Mobi Casa

“Shok” vë kinematografinë shqiptare në hartën e botës së filmit

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Pjesëmarrja e filmit “Shok” përpos që ishte një moment historik, pati edhe jehonë të madhe mediale në gjithë botën, ku përveç industrisë së filmit në Kosovë, i bëri nder edhe Kosovës si shtet i ri, duke vënë kinematografinë kosovare në hartën e botës së filmit. Edhe pse nuk fituan çmimin “Oscars” ata kanë arritur të plotësojnë një ëndërr që njëkohësisht japë shpresë për të gjithë kineastët e Kosovës se arritja aty nuk është e pamundur.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se ky fillimvit ka qenë shumë i suksesshëm për kinematografinë kosovare. “Fakti që një film kosovar ka qenë i nominuar për “Oscars” na ka bërë tepër krenarë dhe e ka ngritur kinematografinë tonë në nivel më të lartë”, është shprehur Zharku, duke cekur se ceremonia e natës së djeshme ishte e mrekullueshme dhe konkurrenca në “Live Action Short Film” ka qenë e fortë. “Mirëpo, vëmendja aq e madhe për filmin ‘Shok’ nga të gjitha anët e botës, si dhe arritja deri këtu ka bërë që ne të jemi fitues”, ka thënë Zharku sipas të cilit ishte një eksperiencë e paharrueshme gjithashtu edhe për aktorët Lum Veseli dhe Andi Bajgora, të cilët për herë të parë bashkë me Kosovën ishin pjesë në ceremoninë e ndarjes të çmimeve “Oscars”. “Përjetuan momente shumë të bukura dhe arritja deri këtu ka qenë një ëndërr e bërë realitet dhe gjithë kjo ngjarje ua ka hapur dyert me botën për filmat kosovarë”, ka thënë Zharku.

Për aktorin Lum Veseli kjo ishte një kohë e paharrueshme për të gjithë. “Jo vetëm për ekipin, por për të gjithë shqiptarët anembanë botës, pra në momentin kur erdhi koha e kategorisë isha gati për të qarë, por kur e mora vesh që nuk e fituam prapëseprapë isha i lumtur me arritjen tonë”, është shprehur Veseli për të cilin takimi me aktorët më të njohur të botës ishte gjëja më fantastike në botë.

Sipas regjisores Blerta Basholli pjesëmarrja e filmit “Shok” ishte një moment historik dhe i hap rrugë kinematografisë kosovare. “Mjafton që është folur dhe dëgjuar aq shumë për Kosovën dhe filmin nga Kosova”, ka thënë regjisorja duke shtuar se Kosova ka regjisore dhe regjisorë të rinj shumë të mirë, të cilët me ndihmën e QKK-së gati çdo vit po e realizojnë nga një film të gjatë. “Shumica e të cilëve pritet të udhëtojnë në shumë festivale të rëndësishme të filmit, pse jo edhe në ‘Oscars’”, ka thënë Basholli, e cila është shumë e lumtur që aktorët nga Kosova arritën të shihen nga profesionistë të kinematografisë nga e gjithë bota. “Në ‘Oscars’ më të vërtetë është shumë me rëndësi pjesëmarrja, andaj nuk jam edhe aq e zhgënjyer që nuk e kemi marrë çmimin”, është shprehur regjisorja.

Hidromorava

Për regjisorin Fatos Berisha ishte ndjesi e jashtëzakonshme të shohësh ekipin e filmit “Shok” duke parakaluar mbi tepihun e kuq. “Sidomos prezenca e dy aktorëve të rinj ishte shumë emocionuese. Kjo ëndërr e tyre e plotësuar ishte njëkohësisht shpresë për të gjithë kineastët e Kosovës se arritja aty nuk është e pamundur”, ka thënë Berisha sipas të cilit gara për filmat e shkurtër është më e fortë sesa e filmave të gjatë. “Derisa filmat e gjatë nominohen drejtpërdrejt nga shtetet e gjithë botës, filmat e shkurtër kanë një rrugë shumë më të gjatë dhe më të vështirë”, është shprehur Berisha duke shtuar se është shumë e vështirë të futesh në programet garuese të këtyre festivaleve. “Pra, krejt kjo e bën rrugëtimin e filmit ‘Shok’ edhe më të mrekullueshëm”, ka thënë regjisori ku, sipas tij, nominimi i filmit pati jehonë të madhe mediale në gjithë botën, gjë që përveç industrisë së filmit në Kosovë i bëri nder edhe Kosovës si shtet i ri. “Me këtë u vërtetua se sa i rëndësishëm është investimi i vendit tonë në kinematografi”, është shprehur Berisha, i cili pret rritje të interesimit për industrinë e filmit të Kosovës nga producentë e filmbërës nga tërë bota. “Gjithashtu vendimmarrësit në institucionet shtetërore duhet ta rrisin mbështetjen për kinematografinë, e kulturën në përgjithësi dhe të shumëfishohen fondet publike për kulturë dhe për QKK-në në veçanti”, ka thënë Berisha.

Për Ben Apollonin filmi “Shok” është shumë mirë i realizuar dhe me meritë ka fituar gjithë këtë admirim dhe nominimin për “Oscars”.

“Filmi ka pasur sukses për shkak të vlerave që ka, por edhe për shkak se është menaxhuar në mënyrë shumë të mirë”, është shprehur Apolloni duke cekur se “Shok” e ka vënë kinematografinë shqiptare në hartën e botës së filmit. “E për këtë e falënderoj shumë regjisorin dhe skenaristin”, është shprehur Apolloni, i cili shpreson që edhe filma të tjerë të prodhuar nga shqiptarët të shkojnë në “Oscars”. “Tema, ngjarje ka shumë këtu vetëm duhet të mësohemi t’i rrëfejmë bukur ashtu siç ka bërë Jamie”, është shprehur Apolloni.

Sipas regjisorit Fatlum Haziri filmi “Shok” është filmi i parë që la gjurmë në historinë e kinematografisë shqiptare duke u nominuar për “Oscars” në mesin e filmave më të mirë dhe njerëzve që bënë histori në kinematografi. “Është me rëndësi të madhe që Kosova përherë të parë është nominuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ‘Oscar’. Ky veprim ka bërë që Kosova të njihet në fushën e kulturës, por gjithashtu pasqyron të vërtetat e kësaj shoqërie. Përparësi e madhe është se Kosova mund të ketë rast të mirë që filmat e tjerë dhe autorët e rinj të plasojnë veprat e tyre në produksionet gjigante të botës”, ka thënë Haziri sipas të cilit pjesëmarrja në ceremoninë me prestigjioze në botë e rrit interesimin e producentëve të mëdhenj botërorë që fusha e kinematografisë së Kosovës të zhvillohet. “Njëkohësisht kjo e ngre edhe nivelin ekonomik. Kosova gjithashtu ka shtrirje të mirë gjeografike për të bërë film, peizazhe, fusha, male dhe lumenj, monumente historike arkitektonike, si skenografi origjinale. Në Kosovë tregu është i lirë dhe me mundësi të mëdha nga produksionet e huaja për të ekranizuar ngjarjet kult të këtij vendi”, ka thënë Haziri./zeri/