Shkoi si emigrant, sot është një mjek i suksesshëm në Turqi

Në moshë të re u largua nga Shqipëria, e sot është mjek e stomatolog i suksesshëm në Turqi. Por, për të arritur deri këtu, Arten Dyrmishit iu desh shumë punë e orë pa gjumë, të cilat sot i kujton si momentet më të bukura të jetës së tij.

“Për mua 3-4 vitet e para në Stamboll kanë qenë dhe do te jenë vitet me më shumë vlera në jetën time profesionale, për shkak se këto vite kam punuar 7 ditë në javë, nga pothuajse mesatarisht 20 orë në ditë, sepse gjate ditës studioja dhe çdo mbasdite, pas universitetit, punoja deri në 03:00 të mëngjesit, në një klinike private për të fituar të ardhura e për të jetuar. Dikush mund ta mendojë si një tmerr i vërtetë, po, të them të drejtën, këto kanë qenë vitet më të bukura të jetës time, se falë këtij super sforcimi në jetën profesionale, arrita të përparoja shumë”, ka thënë ai.

Në një intervistë për The Albanian, ai ka treguar se pse zgjodhi pikërisht këtë profesion, përcjell albinfo.ch.

”Që në fëmijëri, në brendësi të shpirtit, më vlonte dëshira për t’u bërë një njeri, i cili do kishte mundësinë t’ju jepte sa më shume buzëqeshje dhe lumturi njerëzve, sidomos atyre që më rrethonin, pasi gjithmonë besoja në thënien “Buzëqeshja është pasqyra e shpirtit”, ka thënë Durmishi.

Jetesa në Stamboll i dha mundësi të punojë në spitale prestigjioze, të mësojë tekonologjinë më bashkëkohore e të punëjë edhe me të famshëm. Por ai nuk e harroi atdheun, madje thotë se vjen shpesh në Shqipëri.

“Fjala “Atdhe” më bën të përjetoj emocione shumë të veçanta dhe gjithashtu më bën të ndjehem krenar. Fakti që unë kam jetuar deri në moshën 18 vjeç në Shqipëri ma bën të veçantë lidhjen time me atdheun. Aktualisht i përjetoj keq situatat aktuale me të cilat përballet Shqipëria në ditët e sotshme. Vij shpesh në Shqipëri dhe shoh që tendenca për më mirë ecën me ritme të avashta krahasuar me vendet fqinje”, ka thënë Dyrmishi.

Ai thotë se në Turqi është pritur shumë mirë, pavarësisht se shkoi si emigrant.

Ndërkaq, Dyrmishi thotë se në vendlindjen e tij duhet t’i jepet më shumë rëndësi arsimit dhe shëndetësisë. Ai uron që në një të ardhme të afërt, shqiptarët të kenë mundësi të mjekohen në vendin e tyre.

“Si rezident në një vend shumë afër Shqipërisë dhe me një zhvillim maksimal në fushën shëndetësore, siç ka Turqia shoh shpesh herë që shumë shtetas shqiptarë vijnë për t’u mjekuar në Turqi, për shkak se diagnoza që i është vendosur nuk ka mundësinë të trajtohet ne atdhe. Dhe ne si shqiptarë që jemi, bëjmë detyrën tonë drejt atdheut, duke i ndihmuar me mundësitë që kemi në dorë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ai ka edhe një propozim për qeverinë shqiptare.

“Nga qeveria shqiptare mendoj se është nevoja e krijimit të një kalendari veprimesh të diasporës, në lidhje me administratën shqiptare dhe të fillojnë të veprojnë për situatat me emergjence aktuale në atdhe”, ka thënë Dyrmishi.

Për të ardhmen, ai ka shumë plane, por ndër të tjerash, ka treguar se po mendon t’u ofrojë mundësi të rinjve shqiptarë për të bërë praktikë te ai.

(Marrë me shkurtime nga intervista e Arten Dyrmishit për thealbanian.co.uk)

Shkoi si emigrant, sot është një mjek i suksesshëm në Turqi

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).