“Shota” e Zvicrës, nga Gjeneva drejt Vlorës me kalë të bardhë

Një grup kalorësish, të prirë nga Teuta Biba nga Gjeneva, me veshje kombëtare dhe me kalë të bardhë, kanë nisur në rrugëtimin historik nga Kulla e Jasharajve në Prekaz dhe për 8 ditë do të rrugëtojnë nëpër shtigjet, të cilat kanë kaluar Isa Boletini me delegatët nga Kosova para 100 vitesh me destinacionin e fundit Vlorën, më 28 Nëntor, për të nderuar Përvjetorin e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë.

Teuta Biba, e rritur në Zvicër, ku edhe ka mbaruar studimet në Universitetin e Gjenevës, është e njohur në Zvicër si kalorëse e mirë e kuajve. Për tetë vjet me radhë ajo ka marrë edhe disa mirënjohje në këtë drejtim si sportiste e shkëlqyer me kuaj në disa gara.

Teuta Biba i ka deklaruar agjencisë informative “Presheva Jonë”, se “grupi do të ketë disa ndalesa nëpër disa nga vendet historike të trojeve shqiptare dhe do ta shpalosë kohë pas kohe edhe flamurin kombëtar gjigant me 3050.95 m. gjatësi”.

Siç mësohet nga Teuta, grupi i kalorëve ka hyrë sot në Prekaz. Tek kulla e Adem Jashar-it janë pritur nga kryetari i komunës, Rifat Jashari, ambasadori i Shqipërisë, shefi i ri Protokollit të Shtetit, por gjithashtu edhe nga fëmijët e SOS.

“Tek kulla e Jasharëve u kënduan këngë nga fëmijët, pastaj hymë në Odë dhe brenda në kullë të Adem Jasharit për një kafe. Drekë për fëmijët dhe ushqim tradicional për rrugë; fli, pite, ammm..sa të mira!” tregon Teuta.

Ky aktivitet tërheqës vjen si ide e Enver Raqas dhe Hysni Sadikajt, Artan Mjekiçit, Jeton Gashit, Agron Ivanit dhe Fatmira Gjonit në bashkëpunim me Shoqatën e Turizmit Alternativ të Kosovës dhe të disa sponsorëve. Teuta Biba, një shqiptare e rritur dhe e shkolluar në Gjenevë, ka premtuar se pas kthimit nga Vlora do ta sjellë një flamur kuq e zi për Preshevën. /preshevajonë/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS