Mobi Casa

Shpaloset portreti letrar i dr. Sabile Keçmezit – Bashës

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Veprimtaritë letrare në kuadër të manifestimit tashmë të rregullt, “Vjeshta letrare e Gjilanit” ( edicioni i tretë ), kanë vazhduar me shpalosjen e portretit letrar të dr. Sabile Keçmezit – Bashës.

Nën organizimin e Ars Clubit “Beqir Musliu” (mbështetur pjesërisht edhe nga DKRS-ja), në sallën e KK të Gjilanit, në mesin e shumë krijuesve dhe artdashësve nga Gjilani, Kamenica, Prishtina, Ferizaj e Vitia, i pranishëm ishte edhe kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, si dhe drejtori i DKRS-së , Veton Nevzadi.

I pari i komunës së Gjilanit, në fjalën e tij përshëndetëse, përgëzoi punën dhe veprimtarinë e Ars Clubit “Beqir Musliu” po, edhe krijuesen e gjithanshme dr. Sabile Bashën, për kontributin e madh, dhënë në fushën e letërsisë, historisë po edhe në veprimtaritë tjera publike brenda e jashtë Kosovës.

Ndërsa, pas një letërnjoftimi biografik e letrar, paraqitur nga Sabit Rrustemi, dr. Mehmet Halimi ( njëkohësisht dhe Qytetar Nderi i Gjilanit) paraqiti një vështrim të thuktë për profilin letrar dhe shkencor të Sabile Keçmezit, duke i u referuar librit monografik të Teuta Shalës – Pelit, botuar kohë më parë e që i përkushtohet fund e krye kësaj shkrimtareje e shkencëtareje.

Fundamenti

Për aspektet e përgjithshme të veprimtarisë krijuese të dr. Sabile Keçmezit, foli më pas dr. Faik Shkodra, duke shtjelluar, vlerësuar dhe shprehur konsiderata të larta për veprën letrare po edhe shkencore të saj, brenda këtij 35 vjeçari, prej kur u paraqit në skenën publike, kjo krijuese, shkencëtare dhe veprimtare e palodhur.

Për dramën “Hadi” dhe romanin “Nata pa kornizë”, përmes një kumtese, u paraqit studiuesi i letërsisë, Prend Buzhala.

Ndërsa për veprat e fundit poetike u përkujdes dr. Begzad Baliu, duke e çmuar lart shprehjen e saj artistike dhe kontributin e dhënë nga ana e saj, për letërsinë shqipe.
Kjo veprimtari letrare, e një niveli të lart letrar e shkencor, që u moderua nga poeti dhe kritiku letrar, Nexhat Rexha e ku deklamuan poezi nga opusi i kësaj shkrimtareje, aktori i shquar, Ramadan Kurti dhe talentja e re, Erza Matoshi, i u përkushtua dhe 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si dhe gjithë veprimtaritë letrare të këtij viti që po i organizon Ars Clubi “Beqir Musliu”.

Veprimtari e radhës e “Vjeshtës letrare të Gjilanit” është me 17 nëntor ku do të bashkëbisedohet për poezinë e poetit gjilanas, Xhevat Latifit./rajonipress/