Fundamenti

Shkollat pa aktive profesionale !

/ 7 minuta lexim

Shkruan :Nuhi Ismajli – Për funksionimin e suksesshëm të një institucioni, patjetër, janë të nevojshme edhe organet e ndryshme brenda tij, të cilat, në mënyrë të posaçme, janë të përcaktuara të merren me aktivitetet e caktuara, në kuadër të veprimtarisë së përgjithshme të institucionit.

Në këtë mënyrë, edhe institucionet arsimore, për zhvillimin më të suksesshëm të veprimtarisë së tyre, duhet të kenë organet e caktuara, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e veprimtarisë edukativo-arsimore. Por, për çudi, edhe përkundër nevojës për organet e nevojshme, në shkollat tona, vërejmë e dëgjojmë, madje, edhe për mungesën e organeve tejet të nevojshme, siç janë organet profesionale.

Kështu, ndër të tjera, vërejmë e dëgjojmë për mungesën edhe të aktivit profesional të arsimtarëve të ciklit klasor! Në shkollat e tilla, ku mungojnë aktivet profesionale të arsimtarëve të ciklit klasor, këshillat e klasave po i konsideruakan aktive profesionale të arsimtarëve!
Pse?!
Është e ditur se, sot, në krye të shkollave, ka raste kur kanë zënë vend edhe individë të pangritur sa duhet profesionalisht, të cilët nuk dinë të bëjnë dallimin ndërmjet këshillit të klasave dhe aktivit profesional, dhe e marrin njërin për tjetër.

Shkak tjetër i ngatërrimit të këshillit të klasave me aktivin profesional është edhe synimi qëllimkeq: ndarja ose pjesëtimi i aktivit profesional në pesë pjesë, pra, në aq pjesë, sa këshilla të klasave ka, me qëllim të manipulimit me vendet e punës, duke sistemuar arsimtarët në vendet e punës, sipas një radhitjeje nëpër këshillat e klasës, një radhitje kjo sipas leverdisë së dikujt dhe tejet të paligjshme.

Në praktikë, raste të tilla të ngatërrimit të këshillit të klasave me aktivin profesional, ka pasur në Gjilan, me ç’rast, punëtorëve më të vjetër u është marrë vendi i punës, kurse u është dhënë punëtorëve më të rinj!

Duke lënë anash, në këtë rast, injorancën e atyre që nuk dinë të bëjnë dallimin ndërmjet këshillave të klasave dhe aktiveve profesionale ose ngatërrimin e qëllimshëm të tyre, për motive tejet të ulëta, prandaj edhe tejet të padrejta edhe të palejueshme, duhet të themi qartazi se tjetër gjë janë këshillat e klasave dhe tjetër gjë janë aktivet profesionale.

Këto dy organe shumë të rëndësishme duhet dalluar nga njëra-tjetra, pra edhe duhet formuar e aktivizuar veç e veç, sepse asnjëra nuk mund ta zëvendësojë tjetrën, ndërsa që të dyja, në mënyrë të veçantë, kanë rëndësi tejet të madhe për shkollën.
Këshilli i klasave, si organ, përbëhet nga arsimtarët që zhvillojnë veprimtari edukativo-arsimore në një vit a klasë të caktuar. Prandaj, edhe duhet të ekzistojë Këshilli i Klasave të Para, Këshilli i Klasave të Dyta etj.

Këshilli i klasave, përcjell, analizon dhe vlerëson periodikisht procesin edukativo-arsimor gjatë një viti mësimor. Pra, siç shihet, këshilli i klasave merret vetëm me disa çështje me të cilat merret edhe aktivi profesional, por jo me gjithë punët me të cilat merret ai.

Këshilli i klasave i ngjan mjaft një organi profesional të arsimtarëve, por edhe një organi administrativ, pra është një organ sa administrativ, po aq profesional.
Një këshill i klasave është pjesë e Këshillit të Arsimtarëve, kurse të gjitha këshillat e klasave përbëjnë atë që quhet Këshilli i Arsimtarëve.

Uji Dea

Një këshill i klasave, në ciklin e ulët të shkollës fillore, duke përfshirë vetëm arsimtarët që zhvillojnë procesin edukativo-arsimor vetëm në një vit a klasë të caktuar (p.sh.: Këshilli i Klasave të Para), është një forum më i vogël i arsimtarëve sesa aktivi profesional. Sepse, forumi i gjithë arsimtarëve të të gjitha këshillave të klasave të ciklit klasor, bashkërisht, bëjnë aktivin profesional të arsimtarëve të ciklit të klasor.
Këshilli i klasave, sipas viteve a klasave, ka kryetarin, i cili caktohet për çdo vit.

Kryetari i këshillit të klasave nuk konsiderohet, as nuk quhet kryetar i aktivit profesional.
Aktivet profesionale merren me probleme profesionale të arsimtarëve, sipas lëndëve.
Aktivet profesionale përfshijnë të gjithë arsimtarët e të njëjtit profil, arsimtarët që japin lëndët e njëjta, pavarësisht nga klasat a vitet dhe paralelet ku japin mësim ata.

Pra, aktivet profesionale nuk formohen sipas viteve a klasave e paraleleve, por sipas lëndëve që japin arsimtarët.
Në këtë aspekt, aktivi i arsimtarëve të ciklit klasor përbëhet nga të gjithë arsimtarët e ciklit klasor, pavarësisht nga numri i tyre dhe pavarësisht nga ajo se në cilin vit a klasë e paralele punojnë ata.

Pra, aktivi i arsimtarëve të ciklit klasor përfshin të gjithë arsimtarët e ciklit klasor, sepse janë arsimtarë të të njëjtit profil, japin të njëjtat lëndë.
Aktivet profesionale nuk duhet të ndahen apo pjesëtohen në disa pjesë, sipas numrit të këshillave të klasave.

Aktivi profesional (pra, edhe aktivi i arsimtarëve të ciklit klasor), merret vetëm me probleme profesionale të arsimtarëve, probleme që kanë të bëjnë ngushtësisht me çështjet e zhvillimit të veprimtarisë edukativo-arsimore.

Aktivi profesional (pra, edhe aktivi i arsimtarëve të ciklit klasor), duhet të jetë aktiv dhe të merret me probleme të cilat kanë rëndësi për veprimtarinë edukativo-arsimore, siç janë:
çështja e ngritjes së përhershme profesionale e arsimtarëve;
çështjet e planprogramit; çështjet e teksteve dhe të metodave mësimore;
çështja e përcjelljes, analizës dhe vlerësimit të suksesit të nxënëse, por edhe të hetimit e mënjanimit të shkaqeve që pengojnë arritjet e dëshiruara;
çështja e zhvillimi të aktiviteteve të nduarnduarta edukativo-arsimore, në kuadër të lëndëve (si: garat e diturisë, aktivitet letrare, dramatike, muzikore, sportive etj.), si dhe çështje të tjera të shumta e të lloj-llojshme, me rëndësi për veprimtarinë edukativo-arsimore, shumë prej të cilave i imponon edhe vetë koha.
Aktivet profesionale, kur janë aktive sa duhet, ndihmojnë mjaft arsimtarin në pikëpamje profesionale, lehtësojnë punën e tij, dhe kontribuojnë shumë në zhvillimin më të suksesshëm të veprimtarisë edukativo-arsimore.

Aktivi ka kryetarin, i cili nuk është kryetari i këshillit të klasave. Ai caktohet për çdo vit, në fillim të vitit shkollor. Kryetari i aktivit bën planin e punës, thërret mbledhjet, mban ditarin e aktivit etj.

Formimi i aktiveve profesionale dhe aktivizimi i tyre është i domosdoshëm.
Shkolla ka për detyrë të formojë aktivet profesionale (pra, edhe aktivin e arsimtarëve të cilit klasor) dhe të kërkojë aktivitetin e tyre, për shkak të rëndësisë që kanë ato për veprimtarinë edukativo-arsimore.

Kur shkolla nuk bën krijimin e aktiveve të nevojshme profesionale, për shkaqe si edhe nga ato që i përmendëm më parë, për krijimin dhe aktivitetin e tyre, duhet të ndërhyjnë organet më të larta të arsimit.