Shkolla verore dhe kurse të shqipes për fëmijët e emigrantëve

Fëmijët e emigrantëve, të kthyer në Shqipëri për arsye të ndryshme, po përballen me vështirësi në lëndën e gjuhës shqipe.
Duke qenë larg vendit të tyre, për vite me radhë, gjuha e folur apo drejtshkrimi i gjuhës shqipe, nuk ka qenë pjesë e programeve mësimore, për rrjedhojë mangësitë janë ekstreme.
E duke qenë se në vitin 2012 janë regjistruar mbi 2700 fëmijë, të cilët kanë rinisur mësimet në shkollat shqiptare, Ministria e Arsimit e Shqipërisë ka hartuar një plan kombëtar veprimi, për t’u ardhur në ndihmë këtyre nxënësve.
Kështu, bazuar në planin e veprimit për shtetasit shqiptarë, MASH-i do të ofrojë: ndihmë për mësimin e gjuhës shqipe, për ata të cilët kanë vështirësi, me dy orë në javë, në dy ditë të ndryshme, si edhe programe të posaçme nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit.
Por, nuk do të mjaftojnë vetëm këto pika për t’u lehtësuar fëmijëve të kthyer nga shkollat e huaja, mësimin e gjuhës shqipe.
Drejtori i Arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit, Ndriçim Mehmeti, sqaron për gazetën “Shqip” të Tiranës, se për herë të parë në Shqipëri do të hapen shkolla verore për mësimin e gjuhës shqipe, pa përjashtuar edhe zhvillimin e lëndëve të tjera, që do të jenë suplementare.
“Do të ofrohet shërbim psikologjik për kapërcimin e vështirësive në marrëdhëniet me komunitetin dhe stafin mësimor. Do të zhvillohet seminari i përvitshëm me mësuesit që japin mësimin e gjuhës, kulturës shqiptare në diasporë, do të miratohet abetarja mbarëkombëtare dhe i planit mësimor për mësimin e fëmijëve në diasporë. Ndërkohë nuk do të mungojë edhe botimi i librave në zbatim të këtij plani, ku përfshihet edhe shpërndarja e tyre, në përputhje me kërkesa“, thotë Mehmeti.
Mehmeti thotë se nuk do të ketë punësime të reja, por do të jenë arsimtarët ata të cilët, sipas një grafiku të mirëpërcaktuar, do të punojnë për orë ekstra kurrikulare, të cilat do të paguhen shtesë për punën e kryer. Sipas të dhënave, nuk dihet ende sesi do të bëhet përzgjedhja e mësuesve, por ajo që dihet me siguri, është se lënda që do të zhvillohet me më shumë prioritet është gjuha shqipe, si një praktikë e përngjashme me kurset e gjuhëve zyrtare, të ofruara në shtete të ndryshme të botës.
Ndonëse specialistët e arsimit sqarojnë se puna e kryer në shkollat verore do të jetë shtesë, në ngarkesën e tyre të punës, duket sikur kjo përputhet me situatën e fushatës zgjedhore, ku nuk mungojnë punësimet e reja në sektorë të ndryshme.
Ndërkohë, për maturantët, MASH-i nuk ka parashikuar asnjë lehtësim, përveç traditës, që është testimi në lëndën e gjuhës shqipe.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë, nxënësit, të cilët janë në ciklin 9-vjeçar e kanë më të thjeshtë për ta mësuar gjuhën shqipe dhe programin mësimor në tërësi. Ekspertët sqarojnë se vështirësi paraqesin të rinjtë që duhet të ndjekin ciklin e lartë arsimor, maturantët, duke qenë se një nga kushtet për të ndjekur arsimin e lartë në vend është testimi në gjuhën shqipe.(albinfo)