Shpallet i pafajshëm kosovari: Akuzohej se i ka vënë zjarrin restorantit të vet

Prokurorja kishte kërkuar 8 vjet burgim. Gjykata Penale e Lucernit e ka shkarkuar atë nga fajësia për veprat penale zjarrvënie dhe tentim vrasjeje të shumëfishtë me paramendim.

Ish-menaxhuesi i lokalit “Untertor” në Wilisau të Kantonit të Lucernit nuk është fajtor për akuzën e cila e ngarkonte: për zjarrvënie të qëllimtë në restorantin e tij. Gjykata Penale e Lucernit e ka shkarkuar atë nga fajësia për veprat penale zjarrvënie dhe tentim vrasjeje të shumëfishtë me paramendim, shkruan luzernerzeitung.ch.

Por kosovari 45-vjeçar nuk është liruar nga të gjitha akuzat. Ai është fajësuar edhe për mbajtjen në shtëpi dhe punësimin ilegal në Zvicër të një kushëriri, transmeton. Për këtë delikt atij i është shqiptuar një dënim me kusht me para: 120 njësi ditore nga 60 franga ose gjithsej 7200 franga si dhe një gjobë prej 1000 frangash. Ai duhet të paguajë po ashtu një të pestën e shpenzimeve procedurale, që i bie rreth 3000 franga.

Vendimi gjyqësor ende nuk është i plotfuqishëm. Kështu, mbetet i panjohur arsyetimi i gjykatës për lirimin e kosovarit nga akuzat, shkruan gazeta në fjalë. I akuzuari, në procesin e zhvilluar më 26 nëntor, e ka mohuar zjarrvënien.

Restoranti “Untertor “ në pjesën e qytetit të vjetër të Vilisaut, pak pas mesnatës së 15 janarit të vitit 2016 qe kapluar nga zjarri. Shumë veta që banonin në banesat mbi restorant nuk arritën të iknin nga vendi i ngjarjes por u desh të shpëtoheshin nga zjarrfikësit. Hetimet kishin ardhur në përfundimin se mobilet e restorantit ishin lagur me benzinë dhe u ishte futur zjarri.

Për prokuroren e rastit, zjarrvënës kishte qenë i zoti i restorantit. Ajo është përpjekur që këtë pretendim të saj ta argumentojë me të dhënat në telefonin celular , të cilat dëshmonin praninë e tij në afërsi të vendit të ngjarjes. Motivi i tij për të vënë zjarrin duhet të ketë qenë në problemet financiare ku ai gjendej sipas prokurores, përcjell albinfo.ch. Për t`i hequr qafe këto probleme, ai në mënyrë të pamëshirshme ka vënë në rrezik jetët e të tjerëve duke i vënë zjarrin restorantit.

Në të vërtetë, i akuzuari ka pasur deklarime kundërthënëse lidhur me vendqëndrimin e tij në natën e shpërthimit të zjarrit. Prokurorja e lëndës ka kërkuar dënim me tetë vite heqje lirie për të akuzuarin.

Por avokati i tij e ka kontestuar para trupit gjykues vlefshmërinë e të dhënave nga celulari. Prania e tij në Willisau ose në vendin e shpërthimit të zjarrit nuk mund të dëshmohet me to. Edhe problemet financiare si motiv ai i ka kundërshtuar, sepse i akuzuari me një zjarrvënie të tillë do të shkatërronte bazën jetësore të cilën e kishte ngritur vetë. Avokati ka sjellë në “lojë” edhe një person të tretë, të panjohur, transmeton albinfo.ch. Ai ka thënë se është e pakuptueshme përse prokuroria e ka përjashtuar një të tillë.

Sipas tij, dera e restorantit ishte thyer dhe njëri nga dëshmitarët e kishte parë një burrë duke ikur nga aty.

Me rastin e zjarrit, në ndërtesën shtatëkatëshe ishin shkaktuar dëme prej 1.43 milion frangash. Pesë banorë është dashur të zhvendoseshin nga aty. Një 93-vjeçar është dërguar në spital me dyshimin se ishte helmuar nga tymi.

Shpallet i pafajshëm kosovari: Akuzohej se i ka vënë zjarrin restorantit të vet

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).