Shoqëria civile, argat i oligarkisë
Shoqëria civile, argat i oligarkisë. Pa u lidhur me pushtetin nuk mbijetojnë as OJQ-të.
Lidhjet e grupeve të interesit nga partitë politike me shoqërinë civile shuajnë shpresat e qytetarëve për ndryshime pozitive në shoqëri dhe shtetndërtim, duke u bazuar në alternativat nga organizatat joqeveritare
Pavarësisht faktit që në Kosovë vepron një rrjet i madh i OJQ-ve si strukturë që bën pjesë në të ashtuquajturën shoqëri civile e pavarur dhe mbikëqyrëse e fushave të ndryshme të qeverisjes, me qëllim të monitorimit, raportimit dhe këshillimit për përmirësimin e këtyre politikave, qytetarët e vendit mbeten akoma shumë të zhgënjyer në rezultatet dhe punën e këtyre organizatave.
Kjo humbje e besimit në shoqërinë civile në vend vjen e bëhet akoma më e theksuar edhe duke u bazuar në zhvillimet e fundit politike të muajve të kaluar, ku ende mungon një alternativë e besueshme. Kjo situatë krijon bindjen se edhe shoqëria civile është pa pikë shprese për qytetarët, se mund të ndryshojë diçka pozitive në politikën kosovare, kur dihet shumë mirë se një pjesë e madhe e tyre janë një lloj krahu i djathtë i partive korporative në pushtet, sikur edhe të lidhur me oligarkinë më të fuqishme në vend, por edhe një pjesë tjetër goxha e madhe janë në funksion dhe përdoren për interesat e veçanta të partive të fuqishme, pozitë apo opozitë. “Është shumë e vërtetë që nga ajo pjesë shoqërisë civile, e cila më së paku mund të quhet shoqëri civile, nuk ka asnjë pikë shprese për qytetarët se mund të ndryshojnë diçka pozitive në politikën kosovare, por kjo nuk do të thotë se e gjithë shoqëria civile është e tillë dhe vegël e partive në pushtet ose e grupeve të caktuara të interesit”, tha për “Kosova Sot” politologu Faik Krasniqi./kosova sot/


