Shkolla e Agrobiznesit në Gjilan hapë kuzhinën për përgatitjen profesionale të nxënësve

Gjilan – Shkolla e mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë në Gjilan ka hapur sot kuzhinën, ku nxënësit do ta bëjnë pjesën praktike pas mësimeve teorike.Në përurimin e kësaj kuzhineje, ka marrë pjesë kryetari Lutfi Haziri, drejtori i DKA-së, Nazmi Musa dhe bashkëpunëtorët tjerë.
“Ne po punojmë që edhe një drejtim fakultativ në Universitetin “Kadri Zeka” të hapet në të ardhmen, në mënyrë që të ketë një lidhshmëri mes kësaj shkolle dhe Universitetit në Gjilan. Kjo është shkolla më e mirë në Kosovë dhe regjion sepse në kuadër të kësaj janë të gjitha aktivitetet që lidhen me mësimnxënien dhe praktikën, duke krijuar edhe të hyra. Besoj që duhet të merret si model”, ka thënë gjatë hapjes së kuzhinës në shkollën “Arbëria”, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ai ka shtuar se cilësia, organizimi, menaxhimi i mirë tashmë ka bërë që në këtë shkollë edhe të rritet numri i nxënësve, edhe ta fitoj statusin e shkollës së privilegjuar, duke shtuar se e ardhmja e këtij vendi është në zhvillimin, që si bazë ekonomike që e ka bujqësinë.
“Ka mungesë jashtëzakonisht të madhe të kuzhinierëve profesionistë në Gjilan dhe Kosovë, por ka edhe kërkesë në tregun europian. Kjo shkollë i ofron të gjitha kushtet profesionale që nxënësit të përgatiten, trajnohen dhe të jenë të gatshëm për treg të punës”, tha Haziri.
I lumtur që është hapur kuzhina në këtë shkollë është shprehur të jetë edhe drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazmi Musa, i cili tha se hapja e kësaj kuzhine, është vazhdimësi që çdo drejtim ta ketë kabinetin e tij.
“Ne jemi duke e bërë mundësinë që çdo kabinet të drejtimeve profesionale të jetë i pajisur, sikurse edhe sot që e bëmë promovimin e kësaj kuzhine që është në dobi të ngritjes profesionale për nxënësit dhe që do të luaj një rol të rëndësishëm edhe në regjionin e Anamoravës”, tha Musa.
Nga ana e tij, drejtori i shkollës së Agrobiznesit “Arbëria”, Xhelal Jetishi, është shprehur se e rëndësishme është që pas punës praktike që e bëjnë nxënësit në këtë kuzhinë, të gjitha ushqimet më pas i konsumojnë, e që I bie një lloj shujte ditore.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit ka organizuar transport për bartjen e nxënësve në këtë shkollë, e cila gjendet në periferi të qytetit, sikurse që ka ndarë edhe bursa për nxënësit e shkëlqyeshëm për t’i stimuluar që t’i ndjekin mësimet aty./rajonipress/