Shkojnë Clinton, Panetta, Geithner…

Pas rizgjedhjes së tij në postin e presidentit amerikan, Barack Obama pritet të ndërrojë disa prej njerëzve kryesorë të administratës së tij. Në mesin e emrave që përflitet se do të largohen më së shpeshti përmenden sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, dhe sekretari i Trezorit, Timothy Geithner.
Sipas raportimit te mediave ndërkombëtare, duket se së shpejti në Washington do të lirohen disa vende mjaft interesante të punës. Kjo për arsye se presidenti i rizgjedhur amerikan, Barack Obama, po planifikon që në mandatin e dytë ta freskojë kabinetin e tij të ri, ndërkohë që edhe disa prej anëtarëve më të njohur të tij tashmë kanë paralajmëruar se do të largohen nga atje.
Në mesin e tyre gjithsesi që emri më i njohur është ai i sekretares së shtetit, Hillary Clinton, e cila disa herë ka paralajmëruar në media se “më në fund ka dëshirë të ngopet gjumë”, duke marrë parasysh se pjesën më të madhe të kohës gjatë katër viteve të fundit e ka kaluar duke udhëtuar përreth botës. Hilary Clinton definitivisht mund të radhitet në mesin e shefave më të suksesshëm të diplomacisë së SHBA’ve, edhe pse “njollat” që mund t’i mvishen gjatë qëndrimit të saj në Departamentin e Shtetit janë mosgjetja në fillim të Pranverës Arabe, vrasja e paradokohshme e vrasjes së ambasadorit amerikan në Libi, dhe mungesa e përparimit për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Në të vërtetë, këtë konflikt nuk arritën ta zgjidhnin as shumë të tjerë gjatë dekadave të kaluara, por është vështirë që të mos krijohet bindja se rreth kësaj çështjeje Clinton nuk u mundua aq shumë.
Sidoqoftë, si trashëgimtar i saj tash për tash më së tepërmi po lakohet vetëm emri i senatorit John Kerry, i cili ishte kandidat presidencial i demokratëve në zgjedhjet e vitit 2004, dhe i cili ka një përvojë të madhe në politikën e jashtme, dhe që flet rrjedhshëm gjuhën frënge. John Kerry ka kohë që përflitet si zëvendësim i Clinton, edhe pse, sipas portalit ‘The Hill’, kjo mundësi është zvogëluar së fundmi pas rezultatit të tij të dobët zgjedhor të senatorit Kerry të martën, dhe për shkak se republikani Scott Brown tani duket se është favorit kryesor për zëvendësimin e tij në Senat. Si rrjedhojë, si pretendente tjetër serioze për këtë post gjithnjë e më tepër po përflitet edhe emri i ambasadores së SHBA në OKB, Susan Rice.
Sipas të gjitha gjasave nga posti i tij do të largohet edhe sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, i cili për çdo fundjavë largohet nga Pentagoni drejt Kalifornisë, ku posedon një plantazhë të arrave. Duket se Panetta është ngopur me politikë të lartë, dhe dëshiron të pensionohet. Atë në postin e sekretarit të Mbrojtjes mund ta trashëgojë një femër, Michele Flournoy. Flournoy ishte një zyrtare e lartë në Departamentin e Mbrojtjes, dhe është themeluese e grupit të respektuar konsulent Center for a New American Security (Qendra për një Siguri të re Amerikane). Tri opsionet e tjera në lojë janë edhe zëvendësi i Panetta’s, Ash Carter, senatori Chuck Hagel dhe ish-gjenerali David Petraeus.
Veç kësaj, tashmë është pothuajse fare i sigurt edhe largimi i sekretarit të Trezorit, Timothy Geithner, të cilin gjatë gjithë kohës sa ishte në këtë pozitë e përcollën kritikat e ashpra, sepse u cilësua si një politikan që para së gjithash punonte për interesa të Wall Street, gjë që është dokumentuar në mënyrë bindëse edhe në disa libra. Zëvendësim i tij i mundshëm mund të jetë Jacob Lew, i cili në vitet e nëntëdhjeta ishte drejtor i buxhetit në administratën e ish-presidentit Bill Clinton. Nga ana tjetër, Amerika liberale do të dëshironte që në atë pozitë ta shihte ekonomistin e shpërblyer me Çmimin Nobel, Paul Krugman, edhe pse mbetet pikëpyetje nëse ai do të pranonte këtë detyrë, dhe, për më tepër, nëse Obama t’ia ofronte atë në radhë të parë.
Përveç gjithë kësaj që u tha deri tani, mediat spekulojnë edhe për atë se presidenti Obama si pjesë të kabinetit të tij mund ta emërojë edhe ndonjë republikan – një lëvizje kjo që nuk është ndonjë risi, sepse edhe njëri nga sekretarët e Mbrojtjes në kohën e presidentit Clinton ishte anëtar i partisë Republikane. Obama në këtë mënyrë do të sinjalizonte gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Kongresin, i cili kontrollohet nga republikanët, spekulojnë disa nga mediat amerikane.
Përndryshe, sipas portalit politik amerikan ‘Politico’, në mesin e atyre që përfliten se do të zëvendësohen nga presidenti Obama figurojnë edhe emrat e zyrtarëve të lartë qeveritarë Eric Holder, Ray LaHood, Steven Chu, Ken Salazaar, dhe Lisa Jackson.