Shoqata e Naftëtarëve s’i beson MTI-së për cilësinë e naftës

Prishtinë – Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës përmes një komunikate për medie ka shfaqur shqetësimin për situatën e krijuar rreth cilësisë së naftës.
Ajo i ka cilësuar jo valide vlerësimet e MTI-së. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka përcjellë me shqetësim lajmet e ditëve të fundit ku Komuna e Prishtinës ka alarmuar për nivelin e lartë të squfurit në naftën që është gjetur në shkollat fillore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani.
Sipas Ligjeve në fuqi në territorin e Republikës së Kosovës, cilësia e karburanteve rregullohet me Udhëzimin Administrativ nr. 07/2012, sipas të cilit maksimumi i lejuar i sulfurit është 10 ppm, vazhdon komunikata.
Menaxhimi i deritanishëm për kontrollin dhe garantimin e cilësisë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk është fare adekuat dhe nuk garanton cilësi e as siguri siç po tregon edhe rasti i fundit në komunë.
Shoqata e naftëtarëve po pret rezultatet e analizave nga shkollat e ndryshme dhe ju bën thirrje organeve kompetente të merr masat e duhura për të mos lejuar cilësi të tillë të naftës askund në territorin e shtetit tonë e lërë më në shkollat tona.
Berjani i tha Koha.net se gjatë javës do të mblidhet Kuvendi i Shoqatës për të diskutuar situatën. Por ai i quajti inkompetente vlerësimet e MTI-së.