RCCOLA

Shkrime që thërrasin për ndërgjegjësim për të pandërgjegjshmit…

/ 4 minuta lexim

Nga Bilall Maliqi – Raif Gashi, “Krejt mbrapsht”, shb “Lena” Prishtinë, 2020, fq.212). Raif Gashi, krijues i disa zhanreve letrare, për opinionin artdashës është i njohur, duke u servuar lexuesve botime të ndryshme dhe me vlera të qëndrueshme letrare. Kësaj radhe, krijuesi, Gashi, doli me një libër krejt të veçantë me një titull po ashtu interesant dhe nxitës për lexim dhe shtjellim “Krejt mbrapsht”, ku brendia e librit përthekohet me opinione, kritikë dhe rrëfime nga më të ndryshmet.

Në këto shkrime të parafrazuara jepen mendime të lloj – llojshme, origjinale të autorit, të cilat shpërfaqin botën e brendshme të këtij krijuesi, që atë që e ka brenda shpirtit të tij e paraqet bukur, thukët dhe në mënyrë sa më koncize.

Këto shkrime ngjeshëm si tërësi, pa ndarje në cikle apo kapituj dhe si të tilla japin një ngjyrim interesant te lexuesit, sepse materiali i shtrirë në brendi të tekstit është i larmishëm, me ngjyrime të ndryshme dhe me mesazh të fuqishëm për lexuesit e të gjitha grupmoshave.

Nga realiteti në realitet…

Në secilën pjesë të rrëfimeve të tij, qofshin ato opinione, kritikë apo edhe rrëfime, paraqitet një aktualitet i kohës së ikur, një realitet nëpër të cilin kemi kaluar ne dhe gjeneratat e tëra, por që kanë lidhshmëri me realitetin e sotëm në të gjitha lëmitë e jetës sonë. Brenda ka opinione dhe kritika ndërgjegjësimi si të një pjese të popullatës së pandërgjegjshme dhe të klasave të ndryshme politike dhe fetare, të cilat me punët e tyre japin një pasqyrim shumë negativ në shoqëritë tona, e që pena e krijuesit të guximshëm i paraqet në libër, në mënyrë që popullata dhe të gjithë ata që i kanë duart e përlyera apo të gjakosura, asnjëherë nuk mund të rehabilitohen as para drejtësisë e as para popullatës, e cila sytë i ka kah paria politike po ashtu edhe fetare, sepse të gjithë këta duhet thirrur për një unitet, pa korrupsion dhe pa thirrje për mohim qoftë edhe indirekt të ekzistimit të kombit tonë, e jo për pasurim milionësh, në kurriz të popullatës e cila është buzë ekzistencës, sidomos nga koha e pasluftës.

Hidromorava

Një ndër veçoritë e përditshmërive tona është edhe politizimi i skajshëm i shoqërisë sonë, deri te nepotizmi, sepse ashtu është ndërtuar ky sistem shumë i ulët dhe negativ në shoqërinë tonë dhe në Ballkan në përgjithësi, ku siç thotë autori “jemi në gjendje me politizue shiun e borën” e lëre më të tjerat.

Shkrime të shkurtra

Të gjitha këto shkrime që shkrihen brenda këtij libri janë tekste të shkurtra, të lezetshme për lexim, janë të shkruara me një gjuhë të kapshme dhe të kuptueshme për secilën shtresë të shoqërisë dhe si të tilla shumë lehtë futen në “ hatër” të lexuesit që t’i lexojnë, sepse ashtu si i ka shkruar autori këto shkrime edhe qëndrojnë . Ato nuk janë të ngarkuara me fjalë të tepërta, apo me përsëritje të padëshirueshme të fjalëve, ato janë rregulluara konform situatës dhe kohës kur janë shkruar, e këto shkrime autori i ka shkruar të gjitha gjatë vitit 2016, të botuara nëpër portale të ndryshme e mandej të gjitha këto i ka tubuar dhe i ka futur në këtë botim të veçantë dhe interesant.

Libri me opinione, kritikë por edhe rrëfime jep një pasqyrim korrekt të dy kohëve, asaj të shkuar apo të kaluar, por edhe të sotmes, me të cilën po ballafaqohemi me padrejtësi nga më të ndryshmet.

Ky libër ia vlen të lexohet përveç nga lexuesit e rëndomtë, duhet të lexohet edhe nga ata që dredhin politikë, nga politikanët dhe prijësit fetarë të parehatshëm, si në aspektin e rregullimit të shëndoshë të shoqërisë, por edhe në atë kombëtar, në mënyrë që mos të jetë /krejt mbrapsht/ por të jetë (krejt) mbarë…/rajonipress/