Uji Dea

Shkuarja në amshim, e prokurorit Ismet Ukshini, boshllëk i madh në sistemin e drejtësisë në vend

/ 8 minuta lexim

Gjilan – Me një pamje që fillimisht të linte përshtypjen e ndonjë Ambasadori Amerikan, prokurori tashmë i ndjerë Ismet Ukshini, ishte i lindur për të qenë një prokuror. Të gjitha atributet e tij njerëzore, personale, psiko-motorike dhe profesionale, përbënin profilin e përkryer të një prokurori ideal. Aq sa mund të vlerësoj, asnjë profesion tjetër, përpos profesionit të prokurorit, që më shumë dedikim e ushtroi, nuk do t’i flinte më mire, prokurorit tash më të ndjerët Ismet Ukshini. Me një fjalë “i kishte hije vendi në punën që e bënte”.

Për të folur rreth të arriturave profesionale dhe zhvillimit të vazhdueshëm, gjë që me shumë përkushtim e bëri gjatë gjithë jetës, konsideroj se gjërat e tilla sidomos për komunitetin profesional, gjithnjë kanë qenë dhe janë të ditura, pasi i ndjeri ishte i etur për dije dhe zhvillim, punonte për profesion e jo për karrierë, që gjë të gjithë ata që janë pjesë e sistemit të drejtësisë, e kanë të njohur shumë mirë.

Edhe pse personalisht gjatë gjithë kohës, kam pasur pozicione profesionale dhe detyra diametralisht të kundërta me prokurorin Ismet, pasi që detyrë dhe parim themelorë profesional e ligjor i punës së tij si prokuror ka qenë “parimi akuzator”, ndërsa i imi si avokat ka qenë parimi “mbrojtës”, me sinqeritetin më të madh them se, prokurori Ismet, asnjëherë nuk është nisur nga ai parim, pasi që bazuar në përvojat e mija profesionale që kam pasur me të njëjtin por edhe në të kaluarën deri sa si një fillestar në profesion e kam aistuar babain tim, tani më të ndjerë avokatin Avni Jashari, që ishte mik me prokurorin Ismet dhe e vlerësonte maksimalisht, me shumë sinqeritet them se si parim kryesor i tij gjithmonë ka qenë “nxjerrja e drejtësisë në pah”, e jo vetëm “drejtimi i akuzave ndaj të dyshuarve”. Po ashtu, i njëjti në mënyrën më të mirë ka ditur që të trajtojë me shumë dinjitet edhe “avokatin”, duke e konsideruar si një “partner në luftimin e krimit dhe zbardhjen e së drejtës” dhe kur ndonjëherë në ndonjë moment ne si avokatë për shkak të detyrave tona të punës, mund të kishim mendim tjetër nga ai, ai gjithmonë e kishte shprehi të thoshte “avokat, hiç mos e ki dert me mu, e kuptoj pozicionin dhe detyrat e tua, vazhdo pa merak, kryje punën tënde, se vetëm atëherë të vlerësoj”, gjë që na bënte të ndiheshim me të vërtetë të dinjitetshëm dhe të motivuar për punë.

Nisur nga përvojat që personalisht kam pasur me të ndjerin por, besoj që edhe kolegët e tjerë avokat, prokurori Ismet, gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve, ishte në gjendje që fillimisht qytetarin e dyshuar t’a lehtësonte shpirtërisht nga barra e rëndë e përgjegjësisë, ku i njëjti ndjente obligim shpirtëror dhe moral që fillimisht pa përtesë dhe me shumë përkushtim mundohej që “pa protokol” t’ia bënte me dije të dyshuarit “që sjellja e tij që ka qenë ndesh me ligjin, nuk është e hijshme por, të gjithë mund të gabojmë …”, i këshillonte, sidomos gjeneratat e reja që të largoheshin nga dukuritë negative, duke u propozuar shumë zgjidhje të tjera alternative, në mënyrë që ata të kuptonin se ishin gabim, e pastaj në fund u thoshte se “e kuptoj, kësaj rradhe ke gabuar, siç kishim mujtë me gabu të gjithë ne dhe jam shumë i bindur që ti më nuk do ta përsëritësh gabimin e njëjtë”, duke i’u marrë shumë shembuj praktik nga jeta e përditshme, e pastaj fillonte marrjen në pyetje të të pandehurit. Kjo sjellje dhe ky përkushtim i tij, ka bërë që shumë persona që kanë qenë në cilësinë e të pandehurit, të pendohen thellësisht për veprimet e tyre dhe të përmirësohen deri në atë masë, sa është për t’u marrë lakmi. Në shumë raste, me ish klientët e mi, kemi kujtuar fjalët që prokurori Ismet u thoshte të njëjtëve, ku sa herë që fillonte marrjen në pyetje të ndonjë të pandehuri e kishte zakon që t’u thoshte se “mos mendo qe jam i gëzuar që t`i je sot këtu para meje… por, vetja jote dhe ligji të kanë sjellë këtu ku je” dhe në fund çdo herë qytetarëve u thoshte “shpresoj që asnjëherë më në jetë të mos takohemi këtu (në prokurori dhe në rrethana të tilla) por, të takohemi në rrethana krejtësisht tjera, e të shoh që ke përparuar…”. Me një fjalë nuk i gëzohej asnjëherë rritjes së kriminalitetit dhe ky fenomen e mundonte dhe e brengoste vazhdimisht, sidomos kur një gjë e tillë kishte të bëjë me gjeneratat e reja dhe i njëjti përkundrazi, edhe pse e kishte profesion prej të cilit jetonte, uronte që njerëzimi të mos kishte nevojë fare për prokurorë e gjyqtarë dhe bota të ishte një vend ku do të kishte gjithmonë vetëm paqe.

Paraqitja e tij, mbrojtja e aktit të akuzës në seancë gjyqësore dhe leximi i së njëjtës nga prokurori Ismet, pa asnjë dyshim vlerësoj se duhet të merret shembull nga të gjithë, pasi që ishte shumë profesional dhe me shumë dedikim e bënte punën e tij. Mënyra se si e punonte një aktakuzë, radhitja e fjalëve me shumë kuptim dhe thjeshtësi por, me shumë profesionalizëm, bënte që ne si profesionistë, pa e shikuar fare emrin e prokurorit në fund të aktakuzës, të kuptojmë që “ky është akt i përpiluar nga prokurori Ismet”, e që jo të gjithë e kanë një cilësi të tillë, siç e kishte prokurori, tashmë i ndjerë Ismet Ukshini.

Uji Dea

Me dhimbje të thellë, para pak ditësh i dhamë lamtumirën e fundit Dr. Sc. Simet Ukshinit, një dijetari dhe një profesionalisti prej më se tri dekadash, një prej figurave që kontribuoi fuqishëm nëpër periudhat më të rënda për t’u përballur me fenomenet e krimit në vendin tonë.

Prokurori Ismet, kishte tipare të admirueshme të qëndresës, qetësisë, urtësisë dhe durimit, cilësi të rralla këto, që e kanë karakterizuar të njëjtin, ashtu siç e kemi njohur deri më sot. Ai diti t’i përballojë të gjitha sfidat, si profesionale ashtu edhe jetësore dhe kishte durimin dhe këmbënguljen për t’ia dalë çdo pune deri në fund, pa e humbur as shpresën, as kthjelltësinë, e për këtë fletë vetë trashëgimia e pasur dhe e vëllimshme që na ka lënë, ajo që do të jetojë e dëshmojë për të ndër breza dhe do të na shërbejë të gjithë neve si “një praktike juridike” në të ardhmen.

Ai nuk u formua si dijetar rastësisht dhe brenda natës, por i njëjti e ndërtoi figurën e tij me një durim të pashoq, me një këmbëngulje të pabesueshme, me një fuqi e energji shpirtërore shumë sfiduese.

Vlerësoj që prokurori Ismet Ukshini, si personalitet kreu me dinjitet të gjitha detyrat e tij, duke qenë në të gjitha fazat e tij të jetës një vigan i denjë i profesionit që ushtronte. Roli i tij për një jetë të ardhshme të sigurtë për qytetarët e vendit tonë, ku do të sundojë ligji, në shumë momente ka qenë përcaktues.

Andaj, familjarë të prokurorit tani më të ndjerë Ismet Ukshini dhe të gjithë kolegët, konsideroj që gjithë çfarë kolegu ynë i nderuar kishte të vdekshme tash më i është falur tokës, ndërsa gjithë pjesa tjetër, e pavdekshmja është me ne dhe jashtë saj. Ajo është tashmë është pjesë e trashëgimisë më të mirë të drejtësisë së vendit tonë, është në duart e brezave të rinjë, ku do të vazhdojë të jetojë përgjithmonë me emrin e Dr. Sc. Ismet Ukshinit./hamdi jashari/rajonipress/