Shkoni deri në gjykatë

Kërkesa e opozitës, që Kuvendi i Kosovës ta zhbëjë vendimin për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike apo ajo e kryetarit të BSPK-së për mospagesën e energjisë elektrike të shpenzuar, është presion ndaj ZRRE-së dhe shmangie nga rruga ligjore për trajtimin e këtij problemi.
Sikur nuk po kuptohet se ekonomia e tregut ka rregullatorë të pavarur. Integritetin ua garanton ligji, të cilin e sponsoron Qeveria e Kosovës apo ndonjë dikaster i saj, kurse i miraton Kuvendi i Kosovës. Ndërkaq, vendimet e asnjë autoriteti rregullativ nuk mund të ndryshohen përmes ndërhyrjeve arbitrare të institucioneve të pushtetit, apo të kujtdo tjetër, pos përmes gjykatave.
Por, kjo sikur nuk po kuptohet. Shqetësimi i arsyeshëm për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike, duket se ka tronditur edhe ata që marrin pjesë në miratimin ligjit. Ata kanë harruar se çfarë kanë votuar dhe cila është rruga ligjore për ndryshimin e gjërave.
Nga deputetët ka pasur deklarata se “do të provojmë që vendimi për tarifat e rrymës të zhbëhet. Kjo do të kërkohet në Kuvendin e Kosovës”; se “do të gjinden alternativa tjera në Kuvendin e Kosovës për ta kundërshtuar këtë shtrenjtim të rrymës”. Por edhe të tjera më racionale se “ne jemi në planifikim të aktiviteteve për kundërshtimin e kësaj rritjeje”.
Ndërkaq, vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike e ka miratuar Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si një rregullator me kompetencë për rregullimin e tregut. Ai ka treguar edhe arsyet se pse ka lejuar që shtrenjtimi të jetë 8,9 për qind, madje edhe duke mospranuar kërkesën e KEK-ut për një ngritje 23 për qind. Arsyetimet sado që mund të qëndrojnë nga aspekti komercial, por janë të papranueshme për konsumatorin, i cili edhe më tej po varfërohet. Për më keq, ngritja e çmimit të energjisë elektrike mund të nxisë edhe një varg shtrenjtimi të tjera, për shkak të pjesëmarrjes së lartë të kësaj komponentë në koston e prodhimit.
Nga ky aspekt duhen pranuar kritikat që i adresohen ZRRE-së, si edhe hulumtimin e alternativave për anulimin këtij vendimi. Mirëpo, nuk ka asnjë iniciativë që të gjitha përpjekjet të kanalizohen në rrugën e drejtë, atë ligjore – në gjykata. Të paditet Bordi i ZRRE-së.
Një iniciativë të këtillë mund ta ndërmerr secili, duke filluar nga konsumatori individual apo komercial, shoqëria civile, ndonjë institucion i pushtetit…
Ligji në mënyrë të drejtë e ka kanalizuar çështjen në këtë drejtim. Sipas tij, secili vendim mund të kontestohet, kurse gjykata ka kompetencë të vlerësojë se a ishte ai i drejtë apo jo. Në thelb, kjo është mënyra më e mirë që të mbrohet pavarësia e këtij rregullatori, por në të njëjtën kohë askujt të mos i mohohet e drejta për padi.
Mirëpo, në ambientin kosovar ndodhë diçka tjetër. Të gjitha presionet burojnë nga dyshimet se autoritet janë të manipulueshme, se ato mbrojnë interesa të grupeve të caktuara, ndërsa gjykatat dirigjohen nga politika dhe nga individët me fuqi dhe me ndikim. Prandaj insistohet për hapjen e debateve , apo për futjen e institucioneve në lojën ku nuk e kanë vendin. Nëse ato pranojnë skenarët e tillë, atëherë hapet mundësia për centralizimin e fuqisë vendimmarrëse, apo për rregullimin tregut sipas dëshirës së një institucioni, e jo sipas interesit të të gjithë aktorëve që marrin pjesë në të. Madje, as kjo nuk mund të funksion përderisa nuk bëhen ndryshime në ligjet aktuale, meqenëse veprimet e këtilla do të ishin krejtësisht të paligjshme.
Por, gabimi më i madh do të bëhej nëse vërtetë ndërmerren iniciativa për ndryshime të këtilla në ligj. Ky do të ishte fundi i ekonomisë së lirë dhe fillimi i asaj të centralizuar.
Ka edhe alternativa tjera: të shkarkohet Bordi i ZRRE-së në po punon keq; apo, deputetë ta tërheqin votën e tyre kur vendosën që tantiema për qymyrin të ngrihet për dhjetë herë. Paralelisht me kërkesat që problemi i çmimit të energjisë elektrike të futet në agjendën e Kuvendit të Kosovës, presione vijnë edhe nga një anë tjetër. Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës për shkak të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka paralajmëruar protesta dhe ka ftuar konsumatorët që të mos e paguajnë atë, nëse nuk kthehet prapa ky vendim.
Ai shkon edhe më tutje. “Edhe njëherë po kërkojmë nga kryeministri dhe besoj që ai do ta shqyrtojë në kabinetin e tij. Jam i bindur se nëse e logjikojnë pak më shtruar problemin e ngritjes së çmimit dhe gjendjen alarmante të popullit të Kosovës, besoj që është e rrugës që ta tërheqin këtë vendim”, ka thënë kryetari i BSPK-së.
Pra, Arifi ndaj këtij problemi ka një qasje shumë më të thjeshtë – nuk dëshiron që të fusë në siklet deputetët, apo Kuvendin e Kosovës, por zgjidhja të bëhet me një nënshkrim të kryeministrit. Sipas tij, del që shefi i qeverisë ka fuqi absolute dhe mund të ndërhyjë në të gjitha vendimet ! Forma të tejkaluara kaherë në Kosovë, të cilat madje nuk janë as në platformën e asnjë sindikate, nëse angazhohet për punëtorin dhe për inkuadrimin e tij sa më të madhe në proceset shoqërore.
Është e kuptueshme brenga e kreut të sindikatës për rrezikimin edhe më të madhe të gjendjes sociale të popullatës, por cila do të ishte pozita e punëtorëve të KEK-ut, më saktësisht e anëtarëve të BSPK-së, po qe se konsumatorët bojkotojnë pagesat për energjinë elektrike? Athua prej nga ata do të merrnin pagat? Nga buxheti i Kosovës!? Me formula të këtilla atëherë vetëm se do të ndryshonte kahja e qarkullimit të parasë- ajo nuk do të grumbullohej përmes faturave të KEK-ut, por përmes tatimeve. Dhe,duke iu dhënë para punëtorëve, atëherë buxheti nuk do të arrinte të mbulonte kërkesat e tjera, si ato për investime, apo për çështje sociale.
Por, nuk janë të mbyllura të gjitha rrugët dhe nuk ishte e domosdoshme që vetëm përmes ngritjes së çmimit të energjisë elektrike të mbulohen shpenzimet e KEK-ut.
Rezervat e brendshme të kësaj korporate janë të mëdha dhe shfrytëzimi i tyre do të siguronte para të mjaftueshme për operim. Humbjet e energjisë elektrike, ndonëse kanë tendencë të rënies, edhe më tej mbeten të mëdha dhe dhjeta miliona euro mbeten të pa faturuara. Në kuadër të kësaj humbje janë edhe vjedhjet, apo kyçje ilegale, për të cilat faj kanë edhe punëtorët e Korporatës. Pastaj, vjet blloqet e termocentraleve kanë pasur 105 ndalesa, prej të cilave 36 ishin të detyrueshme. Sikurse të përgjysmohej numri i këtyre “pushimeve”, atëherë do të kishte më shumë energji të prodhuar dhe më pak shpenzimet për aktivizimin serishëm të blloqeve. Në fund krejt këto janë para që do të ndikon në forcimin e qëndrueshmërisë financiare të KEK-ut.
Secili shtrenjtim reflekton keq në buxhetin e konsumatorëve. Edhe sikur ngritja e çmimit të energjisë elektrike të ishte më e vogël, sërish do të kishte pakënaqësi dhe reagime. Ndoshta në një masë më të vogël se tani. Në është paksa shqetësuese pse ky moment i ndjeshëm social përdoret si pretekst për zhurmë, e nuk shfrytëzohet asnjë mekanizëm ligjor. Apo, pse BSPK-ja këtë duhet ta përdorë si moment që të tregoj se ende është gjallë, kurse punët i ka llugë.
Më e mira do të ishte sikur të mos shtrenjtohej fare energjia elektrike apo vendimi të anulohet përmes rrugës institucionale. Me këtë do të dëshmohej se në këtë vend funksionon ligji dhe se po ndërtohen institucione me integritet. Kjo më shumë duket si ëndërr.