RCCOLA

Shpend Ahmeti: Nuk i besojmë as LDK-së e AAK-së

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

“Vetëvendosja” hedh poshtë çdo aludim për një koalicion të mundshëm me PDK-në e Hashim Thaçit, por nuk e përjashton një koalicion me partitë serbe në Kosovë. Të paktën kështu është shprehur në Tiranë, Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, dhe nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa u ndodh këtë të premte në kryeqytetin shqiptar në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë shqiptarë.

Megjithatë ai shpjegoi se kjo nuk është një çështje personale, dhe nuk ka të bëjë me emrin Hashim Thaçi, por sipas tij, me atë se çfarë partia e tij përfaqëson, çfarë parimesh e programi ka, dhe çfarë ka bërë në këto vite për qytetarët Kosovës, raporton KosovaPress.

Ahmeti, ka pranuar se Vetëvendosja ka pasur një ofertë nga Partia Demokratike e Hashim Thaçit, për bashkëqeverisje, e cila është refuzuar, por në të njëjtën kohë ai ka thënë se nuk i besojnë as AAK-së e as LDK-së.

Ahmeti: Refuzuam PDK-në, por nuk i besojmë shumë as AAK dhe LDK

“Ky koncepti se a do të bashkëpunonim me Hashim Thaçin si emër, kjo nuk ka kuptim për ne. Duhet të tërhiqemi nga personalja. Për herë të parë në Kosovë ne kemi nënshkruar një dokument, akoma nuk është bërë koalicioni se po thonë që Vetëvendosja ka hyrë në koalicion, nuk kemi mbërrit te koalicioni. Është e vërtetë se kemi pasur një ofertë joformale nga Partia Demokratike e Kosovës për bashkëqeverisje të cilën e kemi refuzuar jo për shkak se nuk jemi pajtuar me tekstin i cili ka qenë i shkruar aty po për shkak se mendojmë se ka nevojë për një ndryshim.

A do të thotë kjo se i besojmë ne AAK-së dhe LDK-së më shumë? Absolutisht jo! Ne nivelin e besimit të ndërsjellët e kemi shumë të ulët, por e kemi parë si të domosdoshme që të bëjmë një ndryshim në Kosovë. A do të na kushtojë kjo? Ndoshta! Por megjithatë kjo është bërë me synimin e vetëm sepse nëse mendojmë se Kosova ecën edhe një hap përpara atëherë, ne jemi në gjendje të sakrifikohemi, por në asnjë mënyrë nuk i kemi ndryshuar qëndrimet që kemi”, tha Shpend Ahmeti në Tiranë.

I pyetur nga studentët nëse ekziston mundësia për pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në një koalicion me partitë serbe, Ahmeti, është shprehur se një mundësi e tillë nuk përjashtohet por sipas tij kjo nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike sesa ka të bëjë me qëndrimet e çdo partie.

Uji Dea

Për këtë ai solli një shembull ndërsa tha se në të kaluarën ka pasur intelektualë serbë që me ideologjitë e tyre kanë bërë shumë për Kosovën se sa vetë shqiptarët.

Ahmeti: Nuk e përjashtojmë një koalicion me serbët, nuk nisemi nga etnia

“Nuk e përjashtojmë apriori asnjë diskutim për shkak të përkatësisë nacionale të dikujt. Ne nuk i themi dikujt që je i keq për shkak se je serb. Unë edhe sot për kombin nuk mendoj se jam shqiptar se kam gjak shqiptar por se flas gjuhën shqipe. Për këtë arsye ne i kundërshtojmë marrëveshjet e Serbisë me Kosovën sepse marrëveshja thotë se në veri të Kosovës komandanti i Policisë duhet të jetë serb, domethënë unë si shqiptar nuk mund të jem komandant i Policisë vetëm se kam lindur shqiptar.

Kjo është raciste. Ne nuk bëjmë vlerësime morale për dikë në bazë të nacionalitetit, ama jemi kundër qëndrimeve të Republikës së Serbisë ndaj Kosovës, sepse ata e konsiderojnë Kosovën pjesë të pandarë të Serbisë. Vetëm një shembull t’ju jap, ne mendojmë për shembull që ka pasur intelektualë serb të viteve 1930 apo 1940 që kanë bërë më shumë për Pavarësinë dhe vetëvendosjen e shqiptarëve se sa plot shqiptarë, dhe kjo nuk ka të bëjë me përkatësinë e tyre por me qëndrimin e tyre ideologjik për atë se çka duhet të kemi në Kosovë.

Prandaj nëse unë pajtohem me një person qoftë ai shqiptar, serb, turk, rom dhe pajtohem me faktin se si duhet të duket Kosova, do të bëjmë koalicion natyrisht, por nëse dikush thotë se Kosova duhet të jetë pjesë e Serbisë, nuk të pranoj ty si shtet! A bëjmë koalicion? Natyrisht që nuk do bëjmë koalicion me dikë, por ne nuk bëjmë koalicion as me disa parti shqiptare, pasi varet nga qëndrimet që kanë dhe jo se janë shqiptarë”, tha Shpend Ahmeti.

Të gjitha këto deklarata Shpend Ahmeti i ka bërë gjatë një vizite në Tiranë ku ishte i ftuar në auditorët e një universiteti privat në Shqipëri, për të bashkëbiseduar me studentë dhe pedagogë për situatën politike në Kosovë, parimet e Vetëvendosjes në qeverisje dhe projektet e Komunës së Prishtinës në përmirësimin e jetesës së qytetarëve./E.Duraj/