Uji Dea

Shpejtoni pak

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Ish-Gjenerali i NATO’s, Wesley Clark, po pret nga Qeveria e Kosovës t’i japë leje kompanisë së tij “Envidity” për projektin multi-milionësh që të fillojë prodhimin e naftës. Ai kërkon nga institucionet të shpejtojnë në këtë drejtim, përndryshe projekti mund të shkojë në ndonjë vend tjetër të rajonit.

Njeriu që shihet si shpëtimtar i Kosovës në kohërat më të vështira, po pretendon se do t’i dalë zot këtij vendi edhe ekonomikisht.

Ish Gjenerali i NATO-s, Wesley Clark po pret nga Qeveria e Kosovës t’i japë leje kompanisë së tij “Envidity” për projektin multi-milionësh që të fillojë prodhimin e naftës në rajonin e Dukagjinit.

Por, për të ndodhur kjo duket se ka ende shumë punë për t’u bërë nga ana e institucioneve të vendit dhe nëse këta nuk nguten, projekti mund të bartet në ndonjë vend tjetër të rajonit. Clark të enjten në Prishtinë shpjegoi se po përballet me disa rreziqe që në fazën fillestare të kësaj nisme dhe se është në bisedime me shumë vende të Evropës Juglindore për këtë punë.

Në këtë drejtim duket se institucionet kosovare nuk kanë bërë ndonjë hap me rëndësi.

“Ka ende disa rreziqe në projekt. Ende duhet të bëhen disa punë nga ana e qeverisë për të na mundësuar neve që të vijmë këtu dhe disa analiza për të parë nëse me këtë thëngjill që është mund të punojmë”, ka thënë Clark.

Sipas tij, pengesë kryesore del të jetë mungesa e një strategjie e zhvillimit ekonomik.

Pa një strategji të tillë, që do të krijonte zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe vende pune, asnjë nga vendet e Evropës Juglindore, thotë Clark, se nuk do të kishte stabilitet të qëndrueshëm.

“Çdo vend ka nevojë për një strategji ekonomike. Nuk mund t’u thoni bizneseve ja ku jemi, ejani dhe merrni çfarë të doni. Kosova do të ndërtojë strategjinë e vet ekonomike, të përdorë resurset e saj dhe të përcaktojë prioritetet e veta”, ka pohuar Clark.

Ish Gjenerali i NATO-s shpjegoi se, krahas Kosovës, po e promovon zhvillim ekonomik edhe në vende tjera.

“Ne po punojmë me disa vende të ndryshme, përfshirë Kosovën. Tani ju keni burime të mëdha natyrore, mes tjerash thëngjillin dhe shpresoj se do të ndërtohen strategjitë e duhura dhe të zhvillohet edhe kjo pjesë e ekonomisë”, ka thënë Clark.

Sipas tij, vendet tjera gjithashtu kanë burime të ngjashme dhe këta janë konkurrentë në këtë drejtim.

Uji Dea

Për këtë rekomandon që qeveritë si ajo e Kosovës të jenë në hap me kohën sa i përket politikave të tyre, ligjeve, rregulloreve e standardeve për të qenë në gjendje të garojnë ndërkombëtarisht me vendet tjera.

Clark vlerëson se bazuar në të dhënat që ekzistojnë, Kosova mund të jetë një vend ideal për të zhvilluar projektin që ia ka propozuar qeverisë.

“Nëse do të kemi mundësi ta bëjmë këtë, atëherë do të jemi në gjendje të bëjmë qindra miliona euro investime direkte, ndoshta edhe miliarda. Do të krijojmë vende pune për qytetarët vendës, do të blejmë shërbime dhe produkte nga ekonomia vendëse”, thotë ai.

Muaj më parë kompania e tij energjetike me seli në Kanada, Envidity, ka aplikuar në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale për të pajisur me licencë për hulumtime të avancuara dhe teknologji sizmike për të përcaktuar se sa resurse të thëngjillit të reja ekzistojnë thellë në tokë, të cilat më pastaj mund të kthehen në naftë përmes një procesi të gazifikimit.

Këtë licencë ende nuk e kanë marrë.

Megjithatë, kjo nuk e dëshpëron Clarkun, i cili tha se është shumë interesuar të investojë në këtë vend për shumë arsye.

“Kam lidhje emocionale të mëdha me njerëzit e këtij vendi dhe do të mundohem të bëj çfarëdo që është e mundur për të sjellë zhvillimin ekonomik këtu”, është shprehur Clark.

Nëse ky projekt funksionon, ai është i bindur se do ta vë Kosovën në një pozitë më të mirë ekonomike dhe gjeo-strategjike në rajon.

Envidity tashmë e ka hapur degën e saj në Kosovë – Envidity Energy Kosova LLC, e cila synon të marrë në menaxhim rezervat e pazbuluara të thëngjillit, të cilat pastaj do t’i shndërrojë në naftë sintetike.

Duke përdorur teknika pak të njohura – proceset e gazifikimit nëntokësor të thëngjillit dhe gazit të kthyer në lëng – firma shpreson se do të prodhojë deri në 100,000 barelë të naftës në ditë ose 15 milionë litra.

Ky operacion në Kosovë do të ishte më i madhi i këtij lloji në botë dhe, sipas Envidity, do të investohen 8 miliardë dollarë amerikanë në Kosovë.

Firma po ashtu premton se do ta bëjë Kosovën të pavarur në naftë dhe lëndë djegëse për aviacion përbrenda 6 deri në 7 vjetësh.(express)