UBT

Shkon në burg, por s’i përgjigjet EULEX-it

/ 3 minuta lexim

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Muharrem Xhemajli, nuk e ka ndërmend të bashkëpunojë me EULEX-in. Ai ka thënë se do ta refuzojë çdo ftesë të tyre dhe për ta treguar këtë është i gatshëm ta pranojë edhe dënimin me burg vetëm që të mos i përgjigjet prokurorëve të misionit evropian.

Xhemajli, ditë më parë është arrestuar pasi ka refuzuar ftesën e EULEX-it për t’u marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit në rastin e “Grupit të Drenicës”. Në bazë të ligjeve në fuqi, nëse Xhemajli vazhdon ta refuzojë bashkëpunimin, ai mund edhe të dënohet deri në 30 ditë burg. Një rast i ngjashëm pati ndodhur edhe me kreun e Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, i cili kishte refuzuar të dëshmojë në rastin e “Kleçkës”, ku gjykohej Fatmir Limaj dhe për këtë gjykata e pati dënuar me 30 ditë burg.

Por Xhemajli nuk duket aspak i brengosur për këtë situatë. Përkundrazi, është i vendosur të mos e shkelë premtimin që ua ka dhënë shokëve të tij bashkëluftëtarë. “Unë i kam thënë edhe prokurorëve të EULEX-it, se jam i gatshëm të përballem me të gjitha pasojat të cilat i parasheh ligji për ta respektuar vendimin e Organizatës së veteranëve të luftës i cili është nxjerrë më 7 maj të vitit 2011, për të mos njohur autoritetin e EULEX-it”, ka thënë Xhemajli.

Fundamenti

Ai ka pohuar se është i vetëdijshëm se një nga pasojat që po përmend është edhe dënimi me burg. “Jam shumë i vetëdijshëm. Është obligim imi dhe gjithë veteranëve që janë anëtarë, t’i zbatojnë vendimet e Këshillit drejtues. Shkoj edhe burg, nuk ka asnjë problem” ka thënë ai. Kreu i OVL-së vazhdon të besojë edhe pse s’po sheh gatishmëri se Kuvendi i Kosovës do ta marrë parasysh kërkesën e tyre që të debatohet dhe t’i hiqet mandati ekzekutiv EULEX-it. Xhemajli ka thënë se deputetët duhet ta dinë se këtë çështje ata e kanë obligim për shtetin.

‘Sipas informacioneve që kemi, një numër i konsiderueshëm i deputetëve kanë marrë një iniciativë duke nënshkruar një dokument, por ne po presim se si do të diskutohet në Kuvend”, ka deklaruar Xhemajli. Ai ka thënë se deputetët ia kanë dhënë mandatin dhe ata mund t’ia marrin atë misionit evropian për sundim të ligjit.

Drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta kanë ngritur zërin ndaj misionit evropian , madje organizuan edhe protesta duke kërkuar largimin nga Kosova. Ata kanë vlerësuar se EULEX-i nuk po bën veprime të drejta pasi, sipas tyre, po merret vetëm me çështje të luftës, duke gjykuar udhëheqës të UÇK-së, ndërsa anashkalon sundimin e ligjit për ç’gjë edhe është ftuar të operojë në Kosovë. (F. R)