”, tha Burjani./kosova sot/


