Shoqëria bjeshkatare “MAJA” përkujton Drita Bajramin, një grua e devotshme, një grua e suksesshme, një grua me shumë vlera
Gjilan – “Drita ka qenë Dritë për Majën, një grua e urtë, e dashur, e sinqertë. Me të kemi pasur mundësi të ecim, të ngjitemi në shumë maja. Me qetësinë që e kishte gjithmonë ka qenë mikja ime më besnike pasi kemi mundur të ndajmë gjithçka me të”, ka pohuar ndër të tjera Shpresa Rama, me rastin e njëvjetorit të ndarjes.
Postimi i plotë:
Sot, në njëvjetorin e ndarjes nga ne të Drita Bajrami-Kajtazi dhe në nderim të kontributit të saj, kemi realizuar një ecje në një pjesë të Artanës.
Fillimisht, kemi bërë homazhe para varrit të Dritës më pastaj, kemi vazhduar drejt Artanës.
Para se të fillonte ecja, profesor Bujar Mujaj, në emër të ShB “MAJA”, si organizatore, para të pranishmëve ka risjellë momente përshtypjesh e vlerësimesh për Dritën.
“Të flasësh në momente të këtilla s’është e lehtë aspak, aq më tepër për Dritën, një dashamirëse e bjeshkës; një udhërrëfyese, them unë, origjinale e promovimit të ecjeve në bjeshkë dhe një grua e cila në çdo ecje shquhej për natyrën e saj të butë e mirëkuptuese”, ka pohuar ai duke shtuar se ndarja e saj e hershme, përveç për familjarët, ishte goditje e rëndë edhe për të tjerët. “Ajo iku, por prapa la kujtime të mira duke qenë pjesë e ecjeve tona që nga fillimi edhe deri te ekspedita e fundit”, thënë ai duke shtuar se kujtimet për të do të jenë të përhershme.
Më pas ka folur dhe Mirjeta Dobraj, e cila ka thënë se aq sa ndihet e prekur nga largimi i saj kaq i hershëm, ndihet krenare që vitet e fundit arriti ta njihte nga afër Dritën.
“Ajo ka qenë një grua e devotshme, një grua e suksesshme, një grua me shumë vlera e cila me butësinë e vet na ka bërë të gjithëve për vete”, ka thënë ndër të tjera Dobraj.
Ndërsa Flora Misini, gjithashtu, ka vlerësuar sjelljet dhe kujdesin që e merrte prej Dritës, edhe gjatë ecjeve, edhe gjatë ekspeditave që bëheshin jashtë.
Edhe Shpresa Rama, pjesë e aktiviteteve tona prej vitesh, ka thënë se Dritën e kishte më shumë se një shoqe bjeshke.
“Drita ka qenë Dritë për Majën, një grua e urtë, e dashur, e sinqertë. Me të kemi pasur mundësi të ecim, të ngjitemi në shumë maja. Me qetësinë që e kishte gjithmonë ka qenë mikja ime më besnike pasi kemi mundur të ndajmë gjithçka me të”, ka pohuar ndër të tjera Rama.
Një mesazh vlerësimi për Dritën nga Çikago e ShBA-ve, është dërguar nga profesoresha e filozofisë, Hasnije Ilazi.
“Nga larg jam me mendje me ju. Drita mbetet një grua shumë e çmuar si shoqe, si bjeshkatare si një familjare shembull”, thuhej ndër të tjera në mesazhin e saj me shpresën që kujtimet e mira për Dritën do të jenë të përhershme.
Në emër të familjes, të gjithë pjesëmarrësit në këtë ecje, i kanë falënderuar Shuki Bajrami, motra dhe Agim Kajtazi, burri i Dritës./rajonipress/




