UBT

Shkolla e mantel bardhëve – përgatit mjekët e ardhshëm

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” shënoi 18-vjetorin e punës edukativo arsimore, përmes një rrugëtimi që nxori gjenerata të dijës, ata që nesër kujdesen për shëndetin e qytetarit, të popullatës, gjithmonë e ndaj secilit duke respektuar parimet e etikës mjekësore, e njohur në mjekësi si Betimi i Hipokratit.

Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” ka nisur punën edukative arsimore në vitin shkollor 1994/1995, duke shtuar numrin e nxënësve dhe cilësinë për t’u shndërruar në institucion elitar të edukimit dhe arsimit. Kjo shkollë sot numëron 38 paralele me 1503 nxënës, ndërsa në procesin e mësimdhënies janë të angazhuar 65 mësimdhënës.

Kjo shkollë shquhet për rezultate të larta në mësim, pasi vetëm në vitin shkollor 2011/2012 Testin Shtetëror të Maturës e kanë kryer me sukses 93 për qind e maturantëve.
Drejtori i shkollës, Rahim Azemi, thotë se në këtë tempull të diturisë dhe edukimit vijnë e regjistrohen nxënës nga i tërë rajoni i Anamoravës (Gjilani, Kamenica, Vitia, por edhe Lugina e Preshevës). Ata dalin nga kjo shkollë të aftësuar e të përgatitur me dije meritore për studime në të gjitha drejtimet e fakulteteve të universiteteve të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë dhe jashtë.

Për ta avancuar nivelin e dijes, në kuadër të shkollës organizohet aksioni “Kërkojmë klasët më të mira”, që ka për synim ngritjen e cilësisë në mësim, vijim dhe disiplinë. Aksioni është treguar i suksesshëm, dhe është pranuar nga nxënësit si një garë që vë në veprim gjithë klasët për të shtuar në vazhdimësi dijen dhe edukatën.

Në kuadër të shkollës janë organizuar dhe vazhdojnë të bëhet çdo vit aktivitete të lira shkollore në art, kulturë, sport.

Këtë vit shkollor, më saktë në prill të këtij viti, nxënësit e kësaj shkolle morën vendin e parë në futboll në nivel rajoni, duke vazhduar garën në nivelin republikan. Po ashtu veçohen edhe garat në volejboll në nivel shkolle, pastaj grupi i letrarëve dhe i recitatorëve.

Në shënimin e 18-vjetorin të punës edukative-arsimore, drejtori i shkollës ka nderuar me mirënjohje të gjithë ish-drejtorët – Ruzhdi Ismajli (post mortum), Shefik Shkodra, Mitat Maliqi, Shaban Terstena, si dhe Nazim Hajdarin për kontributin dhe humanitetin e tij të treguar e të dëshmuar në vitet e vështira, kur në vitet 1995-1999 ka dhënë kontribut meritor, duke ndihmuar shkollën materialisht në pajisje shkollore por edhe në para.

Uji Dea

Drejtori i shkollës dhe kolektivi në tërësi vlerësojnë lart kontributet e secilës gjeneratë në konsolidimin e këtij tempulli të dijes dhe të procesit edukativo-arsimor.

Gjithashtu, për tri klasët më të mira – XII/1, 2 dhe XI/1 u dhanë mirënjohje, ndërsa u shpërblyen me mirënjohje edhe nxënësit që arritën vendin e parë në rajon në futboll dhe ata në volejboll.

Edhe nxënësit që u dalluan në recitim u shpërblyen me mirënjohje.

Me këtë rast, drejtori i shkollës, Rahim Azemi, falënderon të gjithë mësimdhënësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në procesin e mësimdhënies dhe arsimit e edukimit në këtë vatër diturie.

Ai i uron maturantët për suksese të reja, duke u dëshiruar sukses dhe rezultate meritore në Testin Shtetëror të Maturës.

Maturantët e kësaj shkolle, 425 sish, sonte festojnë mbrëmjen e maturës, dhe nga e hëna u kthehen detyrave shkollore./rajonipress/